AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Rajoni

Kriminelët e luftës përgatiten të kandidojnë në zgjedhjet në Serbi

Milica StojanovicngaMilica Stojanovic
6 years më parë
në Rajoni
Koha e leximit: 9 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Shesheli gjatë një tubimi pas lirimit të tij nga Haga. Foto: BETA.

Dy kriminelë të dënuar lufte shpresojnë të zgjidhen si deputetë në zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Serbi, ndërsa disa persona të tjerë që kërkohen nga gjykata e Kombeve të Bashkuara ose janë akuzuar për shkelje gjatë kohës së luftës,  po kandidojnë në parlament.

Vojisllav Shesheli. Foto: Profili i tij zyrtar/Facebook

“Unë mendoj se ajo që dua të fus në axhendë ka të bëjë me çdo serb dhe nuk kam asnjë problem të bashkëpunoj me këdo që është në parlament i cili dëshiron të përfshihet në mbrojtjen e serbëve të persekutuar”, tha për TV Pink të Serbisë më 17 maj deputeti i ardhshëm Dragan Vasiljkoviç.

Vasiljkoviç është i njohur në të gjithë Ballkanin si “Kapiten Dragani”, një kriminel lufte i cili u kthye në Serbi vetëm më 28 mars të këtij viti pasi vuajti një dënim me burg në Kroaci për krimet që ai kreu atje në 1991.

Tani ai po përpiqet të mbledhë firmat për mbështetjen që i nevojitet për t’u bërë kandidat në zgjedhjet parlamentare të ardhshme të Serbisë më 21 qershor. Nëse ia del mbanë, do të jenë dy kriminelë lufte që kandidojnë për t’u bërë deputet.

Vasiljkoviç ende nuk ka ende një program zyrtar politik, por ka thënë se nëse zgjidhet, ai do t’i vinte në mbrojtje “serbëve të persekutuar” në Kroaci, Kosovë dhe Mal të Zi.

Ai ka thënë gjithashtu se favorizon lirimin e parakohshëm nga burgu të Milorad “Legija” Ulemek dhe Zvezdan Jovanoviç, të cilët po vuajnë dënimet për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Djindjiç në vitin 2003. Ai tha se ata duhet të lirohen sepse “ata janë heronj” të cilët luftuan në emër të serbëve.

Krimineli tjetër i luftës që ka njoftuar kandidaturën e tij është lideri ultranacionalist i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli, i cili u dënua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për kryerjen e krimeve të luftës kundër kroatëve në vendin e tij në vitin 1992.

Politikani veteran Sheshel ka qenë tashmë deputet në parlamentin e fundit të Serbisë – edhe pse dënimi i tij duhet ta kishte skualifikuar atë ky post në parlament – dhe tani po kandidon përsëri.

Jovana Kolariç, një studiuese në Fondin për të Drejtën Humanitare, një OJQ me qendër në Beograd që merret me krimet e luftës në ish-Jugosllavi, tha se ekziston një kontradiktë midis retorikës së qeverisë serbe në lidhje me përqendrimin te e ardhmja dhe praktikën e saj të lavdërimit të njerëzve që kryen krime lufte në të kaluarën.

“”Me sytë nga e ardhmja”, Serbia shtyp dhe promovon libra nga njerëz të dënuar për krime lufte, citon përvojat e tyre të kohës së luftës si shembull dhe i nderon ata në mënyra të ndryshme”, tha Kolariç.

Vitin e kaluar, Ministria Serbe e Mbrojtjes organizoi një event për të promovuar një libër që mohon që forcat serbe të Bosnjës ishin përgjegjëse për masakrën e 71 personave në Tuzla në Bosnje në vitin 1995, dhe një tjetër event për të promovuar një libër të ish-gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave Nebojsa Pavkoviç, i cili aktualisht po vuan dënimin me burg për krime lufte në Kosovë.

“Vendimet për krimet e luftës në fakt nuk kanë rëndësi”

Dragan Vasiljkoviç, i njohur ndryshe si Kapiten Dragani.

