Ndërkohë që kontinenti lehtëson masat kufizuese që janë ndërmarrë për frenimin e përhapjes së COVID-19, Greqia dhe Kroacia janë të dëshpëruara të joshin të paktën disa nga miliona turistët që dynden në brigjet e tyre çdo verë.
Me afrimin e verës, ka ende më shumë pyetje sesa përgjigje në lidhje me faktin se si Kroacia dhe Greqia mund ta shpëtojnë sezonin turistik ndërsa masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 fillojnë të hiqen gradualisht në të gjithë Europën.
Rreziku është i lartë. Turizmi përbën 25 për qind të prodhimit ekonomik kombëtar në Greqi dhe pothuajse 20 për qind në Kroaci, që do të thotë se një ndërprerje e sezonit turistik do të ishte katastrofike për ekonomitë e këtyre dy vendeve.
Bashkimi Europian, pjesë e të cilit janë të dy vendet, nuk ka arritur hartuar ende një procedurë të unifikuar për rinisjen e turizmit, nga rregulloret e udhëtimit deri tek akomodimi, restorantet dhe plazhi në epokën e COVID-19.
Përkundrazi, fokusi duket se po zhvendoset në marrëveshje bilaterale, me Kroacinë, për shembull, që kërkon të hapë kufijtë e saj me Slloveninë dhe Austrinë në veri, ku ka pasur një përhapje relativisht të kufizuar të koronavirusit.
Edhe atëherë, distancimi social do të duhet të monitorohet, gjë e cila nuk është aspak një detyrë e lehtë kur bëhet fjalë për turizmin, paralajmëroi Damir Kresiç, drejtor i Institutit për Turizmin, një organ hulumtues dhe konsulence me qendër në kryeqytetin kroat, Zagreb.
“Nuk e imagjinoj dot një skenar në të cilin kamerierët ngjajë sikur janë nga seriali televiziv “Çernobili”, sikur po bëhen gati për të hyrë në qendrën e një reaktori bërthamor”, tha Kresiç për BIRN. “Kjo është në kundërshtim me vetë thelbin e turizmit.”
“Të gjitha masat më të rëndësishme epidemiologjike, përkatësisht distancomi social dhe mbyllja e kufijve kombëtarë, janë masa që janë në disa mënyra në kundërshtim me turizmin”, tha ai.
Pikëpyetje në lidhje me planin “pasaporta COVID-19”
Kroacia, e cila aktualisht mban presidencën e radhës gjashtëmujore të BE-së, ka bërë thirrje për një “pasaportë COVID-19” që do të konfirmonte që një udhëtar nuk është i infektuar me koronavirusin e ri në fillim të udhëtimit të tyre.
Greqia, ndërkohë, është në mesin e nëntë vendeve anëtare të BE-së që kanë bërë thirrje që turizmi të përfshihet në një plan të hartuar nga Komisioni Europian – krahu ekzekutiv i BE-së – për rimëkëmbjen ekonomike të bllokut nga pandemia dhe që Brukseli pret që të miratohet në qershor .
Ministrat e turizmit të vendeve anëtare patën një takim nëpërmjet një videokonference më 27 prill për të diskutuar atë që Gari Cappelli i Kroacisë, i cili kryesoi takimin, e ka quajtur një protokoll të përbashkët për turizmin.
Ministria e tij nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për informacione se deri ku ka përparuar ideja e pasaportës COVID-19, por ekspertët dhe epidemiologët kanë vënë në dyshim efektivitetin e një mase të tillë.
“Fakti që jeni negativ për COVID-19 sot nuk do të thotë se kjo do të jetë e vlefshme edhe nesër, pa përmendur nëse do të jetë e vlefshme pas 15 ditësh”, tha Kresiç.
Në Greqi, analisti i tregut të turizmit Giorgos Alexakis tha se industria po punonte për idetë e veta. Afërsisht 34 milionë turistë vizituan vendin vitin e kaluar.
“Propozimet për këto çështje do t’i dorëzohen së shpejti autoriteteve nga aktorët e tregut”, tha Alexakis për BIRN.
“Ekzistojnë ide rreth përcaktimit të hoteleve karantinë në çdo rajon, si dhe për distancën që duhet mbajtur në pishina, se si mund të shërbehet mëngjesi dhe çdo vakt tjetër, si do të funksionojnë autobusët turistikë dhe si do të hapen hapësirat muze.”
Konfederata Greke e Turizmit dhe partnerët e saj në Gjermani, Itali dhe Norvegji i shkruan një letër të përbashkët më 27 prill Komisionerit të Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton të Francës, dhe nënkryetarit grek të Komisionit Europian, Margaritis Schinas, duke kërkuar miratimin e protokolleve mjekësore dhe operacionale në të gjithë BE-në.
