Dhjetëra njerëz që kandidojnë për deputet në Bullgari dikur kanë punuar për Agjencinë e Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së komunizmit.

Ata nuk u larguan kurrë.
Të paktën, kjo është ajo që do të kenë menduar shumë bullgarë kur u njoftua se 87 persona që garojnë për një post parlament në Bullgari më 4 prill dikur kishin pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit të vendit, gjashtë më shumë se në zgjedhjet e fundit në vitin 2017.
Të dhënat u publikuan më 23 mars nga një komitet i krijuar nga parlamenti në vitin 2006 dhe i ngarkuar për të zbuluar bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, i njohur zakonisht si Komisioni për Dosjet, ose ComDos.
Që dhjetëra ish-agjentë dhe ish-bashkëpunëtorë po kandidojnë për asamblenë kombëtare të Bullgarisë është simbol i një procesi lustracioni që nuk qe kurrë i plotë dhe ngre pyetje të reja në lidhje me skrupujt e politikanëve oportunistë që dikur ishin komunistë konservatorë, por që tani kandidojnë për parti nga i gjithë spektri politik, përfshirë të djathtën ekstreme.
Pesëmbëdhjetë nga 87 janë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste Bullgare të opozitës, ndërkohë që ka përfaqësues në të gjitha partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë që garojnë në votime.
Aleanca e opozitës Bullgaria Demokratike, e cila po garon për herë të parë, është një nga të paktat parti që nuk ka në listat e saj një ish-agjent apo ish-bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, megjithëse të Gjelbrit e e kanë një ish-informator.
“Ndikimi politik që ish-agjentët e Sigurimit të Shtetit kanë ndërtuar në Bullgari nga fillimi i viteve ‘90 deri në ditët e sotme, është gjithmonë i lidhur me pushtetin dhe paratë”, tha Hristo Hristov, një gazetar dhe shkrimtar i cili ka shkruar gjerësisht për shtypjen e epokës komuniste dhe aktivitetet të Sigurimit të Shtetit.
“Ky ka qenë gjithmonë motivi kryesor”, tha ai për BIRN. “Kjo gjithashtu shpjegon pse ka figura të tilla edhe në partitë e sapo formuara si “Stand up.BG” dhe “Ima takav narod”.
Shtypje në vend, vrasje jashtë tij

Për dekada me radhë, Sigurimi i Shtetit i Bullgarisë ishte përgjegjës për pjesën më të madhe të punës së ndyrë të autoriteteve komuniste – shtypje, torturë, kundërzbulim dhe mbikëqyrje, mbajtja e dosjeve për bullgarët jashtë vendit dhe pakicat etnike në vend.
Në kujtesën publike, agjencia është e lidhur me histori të njerëzve që ndaloheshin se simpatizonin kulturën perëndimore, se kryenin ndonjë krim të vogël ose se thjesht talleshin me pushtetin.
Jashtë vendit, Sigurimi njihet më së shumti për vrasjen e pazgjidhur të shkrimtarit disident bullgar Georgi Markov me një çadër me majë të helmuar në Londër në 1978, si dhe për dëbimin e turqve të Bullgarisë në vitin 1989, tani i njohur si një akt spastrimi etnik.
I riemërtuar Sigurimi Kombëtar pas rënies së komunizmit, agjencia dhe ish anëtarët e saj kanë qenë subjekt i një vargu hetimesh në rrjetet politike dhe të biznesit që ata gdhendën në vitet 1990 dhe për lidhjet e pretenduara se kanë krijuar me botën e krimit.
Ai mbetet një çështje debati në shoqërinë bullgare, duke u futur në arte në formën e filmave dhe librave – nga dokumentari fitues i disa çmimeve i Bojina Panajotova i vitit 2018 “Je vois rouge” dhe romani i vitit 2015 i Iliya Troyanov, “Macht und Widerstand”.
ComDos ka tronditur në mënyrë të përsëritur duke përmendur një numër figurash të profilit të lartë si ish-agjentë ose ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, mes tyre presidentin bullgar me dy mandate Georgi Parvanov, ish-kryeministrin Zhan Videnov, politikanin Ahmed Dogan, të ndjerin e mafias Lyuben Gotsev dhe një sërë figurash të njohura në fusha të ndryshe.