Dragan Vasiljkoviç u gjet fajtor për kryerjen e krimeve të luftës në qershor dhe korrik 1991 në kalanë në Knin në Kroacinë lindore, ku policë dhe ushtarë të burgosur u abuzuan, si dhe gjatë një sulmi në një stacion policie në qytetin e Glinës dhe fshatrat përreth në korrik 1991, e cila rezultoi në vrasjen e një civili dhe një gazetari.

Vasiljkoviç kishte emigruar në Australi kur ishte 14 vjeç, por ishte kthyer në Jugosllavi para shpërthimit të luftës në Kroaci. Ai u dërgua në Kroacinë lindore, në territorin e kontrolluar nga serbët rebelë të Kroacisë për t’u bërë komandant i një qendre stërvitore për një njësi speciale paraushtarake serbe.

Ai u bë aq i njohur saqë u bë pjesë edhe e një komedie që bënte propagandë për luftën të titulluar “Knindze” (një bashkim i emrit Knin dhe ninxha) dhe më pas kandidoi në zgjedhjet presidenciale të Serbisë në vitin 1992, kur, sipas gazteës Vreme, ai mori 28,010 vota.

Por Kolariç tha që ajo beson se ai nuk mund të bëhet “një faktor i rëndësishëm politik jashtë një koalicioni me partitë në pushtet”.

Ajo sugjeroi gjithashtu se ai të mund të shihej si një përgjegjësi politike sepse roli i tij gjatë kohës së luftës ka të ngjarë të përmendet në vendimin e ardhshëm të Gjykatës së Hagës në gjykimin e ish-shefave të shërbimit të sigurimit serb Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç, “që unë besoj se është diçka që askush nuk dëshiron të tërheqë shumë vëmendje në këtë moment”.

Shesheli, i cili ka qenë një figurë e rëndësishme politike e krahut të djathtë që nga fillimi i viteve 1990, fitoi një vend në parlament përsëri në vitin 2016, pasi gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë e liroi atë nga paraburgimi gjatë gjyqit të tij dhe e lejoi atë të kthehej në Serbi për t’u kuruar nga kanceri.

Në prill të vitit 2018, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare e dënoi Sheshlin në mungesë me dhjetë vjet burg për nxitje të krimeve me fjalimet nacionaliste që ai mbajti në fshatin Hrtkovci të Serbisë në 1992. Megjithatë, për shkak të viteve që ai kishte kaluar tashmë në paraburgim, ai nuk kishte pse të kryente asnjë vit burg.

Sipas ligjit serb, nëse një deputet dënohet me më shumë se gjashtë muaj burg, mandati i tij duhet të përfundojë. Por Asambleja Serbe nuk e zbatoi kurrë këtë ligj për Sheshelin.

Kolariç argumentoi se duke mos e ndërprerë mandatin e Sheshelit, “neve na është dërguar një mesazh i qartë se ai është i privilegjuar në këtë shoqëri dhe se vendimet për krime lufte nuk kanë rëndësi, asgjë që meriton vëmendje”.

Të qenit deputet i ka dhënë Sheshelit “një arenë publike për relativizimin dhe mohimin e krimeve të luftës, sidomos të gjenocidit në Srebrenicë”, tha Kolariç.

Partia e tij Radikale Serbe është pjesë e koalicionit qeverisës lokal në komunën Stari Grad të Beogradit, gjë e cila i mundësoi asaj përdorimin e sallës së komunës në shkurt të këtij viti për të promovuar librin e Sheshelit që mohonte se masakrat e Srebrenicës ishin gjenocid.

Akuzat lënë në hije ultranacionalistët

Postera në Beograd me sloganin “Shesheli po vjen”. Foto arkiv: BIRN

Dy kandidatë të tjerë të Partisë Radikale Serbe kërkohen nga gjykata e KB në Hagë, ndërsa një kandidat i tretë ka qenë i lidhur me akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Ligjvënësit e Partisë Radikale Serbe Vjerica Radeta dhe Petar Jojiç janë akuzuar nga Gjykata e Hagës për shpërfillje të gjykatës gjatë gjyqit të Sheshelit. Ata akuzohen për kërcënim, shantazh dhe dhënie ryshfet të dëshmitarëve që ose të ndryshonin dëshmitë e tyre ose të mos dëshmonin fare.