Por ndërsa Breton bërë thirrje për rreth 20 për qind të fondit të BE-së për rimëkëmbjen për të ndihmuar në mbështetjen e sektorit europian të turizmit, Alexakis paralajmëroi se koha po mbaron dhe paqartësitë operative dhe shqetësimet ligjore mund të pengojnë shumë biznese në industri të hapin dyert e tyre.
Mungesa e një plani të gjerë në BE, tha ai, “mund të çojë në marrëveshje bilaterale midis qarqeve që rregullojnë mënyrën se si do të funksionojë sistemi”.
Një zëdhënës i ministrisë greke të turizmit tha se po punohej për një sistem udhëtimi.
“Së shpejti autoritetet kompetente greke do të shpallin rregullat sipas të cilave njerëzit do të jenë në gjendje të vijnë dhe çfarë ndodh nëse dikush sëmuret gjatë kohës që është në Greqi”, tha zyrtari për BIRN. “Protokollet mjekësore për të mundësuar turizmin janë shumë të rëndësishme dhe kjo duhet të pasohet nga mbështetja për bizneset dhe punëtorët.”
Gjeografia i jep Kroacisë një avantazh ndaj Greqisë
Me rreth 2,119 raste të konfirmuara me COVID-19 në Kroaci deri më 6 maj, vendi ka vendosur të hap dyert e tij për turistët në qershor.
Kresiç tha se çdo rihapje nuk do ta shpëtonte sezonin, por vetëm “një pjesë të sezonit”. Më shumë se 20 milionë turistë vizituan Kroacinë në vitin 2019.
Ai tha se kishte dyshime përsa i takon një marrëveshjeje të gjerë të BE-së duke pasur parasysh dallimet e mëdha midis vendeve anëtare përsa i takon përhapjes së COVID-19. “Unë mendoj se kjo do të varet më shumë nga disa marrëveshje bilaterale midis dy vendeve”, tha ai.
Cappelli, ministri i turizmit, po të njëjtën gjë të martën kur foli për televizionin publik HRT: “Ne jemi të vetëdijshëm se disa si ne, Sllovenia, Austria, për shembull, janë në një situatë më të mirë epidemiologjike dhe është logjike që mund të organizojmë një hapje më te hershme me këto vende.”
Duke pasur parasysh vendndodhjen e saj në Adriatikun verior, në distancë relativisht të vogël nga pjesa tjetër e Europës qendrore dhe lindore, Kresiç tha se Kroacia ka avantazhin e të qenit “një destinacion ku mund të shkohet me makinë”.
Në anën tjetër të gadishullit Ballkanik, Greqia ka qenë tradicionalisht më shumë e varur nga turistët që mbërrijnë me avion, por udhëtimet ajrore janë goditur shumë nga pandemia dhe pritet që të duhen vite për ta marrë veten. Greqia veriore ende mund të mbështetet nga turistët që vijnë me makinë nga vende si Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, Serbia, Hungaria, Rumania, Mali i Zi dhe nga edhe Kroacia.
“Njerëzit janë mjaft të traumatizuar nga kjo përvojë, nga ky izolim dy-mujor dhe sigurisht që do të shmangin udhëtimet e gjata jashtë shtetit”, tha Kresiç. “Në fakt, ata do të shmangin të gjitha udhëtimet që përfshijnë udhëtimin ajror.”
Në Greqi, presidenti i Aegean Airlines Eftichios Vassilakis tha në një samit sipërmarrësish më 5 maj se fitimet kishin rënë aq shumë, saqë ishte njësoj sikur linja ajrore të ishte mbyllur fare.
“Ndërsa sektorët e tjerë kanë filluar të ecin drejt normalitetit, nuk mund të themi të njëjtën gjë për ne”, tha ai. “Për ne, që të rikthehemi në nivelet që kishim më parë si sektor, mund të na duhen dy deri në tre vjet.”
Sipas Kresiç, në Kroaci vetëm qyteti i vjetër i Dubrovnikut, në jug të vendit, përballet me një shqetësim të ngjashëm duke pasur parasysh që shumica e vizitorëve tradicionalisht mbërrijnë aty me avion.
Në përgjithësi, tha ai, ato lloje akomodimi që mund të garantojnë distancim social të mjaftueshëm – siç janë shtëpitë e pushimit në zonat rurale ose kampingjet – do të jenë më të përshtatura për t’u rikthyer në to. Turizmi detar gjithashtu mund të përfitojë, por hotelet rrezikojnë perspektivën e vështirësive financiare afatgjata nëse nuk janë në gjendje të operojnë me kapacitet të plotë.
Derisa të gjendet një vaksinë, nuk do të ketë “turizëm të vërtetë”, tha Kresiç për BIRN. Kjo mund të zgjasë ende 12-18 muaj, sipas shumicës së vlerësimeve.
“Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të rrimë duarkryq derisa të zbulohet vaksina”, tha ai. “Ne duhet të përpiqemi të organizojmë ofertën turistike sa më shumë që të jetë e mundur.”