Autoritetet njoftuan 42 raste të reja të mërkurën pas 35 rasteve të regjistruara të martën, ndërkohë që ka pësuar rritje numri i pacientëve nën trajtim spitalor.
Shqipëria përjetoi ditën më të keqe sa i përket numrit të rasteve të reja të identifikuara me koronavirusin e ri ndërkohë që Instituti i Shëndetetit Publik duket se ka rritur edhe numrin e testimeve ditore të kryera. Përgjatë vetëm dy ditëve, të martën dhe të mërkurën, rastet me COVID-19 ishin 77 ndërsa harta e zonave të prekura ishte e gjerë, nga Tirana në Shkodër, Durrës, Pukë, Berat e në Urën Vajgurore.
Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik deklaroi në buletinin e përditshëm se rastet e identifikuara të mërkurën ishin si kontakte të rasteve të mëparshme, ashtu edhe raste të reja aktualisht në hetim.
Dervishi deklaroi gjithashtu se numri i të shtruarve në spital është rritur aktualisht në 46, nga të cilët, 8 janë në terapi intensive.
Deri më sot në Shqipëri ka pasur 1341 raste me COVID-19 nga të cilët, 980 persona janë shëruar ndërsa 327 janë aktualisht në trajtim mjekësor.
Shqipëria u rihap për biznes gjatë javëve të fundit dhe jeta po i rikthehet gradualisht normalitetit. Por rritja e numrit të infektimeve ka ngritur pikëpyetje nëse vendi do të jetë në gjendje të rikthehet në regjim mbylljeje.