Viti 2019 shënoi një rënie të fortë të demokracisë në Europën Lindore, bëri të ditur organizata amerikane Freedom House në një raport të titulluar: Rënia e fasadës demokratike. Shqipëria humbi pikë në standardet demokratike për herë të parë në tre vjet, duke mbyllur edhe një dekadë përkeqësimi të ngadaltë por të vazhdueshëm.
Shqipëria shënoi një përkeqësim të standardeve demokratike gjatë vitit të kaluar, kryesisht për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve njëpartiake për pushtetin vendor, vëren organizata Freedom House në raportin e vet vjetor, Kombet në tranzit. Shqipëria ra nga 3.89 pikë në vitin 2018 në 3.82 pikë në raportin e vitit 2019 në një shkallë nga 1 në 7 ku 1 përfaqëson nivelin më të ulët dhe 7 nivelin më të lartë. Raporti i vlerëson vendet nga “demokraci të konsoliduara” kur kanë mbi 5 pikë, dhe më pas, në “demokraci gjysmë të konsoliduara” kur kanë 4 deri në 5 pikë, te “regjime hibride apo në tranzicion” 3 deri në 4 pikë, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kategoritë më poshtë vijojnë me “regjimet autoritare gjysmë të konsoliduara” 2 deri në 3 dhe “regjime autoritare” me më pak se 2. Raporti vlerëson proceset demokratike në nivel kombëtar apo vendor, si zgjedhjet apo jetën parlamentare, funksionimin e sistemit të balancave dhe kufizimeve në ushtrimin e pushteti e të tjera si dhe tregues të tjerë të lidhur me lirinë e shtypit, pavarësinë e sistemit gjyqësor, nivelin e korrupsionit apo ekzistencën e një shoqërie civile aktive.
Në Europën Lindore dhe botën post-sovjetike, vende si Uzbekistani, Azerbajxhani apo Rusia klasifikohen si regjime autoritare ndërsa Shqipëria, Kosova, Serbia apo Hungaria klasifikohen si regjime hibride.
Ndërsa Shqipëria në treguesin e përgjithshëm klasifikohet si regjim hibrid, vlerësimi për korrupsionin është 2.75, që bie në kategorinë e regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara ndërsa treguesit e tjerë janë në kategorinë e regjimeve hibride. Pavarësia e gjyqësorit është vlerësuar 3.25, gjë që është vetëm një shkallë më sipër se sa niveli i regjimeve autoritare të pakonsoliduara. Reforma në drejtësi, e cila një nga synimet kryesore kishte rritjen e pavarësisë politike të gjyqësorit, duket se nuk ka sjellë përmirësim në këtë tregues, së paku jo për vitin 2019.
Rënia me 0.07 pikë në indeksin e përgjithshëm të Shqipërisë në vitin 2019 është më e madhja e shënuar në Ballkanin Perëndimor.
Gjergji Vurmo, eksperti i angazhuar nga Freedom House për raportin e Shqipërisë, thotë se në fakt rëshqitja në Shqipëri nuk ka nisur vitin 2019 por është vërejtur edhe në raportet e viteve të mëparshme. Por duket se ishin zgjedhjet e zhvilluara me vetëm një palë pas vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në to, të cilat sollën përkeqësim.
Raporti [Link] publikohet çdo vit nga organizata që vepron që nga viti 1941 për të mbrojtur demokracinë nëpër botë dhe që raporton për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Europës Lindore që nga koha e rënies së komunizmit duke krijuar një barometër për ecurinë e demokracisë.
Shqipëria mbylli në këtë mënyrë më shumë se një dekadë të tërë rënieje graduale por të vazhdueshme të standardeve demokratike. Vendi ynë kishte 4.07 pikë në vitin 2010, ndërsa një seri ngjarjesh antidemokratike që përfshijnë tre maxhoranca të ndryshme qeverisjeje dhe pesë palë zgjedhje për parlamentare dhe lokale kanë sjellë gërryerjen e shtetit të së drejtës.