Në vitin 2010, ComDos zbuloi se 218 nga 462 diplomatë bullgarë kanë një lidhje të kaluar me shërbimin e inteligjencës dhe se nga të gjitha institucionet shtetërore, Ministria e Jashtme ka deri më tani numrin më të lartë të njerëzve të tillë brenda radhëve të saj.
Ish-agjent krenar “që i shërbeu vendit”
Zgjedhjet e 4 prillit do të jenë një provë e rëndësishme për koalicionin qeverisës të udhëhequr nga partia GERB e kryeministrit Boyko Borissov, i cili është përballur me kritika të rënda dhe një periudhë të gjatë protestash publike vitin e kaluar për korrupsion, tkurrje të lirive të medias dhe ato që kritikët e tij thonë se janë politika populiste që bllokojnë progresin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian në një debat që ka lidhje me historinë dhe identitetin.
Vetëm një nga 87 ish-agjentët dhe ish-bashkëpunëtorët e identifikuar nga ComDos është në listën zgjedhore të GERB, por partia mbetet e lidhur ngushtë me të kaluarën komuniste të Bullgarisë, jo më shumë falë faktit që Borissov dikur ishte truprojë e liderit komunist Todor Zhivkov.
Ministri i mbrojtjes i Borissov, lideri nacionalist i IMRO Krassimir Karakachanov, ishte një informator, ndërsa të gjitha partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë kanë kandidatë për deputetë që kanë lidhje me mjetin kryesor të shtypjes të regjimit komunist.
Ndërsa zbulimi i ComDos bëri bujë në mediat bullgare, partitë politike qëndruan kryesisht të qeta.
Prokurori Valentin Valkov dha dorëheqjen nga Republikanët për Bullgarinë, e themeluar së fundmi nga ish-anëtarë të pakënaqur të GERB, pasi ai u përmend midis këtyre 87 emrave, duke thënë se nuk dëshironte që lajmet të njollosnin fushatën e partisë.
Një parti tjetër e re, Stand up.BG, kishte dy emra në listën e publikuar nga ComDos.
“Ne bëmë çmos që të mos pranonim anëtarë me një sfond të tillë në listat tona; të gjithë nënshkruan një deklaratë duke deklaruar se nuk kishin qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit”, shkroi themeluesi i partisë Nikolay Hadjigenov në një ndjesë të postuar në Facebook më 26 mars.
“Disa prej nesh ofruan madje dokumente nga Komisioni për Dosjet që vërtetojnë se nuk kemi asgjë në emrin tonë”, tha ai. “Por duket se përpjekjet tona nuk ishin të mjaftueshme.”
Hristov tha se sipas studimit të tij për desebg.com, më shumë se gjysma e dosjeve të mbajtura nga Sigurimi i Shtetit u shkatërruan në ose rreth vitit 1989, që do të thotë se shkalla e vërtetë e infiltrimit të agjencisë në shoqërinë bullgare është e vështirë të kuptohet.
Ai tha se nuk ishte për t'u habitur që Partia Socialiste Bullgare numëronte kaq shumë ish-agjentë dhe ish-bashkëpunëtorë midis radhëve të saj, duke thënë se partia “nuk ishte distancuar kurrë nga e kaluara e saj komuniste”.
“Kjo vlen edhe për të gjitha partitë pro-Rusisë”, tha ai për BIRN, duke përmendur shembullin e Nikolay Malinov, kreu i OJQ-së Lëvizja Kombëtare Rusofile dhe një anëtar i partisë pro-ruse Zgjimi i Atdheut.
Më 27 mars, Malinov bëri një deklaratë duke thënë se ishte krenar për të kaluarën e tij si agjent i Sigurimit të Shtetit. “T'i shërbeje sigurimit do të thoshte t'i shërbeje kombit”, tha ai. Malinov u akuzua në vitin 2019 për spiunim për Rusinë dhe pastrim parash. Çështja kundër tij është ende në vazhdim.
Në mars gjashtë persona u ndaluan se i kaluan informacione të klasifikuara Rusisë, mes tyre ishte edhe 74-vjeçari Ivan Iliev, një ish shef i Inteligjencës Ushtarake në Bullgari dhe një i diplomuar i Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Bashkimit Sovjetik, ku të gjithë agjentët e Sigurimit të Shtetit dërgoheshin gjatë sundimit komunist.