Vendosja e fashave orare për të dalë nga karantina dhanë rezultat të kundërt në kryeqytet, ndërsa mijëra njerëz e lexuan si liridalje dhe mbushën rrugët e zunë radhë në supermarkete. Kryeministri njoftoi kufizime të reja, ndërsa i sulmoi ata që dilnin si ‘tradhtarë’.
Turmave të njerëzve që dolën të shëtisnin përkrah blindave të Ushtrisë pasditen e së premtes, kryeministri Edi Rama iu përgjigj me një ndryshim të ri në kufizimet e lëvizjes në Tiranë, duke mbyllur çdo aktivitet prej mesditës së të shtunës deri të hënën.
Rama nuk tha se çdo të bëhet pas së hënës. Ajo që dihet është lejimi i lëvizjes nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 13.00 të mesditës së shtunë dhe më pas karantinë. Pasditen e së premtes në kryeqytet, bindja e përgjithshme ishte se fashat e zbatuara tre ditët e fundit ishin leje-dalje.
Një pjesë i shfrytëzuan oraret e lira në tre ditët e fundit për të kryer punë të domosdoshme, por dyndja në dy orë krijoi radhë para bankomatëve, dyqaneve dhe bankave. Në një të tillë, një burrë i tha BIRN se priste prej 20 minutash. Njerëzit në radhë mbanin një largësi me njëri- tjetrin, por ndër ta ka prej atyre që pështyjnë në tokë dhe të tjerë që hanë fara, sërish duke pështyrë mbetjet e tyre në trotuar.
Të tjerë banorë të kryeqytetit pranuan se kishin dalë thjesht për të shpirë këmbët. “Po 10 minuta do dal unë o vlla”, përgjigjet një prej pesë të rinjve që po shëtisin te ish parku i “7 xhuxhave” në kryeqytet. “Edhe ai ‘I gjati’ e ka leju. Po të ishte se nuk duhej të dilej, nuk do e lejonte fare,” thotë i riu, i cili ka veshur një kostum sportiv të zi. Katër shokët e tij qeshin. Pyetjes nëse kishte frikë nga infektimi apo nëse infektonte të afërm, ai i përgjigjet me nerva. “Po nuk infektohem unë o plak… Pastaj, (po u infektua) në g*p të sëmës”, thotë duke shtuar të shara të tjera.
Shumica ndërkohë u shmangen pyetjeve. Ka prej tyre që mbajnë maska, por kjo duket më shumë si trend mode. Një pjesë i kanë vënë nën mjekër duke lënë të lirë gojën, të tjerë i sheh t’i heqin e t’i venë për të pirë cigare apo për të folur.
I irrituar me gjasë nga pamjet e xhirove në rrugë që vazhduan të pashqetësuara edhe nga prania e blindave të Ushtrisë që shëtitën pasdite kryeqytetin, kryeministri u lëshua me fjalë të ashpra ndaj atyre që ndodheshin në rrugë, ndërsa premtoi masa më të ashpra. “Kjo është luftë dhe armiku nuk po largohet, por po afrohet çdo minutë! Prandaj mblidheni mendjen bashkë me mua që duhet të shtrëngojmë çdo ditë vidat e zinxirëve mbrojës, nëse nuk duam të na grijë si helmi mizat!”, shkroi Rama me gërma kapitale në faqen e tij në Facebook, duke u përpjekur të trembë sa mundet ata që kishin dalë pasdite.
Rama i quajti ata që dilnin ‘tradhëtarë’ dhe premtoi se ndaj tyre jo vetëm do kishte gjoba, por edhe masa për mosmbështetje nga qeveria, nëse ishin në vështirësi ekonomike. Kryeministri megjithatë nuk pranoi, edhe pse iu vu në dukje prej shumë komentueseve, që vendosja e fashave orare kishte krijuar idenë e lejimit të lëvizjes në dy orët e caktuara.
“Kishte më pak njerëz, kur nuk ishin fashat. Tani dalin të gjithë në një kohë,”tha për BIRN menaxheri i një supermarketi në kryeqytet, ndërsa gati një dyzinë me njerëz lëviznin me ngadalë përmes rafteve me mallra.