Sipas Vurmos, shumë nga këto probleme kanë lindur nga marrëveshja politike mes Sali Berishës dhe Edi Ramës në vitin 2008, të cilat krijuan sistemin aktual zgjedhor, ku parlamenti përbëhet më së shumti nga persona të emëruar nga kryetarët e partive dhe për rrjedhojë, ka humbur funksionin e vet demokratik si kontrollues i ekzekutivit duke u kthyer në një aneks personal të kryeministrit.
Ndonëse në treguesin e përgjithshëm Shqipëria klasifikohet si regjim hibrid, për disa nga treguesit, të
Por rënia e standardeve demokratike në Shqipëri është pjesë e një tendence më të gjerë e vërejtur përgjatë viteve të fundit në të gjithë Europën Lindore dhe Juglindore, përfshirë edhe Hungarinë e Poloninë, dy vende anëtare të Bashkimit Europian.
Raporti i këtij viti titullohet: Humbja e fasadës demokratike dhe thekson se udhëheqësit politikë në Europën Lindore tashmë kanë hequr dorë nga të shtirurit si demokratë.
Sipas Vurmos, përkeqësimi në rajonin e Ballkanit ka ardhur nga një farëlloj trimërimi i udhëheqësve politikë të këtyre vendeve sii Aleksandar Vucic në Serbi, Edi Rama në Shqipëri apo Viktor Orban në Hungari për shkak se deri tani ka pasur pak rezistencë.
“Ajo çfarë i bashkon [këta të tre] është një tolerim i tejskajshëm së brendshmi, por edhe nga ana e Bashkimit Europian. Kjo i ka trimëruar si shumë,” thotë Vurmo.
Hungaria ishte vendi që këtë vit shënoi rënien më të madhe në standardet demokratike, dhe vendi ra nga grupi i vendeve demokratike. Po kështu, Polonia humbi statusin e vendit me demokraci të konsoliduar, duke u bërë anëtari i dytë i BE-së pas Hungarisë që bie nga kjo kategori.
Serbia, e cila deri në vitin 2017 ka qenë vend me demokraci të pakonsoliduar, pësoi përkeqësim të mëtejshëm më 2019 pasi ra te kategoria e regjimeve hibride në raportin e mëparshëm.
Në të gjithë rajonin e Ballkanit, vetëm Kosova dhe Maqedonia e Veriut njohën përmirësime të lehta në standardet demokratike, por këto përmirësime vijnë nga një nivel i ulët.
Korrupsioni udhëheq rikthimin në autoritarizëm
E përbashkëta e shumë prej vendeve që kanë pësuar përkeqësim në standardet demokratike gjatë viteve të fundit është se fillimisht kanë pësuar rritje të korrupsionit, e cila është përkthyer në rënie të cilësisë së medias dhe sulmeve të hapura të politikanëve ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria e korrupsionit duket se i kanë mundësuar qeverive që në mandatet e tyre të dyta të punojnë për të manipuluar rregullat e garave zgjedhore në përfitim të pushtetit të vet ndërkohë që media degradon nën kontrollin gjithnjë e më të madh të interesave korruptivë dhe shoqëritë humbasin fuqinë për të reaguar ndaj degradimit të demokracisë.
Por Freedom House vëren gjithashtu se në vitin 2019 gjërat mund të kenë filluar të ndryshojnë për mirë sa i përket reagimit popullor. Protestat kanë qenë të fuqishme në shumë vende ndërsa aktivizmi në mbrojtje të mjedisit vërehet se i ka dhënë hov fuqizimit të shoqërive, duke goditur në këtë mënyrë thelbin e keqqeverisjes, korrupsionin dhe klientelizmin që ushqehet mbi shkatërrimin e mjedisit.
“Si në shoqëritë e lira ashtu edhe në ato jo të lira, protestat mjedisore janë bërë çelësat përmes të cilave qytetarët mund të luftojnë kundër korrupsionit dhe për qeverisje të mirë si dhe të presin rezultate konkrete,” shkruhet në raport.