Mbyllja kombëtare e muajve mars, prill e maj si dhe pasiguria ekonomike ka shtyrë një pjesë të madhe të shqiptarëve të kursejnë, duke rritur sasinë e depozitave në banka për herë të parë në shumë vite.
Depozitat dhe kreditë në Shqipëri kanë njohur një rritje anemike gjatë viteve të fundit, me normë rritjeje 1 apo 2% në vit. Ritmi mesatar vjetor i rritjes së kredive për vitet 2016-2019 ishte 1.4% ndërsa i depozitave, vetëm 1%. Por përgjatë periudhës së pandemisë, situata duket se po “përmirësohet”, së paku nëse i sheh treguesit e ecurisë së kredive dhe depozitave të ndara nga pjesa tjetër e ekonomisë.
Depozitat e familjeve dhe kompanive në sistemin bankar në fund të muajit gusht ishin 1.24 trilionë lekë, me një rritje prej 76 miliardë lekëve në krahasim me gushtin e një viti më parë. Me një normë rritjeje prej 6.5%, në rast se nuk do të ketë ndryshim tendence në muajt e mbetur të vitit, 2020 ka gjasa do të jetë viti me rritjen më të lartë të kursimeve në gati një dekadë.
E njëjta gjë duket se po ndodh me kreditë. Në muajin gusht, stoku i kredive të dhëna nga bankat arriti në 592 miliardë lekë, me një rritje prej 4.1% në terma vjetorë. Stoku i kredive ka njohur një rënie të lehtë në vitet 2019 e 2018 si dhe një rritje minimale në dy vitet e mëparshme, duke sugjeruar se gjendja e përgjithshme e ekonomisë së vendit përgjatë këtyre viteve ka qenë stanjacion.
Rritja e stokut të depozitave në banka duket se lidhet me mbylljen e shumicës së bizneseve të vendit për afro tre muaj dhe pamundësisë fizike të shqiptarëve për të shpenzuar paratë e tyre, ndërsa rritja e pazakontë e portofolit të kredive duket se lidhet me vendimin e bankave dhe të bankës qendrore për të riskeduluar kreditë e shqiptarëve të vënë në vështirësi nga humbja e të ardhurave të shkaktuara nga pandemia. Kjo nuk do të thotë se shqiptarët po marrin më shumë kredi gjatë pandemisë por që kredia ekzistuese nuk është shlyer dhe shlyerja e saj është shtyrë për më vonë.
Ekonomia shqiptare pësoi një rënie 10% në tremujorin e dytë të këtij viti, pas rënies 2.5% në tremujorin e parë.