Gjykata fillimisht nxori një urdhër për arrestimin e tyre në janar 2015, por një vit më vonë, Gjykata e Lartë e Beogradit vendosi që nuk kishte baza ligjore për ekstradimin e tyre në Hagë. Gjykata që atëherë ka hedhur poshtë kërkesën e Serbisë që të dy politikanët ultranacionalistë të gjykohen në Beograd.

Një tjetër deputet i Partisë Radikale Serbe që po kandidon për një mandat të ri në parlament është Bozidar Deliç, një gjeneral në pension i Ushtrisë Jugosllave i cili ishte komandant i Brigadës së 549-të të Motorizuar gjatë luftës në Kosovë. Në vitin 2013, Fondi për të Drejtën Humanitare publikoi një dosje në lidhje me sulmet ndaj tetë fshatrave të Kosovës nga Brigada e 549-të e Motorizuar në mars dhe prill 1999 ku mbetën të vdekur gjithsej 885 njerëz.

Zyra e prokurorit serb për krime lufte tha për BIRN në vitin 2013 se Deliç ka qenë në hetim më shumë se një herë, edhe pse ai ka mohuar të ketë kryer krime lufte dhe nuk është akuzuar kurrë.

Kandidatët nën dyshim

Në dhjetor të vitit të kaluar, Aleksandar Sapiç, i cili dikur ishte një lojtar i famshëm i vaterpolos, por tani drejton Aleancën Patriotike Serbe dhe është kreu i komunës së Beogradit të Ri, tha në një konferencë për shtyp se kush do të ishte në listën e organizatës së tij për zgjedhjet e ardhshme.

Sapic tha se “secili prej këtyre njerëzve që ndodhet pas meje ka një karrierë politike dhe një pozitë në shoqëri që ai e meriton falë punës së tij të kaluar”.

Njëri prej tyre ishte Svetozar Andriç, i cili aktualisht është zëvendës i Sapiçit në komunën e Beogradit të Ri. Gjatë luftës në Bosnjë, Andriç ishte komandant i Brigadës së Biracit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe më vonë u bë shefi i shtabit të Korpusit të Drinës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

Në vitin 2018, Fondi për të Drejtën Humanitare ngriti një padi penale duke akuzuar Andriçin për krime lufte. I padituri pretendoi se ai “urdhëroi dëbimin” e popullatës boshnjake nga qyteti i Zvornikut” më 28 maj 1992.

“Disa ditë më vonë, më 31 maj 1992, Andriç dha një urdhër për krijimin e kampit të Susicës në Vlasenica. Kampi ekzistoi deri më 30 shtator 1992, dhe gjatë asaj periudhe, të ndaluarit mbaheshin në kushte çnjerëzore. Ata flinin në beton, hanin një vakt në ditë dhe nuk gëzonin kushtet higjienike bazë. Shumica rriheshin çdo ditë, ndërsa gratë që u mbajtën në burg u përdhunuan. Rreth 160 të ndaluar u vranë”, tha Fondi për të Drejtën Humanitare në një deklaratë.

“Gjithashtu, në maj dhe qershor 1992, brigada e komanduar nga Svetozar Andriç persekutoi boshnjakët nga më shumë se 20 fshatra në komunën e Vlasenicës. Në mars të vitit të ardhshëm, anëtarët e brigadës ku Andriç ishte komandant dogjën fshatin Gobelje në komunën e Vlasenicës”, vazhdonte deklarata.

Kolariç tha se prokuroria serbe e krimeve të luftës nuk i është përgjigjur Fondit për të Drejtën Humanitare “kështu që nuk mund të dimë se çfarë veprimesh u morën në trajtimin e këtij kallëzimi penal”.

BIRN kontaktoi Andriçin për një koment, por ai nuk u përgjigj deri në kohën e publikimit.

Një tjetër kandidat i mundshëm që ka qenë subjekt i akuzave për sjelljen e tij gjatë kohës së luftës është Momir Stojanoviç, drejtuesi i organizatës Iskreno za Nis (Sinqerisht për Nishin) në qytetin e tretë më të madh të Serbisë, Nish. Ai shpreson të kandidojë si pjesë e aleancës Narodni Bllok (Blloku i Popullit).

