Partia Demokratike në opozitë sfidoi kryeministrin Edi Rama me një kundërpropozim ndaj kërkesës së tij për eliminimin e koalicioneve parazgjedhore dhe listave të hapura pjesërisht, duke kërkuar vijimin e koalicioneve dhe hapjen e listave 100%. Rama refuzoi kundërofertën por la mundësinë e hapur për bisedime të mëtejshme.
Palët politike kryesore në Shqipëri dhanë shenja të qarta afrimi për një kompromis të ri politik, i cili mund të sjellë ndryshime të konsiderueshme në sistemin zgjedhor të vendit, përfshirë zhbërjen e sistemit aktual elektoral që ka funksionuar në tre zgjedhjet e fundit parlamentare dhe është kritikuar gjerësisht si një sistem që krijoi kryetarë partish të plotfuqishëm dhe parlamente të dobëta e jopërfaqësuese.
Pasi kritikoi përgjatë të gjithë javës së kaluar nismën e kryeministrit Edi Rama për ndryshime kushtetuese si masa që synonin t’i jepnin Ramës një avantazh në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Demokratike në opozitë doli mbrëmjen e së premtes me një kundërpropozim.
Rama deklaroi dy javë më parë se ai dëshiron që koalicionet parazgjedhore të eliminohen si mundësi në zgjedhjet e ardhshme dhe që shqiptarët të kenë mundësinë të japin një “votë pëlqyese” për një pjesë të deputetëve. Varianti i mbështetur nga shumica parlamentare është që listat të hapen në dy të tretat e fundit të tyre ndërsa partitë të ruajnë privilegjin e përcaktimit të rradhës në një të tretën e listave. PD kundërpropozoi të premten që listat të hapen 100% me kushtin që koalicionet parazgjedhore të mos eliminohen.
Oerd Bylykbashi nga PD deklaroi: “Nëse do të shkohet drejt hapjes së listave, listat duhet të hapen 100%, jo pjesërisht, me kusht që formula aktuale kushtetuese dhe ligjore e koalicioneve dhe formula për ndarjen e mandateve brenda koalicioneve të mos ndryshojë.”
Tre partitë kryesore politike në Shqipëri, PS, PD dhe LSI, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë respektivisht 48, 29 dhe 14% të votave, janë duke u pozicionuar për betejën zgjedhore të vitit 2021 ku LSI dhe PD kanë dhënë shenja për një koalicion opozitar kundër Ramës. Ky i fundit kërkoi heqjen e koalicioneve parazgjedhore si një mjet për të dobësuar dy kundërshtarët e vet por njëkohësisht mbështeti “hapjen e pjesshme të listave” diçka që shumë shqiptarë e kanë kërkuar që prej një dekade.
“Edi Rama, dashurinë e tij të re për listat e hapura e ka vetëm një alibi për të hequr koalicionet zgjedhore,” deklaroi Bylykbashi kur hodhi kundërpropozimin për lejimin e koalicioneve dhe hapjen e listave 100%.
Rama refuzoi menjëherë kundërofertën e Bylykbashit në një status në Tëitter ndërsa premtoi se bisedimet do të vijojnë. “Si e sa do të hapen listat nga jo më pak se 75% në 100% kjo i takon diskutimeve pas 30 korrikut,” deklaroi Rama, duke treguar edhe një farë dobësie në arithmetikë sepse varianti i votuar nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve flet për hapjen e listave në dy të tretat ose 66.6% dhe jo në tre të katërtat apo 75%.
Të dyja palët nuk janë prononcuar në lidhje me propozimin e tretë në diskutim, atë të pragut kombëtar në masën 5%, i cili duket se pëlqehet si nga PS ashtu edhe nga PD. Të dyja këto parti kanë realizuar përgjatë dy dekadave të fundit disa marrëveshje që kanë synuar të eliminojnë nga skena politike partitë e vogla apo politikanët e pavarur.
Aktualisht një koalicion parazgjedhor mundet të garojë në zgjedhje dhe në këtë rast, votat e partive të vogla që nuk mjaftojnë për të zgjedhur një deputet, përdoren për të rritur numrin e mandateve të partive të mëdha ndërsa disa parti të vogla, nëse arrijnë të marrin një numër të caktuar votash, fitojnë mandat deputeti falë votave të koalicionit ku bëjnë pjesë.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur dëshirën për një garë pa koalicione pasi në zgjedhjet e kaluara doli nga koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe garoi e vetme. Ai ka kërcënuar kundërshtarët politikë se do të miratojë këto ndryshime me votat e opozitës parlamentare pavarësisht se çfarë pranojnë PD dhe LSI ndërsa gjendet nën presion nga ndërkombëtarët për të bërë ndryshime të tilla vetëm pas konsultimeve të gjera dhe me konsensus sa më të gjerë.
Afati final për ndryshime të tilla kushtetuese është data 30 korrik ose e enjtja e ardhshme.