Në të njëjtin hall ishin edhe dy punonjës të policisë bashkiake. Ata ndaluan makinën me megafon, por thirrjeve të tyre për të qëndruar në shtëpi nuk u bindej njeri. Policët i kërkuan një burri që po lypte duke i rënë klarinetës pranë shkollës “Kosova” që të largohej. “Nuk na bindet njeri,” tha një prej punonjësve. Ai tha se në dyqanin e një kompanie celulare kishte radhë dhe se kërkesa e tyre që njerëzit të shpërndaheshin ishte refuzuar. “Thonë që nuk kanë kur mbarojnë punë. Fashat orare kanë krijuar më shumë radhë,” tha një nga policët, që nuk pranoi të identifikohej.
Por ndërsa mbajtësit e radhës dhe ata që dynden në supermarket kanë një qëllim, pjesa tjetër që lëviz në qytet është duke shëtitur. Thuajse në çdo cep ku ka pak bar apo në bordura rruge, njerëzit-një pjesë e mirë të moshuar- kanë dalë të marin rreze dielli.
Katër të rinj (nga 20 në 35 vjeç) po lozin murlan në një cep pallati pak mbi rrugën e Elbasanit. Një burrë rreth të 50-ave qëndron pranë, duke ndjekur me kuriozitet ndeshjen.
Të paktën një nga të ulurit në tavolinë, rreth 25 vjeç, beson fort që Covid-19 është prodhim njerëzor. Ai beson se SHBA, Kina, Masonët apo kush e di cili grup tjetër i gjithëpushtetshëm ka shpikur virusin për të përfituar ekonomikisht, ashtu siç beson edhe se tërmetet kontrollohen po prej ndonjë prej qeverive të superfuqive, edhe pse nuk ka përgjigje se si këto ndodhin këtu e 100 vjet më parë.
Por daljet paradite dhe pasdite duket se u normalizuan nga keqkuptimi i masave të qeverisë. Ndryshimi i herëpashershëm i masave që njoftohen së pari në faqen e kryeministrit në Facebook, duket se krijoi idenë se oraret e lëna të lira i vlenin edhe shëtitjes.
Ndërsa rrugët u mbushën me shëtitës dhe parqet me njerëz që pushonin në stola, qeveria vendosi të nxirrte në rrugë blinda të armatosur me mitralozë. Qarkullimi i blindave nuk duket se ndryshoi ndonjë gjë prej situatës. Nuk është e qartë se cili ishte funksioni i lëvizjes, por pak qytetarë u dukën se u impresionuan prej tyre, ndërsa çiklistët apo këmbësorët vijuan të ecnin krah apo përballë automjeteve të ushtrisë.
Situata e tillë vijoi deri në orën 18.00. Në 18.05, kur buzë Lanës u ndezën dritat e rrugës, qyteti ishte zbrazur sërish. Vetëm pak njerëz nxitonin për t’u kthyer në shtëpi, me ndonjë qese me fruta apo bukë në dorë.
Një punonjës i policisë u kërkoi dy të rinjve të nxitonin. Makinat e fundit filluan të zhdukeshin nga rrugët. Pak pasi njerëzit ishin kthyer në shtëpi, kryeministri shpërtheu në faqen e tij në Facebook. Ai njoftoi ndryshimin e orareve, ndalimin total të lëvizjes nga e shtuna në të hënë dhe më pas, në disa video mesazhe shpërndau pamje nga spitali i Bergamos në Itali apo nga një e sëmurë në Britani.
Mjekët e spitalit Infektiv po ashtu u shfaqën për të përcjellë një mesazh: Njerëzit duhet të izolohen.
Në përpjekjen për të ndaluar njerëzit që të dalin në rrugë, mesazhet e Ramës u bënë më të zymta. “Nëse nuk rrini të gjithë drejt në këtë luftë, nuk do të kemi ku të shtrijmë të sëmurët dhe nuk do ketë vend as në varreza, jo më në spitale!”, shkroi Rama.
Është e paqartë ende nëse do të funksionojnë masat e reja të marra nga qeveria, ndërsa vendi mbylli ditën e 11 të karantinës me 70 të infektuar dhe 2 të vdekur.