Stojanoviç ishte komandant i sigurisë ushtarake të Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës në Kosovë. Ai ka qenë deputet më parë, me Partinë Progresive Serbe në pushtet nga viti 2012 deri në vitin 2016, dhe ishte shef i bordit parlamentar për kontrollin e shërbimeve të sigurisë.

Interpol lëshoi një “njoftim të kuq” në vitin 2015 duke i bërë thirrje shteteve në mbarë botën që të arrestojnë atë dhe 16 të tjerë që EULEX në Kosovë dyshonte se mbanin përgjegjësi për krimet e kryera në fshatrat Mejë dhe Korenicë në prill 1999.

Gjatë gjyqit në Hagë të krerëve politikë, ushtarakë dhe policorë serbë për krime lufte në Kosovë, një dëshmitar përmendi Stojanoviçin si një nga njerëzit që morën pjesë në planifikimin e dhunës në Mejë dhe Korenicë. Stojanoviç ishte gjithashtu dëshmitar në gjykim dhe ai mohoi çdo keqbërje.

Prokuroria serbe e krimeve të luftës tha për BIRN se kishte hetuar Stojanoviçin dhe të tjerët në lidhje me këto krime, por e kishte ndërprerë hetimin për shkak të mungesës së provave.

Ashtu si Kapiteni Dragan, aleanca e Narodni Blok aktualisht po mbledh nënshkrime që Stojanoviç shpreson se do t’i lejojnë atij të kandidojë për në parlament. Programi politik i aleancës është i lidhur me populizëm dhe kundërshton anëtarësimin në NATO, lejimin e emigrantëve në Serbi, shitjen e infrastrukturës jetike për të huajt dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Prania e vazhdueshme në skenën politike e kriminelëve të luftës në Serbi dhe përkrahësit e tyre në detyrë u kritikua në raportin e Komisionit Europian vitin e kaluar mbi progresin e Serbisë drejt qëllimit të saj të anëtarësimit në BE.

“Ka pasur disa raste në të cilat autoritetet shtetërore kanë siguruar hapësirë ​​publike dhe kanë marrë pjesë në promovimin e veprimtarive të kriminelëve të luftës të dënuar nga ICTY. Kjo nuk po krijon një mjedis të favorshëm për gjykimin e paanshëm dhe efektiv të çështjeve të krimeve të luftës”, tha raporti.

Komisioni Europian gjithashtu vuri në dukje se zyrtarët e lartë serbë kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur gjykimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, dhe tha se vendi duhet të bëjë ende më shumë për të “kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”. Zgjedhja e kriminelëve të luftës në parlament nuk ka të ngjarë ta arrijë atë qëllim.

Etiketa: BEBeogradBIRNBosnjeBurgdëshmitarëDhunëEULEXFacebookgjenocidGjykataGjykatësgjykimheronjish-JugosllaviKomisioni EuropianKosovëKrimekrime luftekriminel lufteKroaciLIBLigjLufteMjedisNATOpadiParaparaburgimparlamentProkuroriaRaportiryshfetSerbiSerbiaSheshelishtatorVojisllav ShesheliVotaZgjedhjet
Tjetri
Shtetet e Bashkuara duhet të flasin rreth Kinës

E ardhmja e fuqisë globale

bg 2022 1

Kriza në Bibliotekën “Vaclav Havel” vë në pikëpyetje trashëgiminë e një ikone çeke

14:04 | 24/06/2026
protesta 20 qershor

Retorika e Ramës kundër shqiptarëve të rajonit kritikohet si përçarëse

08:35 | 24/06/2026
gjykata

Strasburgu i jep të drejtë prokurorit Ferdinand Elezi

17:24 | 23/06/2026
revolucioni i flamingove slogani dhe simboli i protestave masive ne tirane. foto nensi bogdani

Mosbesimi dhe teoritë e komplotit janë litari që na la jashtë komunizmi

17:19 | 23/06/2026
gentjan osmani duke dale nga kpk

Strasburgu i hap rrugën prokurorit Gentjan Osmani të kthehet në detyrë

14:08 | 23/06/2026
gozi pde

Demokratët Europianë: Rama s’mund të shpërfillë kërkesat për llogaridhënie

11:37 | 23/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.