Shtetet e Bashkuara nuk po i kufizojnë infeksionet me COVID-19 mjaftueshëm sa për të shmangur një valë të dytë serioze të pandemisë më vonë këtë vit. Ndërkohë që komunitet rihapen dhe masat kufizuese fillojnë të lehtësohen, vendi do të detyrohet të përballet me pasojat e masave të pamjaftueshme ai ka marrë deri më tani.
Njësoj si sërfistët që presin dallgën tjetër të madhe pasi ka kaluar e para, epidemiologët dhe zyrtarët e shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një rritje të re të infeksioneve me COVID-19 më vonë këtë vit. Frika është se kjo valë e dytë do të përkojë me kulmin e sezonit të gripit në Amerikë 2020-2021, duke shkaktuar një tejmbushje të re të spitaleve me pacientë që kanë nevojë për respiratorë.
Frika është e justifikuar, bazuar në ato që dimë për koronaviruset dhe gripin. Për të dy, infeksionet fillojnë të rriten në nëntor dhe arrijnë kulmin e pikut në dhjetor, janar ose shkurt, para se fillojë të bjerë përsëri rreth prillit.
Ajo që është më pak e sigurt është se sa të larta do të jenë valët për secilin nga këto infeksione. Edhe pse e kuptojmë shumë më mirë infeksionin e gripit sesa atë të virusit SARS-CoV-2 që shkakton COVID-19, gripi mbetet një e panjohur e njohur. Llojet e tij ndryshojnë nga viti në vit në kuptimin e transmetueshmërisë dhe ashpërsisë. Në disa vite, numri i jetëve të humbura nga gripi në SHBA mund të arrijë deri në 12,000. Por gjatë dimrit të vitit 2017-2018, një lloj gripi i rëndë çoi në vdekjen e rreth 80,000 amerikanëve – numri më i lartë në të paktën 40 vjet.
Ndryshimi i përvitshëm i llojeve të gripit do të thotë se ne duhet të krijojmë një vaksinë të re çdo vit. Por ka një problem. Vaksina duhet të përgatitet mirë përpara fillimit të kulmit të sezonit të gripit dhe shpesh para se të shfaqet lloji i ri i gripit. Nëse vaksina përputhet mirë, ai kufizon si ashpërsinë e një sëmundjeje për shkak të infeksionit, ashtu edhe numrin e vdekjeve për shkak të komplikimeve nga sëmundja.
Por vaksina jonë e vitit 2017-2018 nuk rezultoi efikase. Deri në janar të vitit 2018, spitalet u mbingarkuan, dhomat e urgjencës kthenin pas ambulancat dhe qendrat mjekësore po vinin në zbatim masa tashmë të njohura, siç janë hapja e tendave të tirazhit nëpër parkingje, kufizimin e vizitave nga miqtë dhe familja dhe anulimin e operacioneve selektive.
Ashpërsia e sezonit të gripit 2020-2021 do të varet nga sa mirë vaksina jonë përputhet me llojin e virusit dhe nga vetë ashpërsia e tij. Por kjo gjithashtu do të varet nga sjellja jonë dhe nga sa ne e përhapim infeksionin te të tjerët.
Në krahasim me viruset e gripit, sjellja e SARS-CoV-2 është shumë më e panjohur. Ajo që ne konkludojmë bazohet kryesisht në sjelljen e katër koronaviruseve që shkaktojnë të ftohtin që kanë qarkulluar në SHBA të paktën që nga vitet 1960, kur ata u zbuluan për herë të parë.
Shfaqja sezonale e këtyre viruseve ngjason ngushtë me atë të gripit, përveç faktit se infeksionet nuk zhduken në gjatë muajve të verës. Në vend të kësaj, ata vazhdojnë me një frekuencë të zvogëluar. Në të vërtetë, ideja që nxehtësia dhe lagështia do të eliminojnë SARS-CoV-2 bie ndesh nga infeksionet në vazhdim në Singapor dhe Afrikën Perëndimore bregdetare.
Në fakt, mbetet ende mister sezoni i infeksioneve virale. Disa mendojnë se viruset si gripi dhe koronavirusi kulmojnë gjatë dimrit sepse moti i ftohtë dhe i thatë than mukozat tona, duke na bërë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve virale. Të tjerë vërejnë se, në dimër, ne mblidhemi më shumë brenda nëpër shtëpi, duke lehtësuar kështu transmetimin.
Këto teori duken të besueshme përsa kohë marrim parasysh se viruse të tjera, si poliomieliti dhe rinovirusi që shkakton ftohjen, kulmojnë në verë. Dhe misteri thjesht thellohet më shumë kur kemi të bëjmë me viruse që janë sezonale në klimë të butë dhe mbajnë një normë infeksioni thuaje konstante (megjithëse më të ulët) në tropik.
Me SARS-CoV-2 që nuk ka gjasa të zhduket vetë dhe mungesën e një vaksine efikase apo ilaçi profilaktik, faktori kryesor që ndikon në madhësinë e një valë të dytë të infeksioneve është se sa mirë e kontrollojmë epideminë tani dhe pas kësaj periudhe. Numri i rasteve aktive nga virusi në tetor – i ashtuquajturi rezervuar njerëzor – do të përcaktojë madhësinë dhe shpejtësinë e valës së dytë të pritshme. Kufizimi i numrit të infeksioneve tani do të zvogëlojë numrin e infeksioneve më vonë.
Fatkeqësisht, SHBA-ja nuk po i kufizon sa duhet infeksionet me COVID-19 për të shmangur një valë të dytë të rëndë. Masat tona aktuale të kontrollit – testimi i kufizuar dhe vetë-izolimi me dëshirë, kryesisht për ata që dihen se janë të infektuar ose janë ekspozuar ndaj një personi të infektuar – nuk ka të ngjarë ta eliminojnë virusin nga popullata. Vendet që deri më tani e kanë trajtuar sëmundjen me sukses kanë kryer testime më të gjera dhe kanë vënë në zbatim programe gjithëpërfshirëse të gjurmimit të kontaktit që identifikojnë të gjithë të infektuarit e mundshëm dhe i transferojnë më pas ata në ambiente të mbikëqyrura, shpesh në ndonjë hotel lokal, ku monitorohen për simptoma.
Ndërsa komunitetet amerikane rihapen dhe masat e ndërmarra lehtësohen, ne do të jemi të detyruar të përballemi me pasojat e masave tona të pamjaftueshme. Në tetor unë pres që të jemi në prag të një raundi tjetër vdekjeprurës infeksionesh me COVID-19. Dhe nëse ndodh që kjo valë të përballet me një valë infeksionesh nga gripi, atëherë do të vdesin akoma më shumë njerëz.
Pasja e mjeteve mjekësore për të parandaluar transmetimin e SARS-CoV-2 do të ulë madhësinë dhe ndikimin e një valë të dytë të COVID-19. Në të vërtetë, me një mbështetje të fortë nga qeveritë, industritë farmaceutike dhe bio-teknologjike dhe fondacionet jofitimprurëse, përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë dhe ilaçeve që mund të frenojnë transmetimin vazhdojnë me ritme të shpejta në të gjithë botën. Me shtatë vaksina dhe të paktën një ilaç me potencial profilaktik aktualisht në prova klinike, kam besim se do të jemi në gjendje ta kufizojmë transmetimin e SARS-CoV-2 në të ardhmen e afërt.
Por pyetja është kur. Për të pasur një ndikim në një valë të dytë infeksionesh këtë vjeshtë në Amerikë, një vaksinë ose ilaç profilaktik duhet të jetë e disponueshme gjerësisht në fillim të sezonit. Kjo do të kërkojë përpjekje maksimale të koordinuara nga studiuesit, prodhuesit dhe rregullatorët.
Edhe pse një skenar i tillë është i mundur, do të na duhet të jemi të zgjuar dhe me fat për të shmangur atë që natyra po ruan për ne kur të vijë dimri. Dhe ma një progres mjekësor në këtë drejtim, do të na duhet të përgatitemi për më të keqen.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Can America Handle a Second Wave?