
Pas 16 vjetësh me Angela Merkel si kancelare, gjermanët e kanë të vështirë të imagjinojnë një qeveri të udhëhequr nga dikush tjetër. Por dy humbje për Bashkimin Kristian Demokrat të Merkel ngrenë perspektivën e një epoke të re në politikën gjermane, kur më në fund do të duhet të merren vendime me rreziqe të larta.

Mbretërimi 16-vjeçar i Angela Merkel si kancelare gjermane po mbaron. Pavarësisht nga ndjenjat që dikush ka për të, ajo ka lënë vulën e saj në një epokë të tërë. Por epokat politike rrallë përfundojnë në heshtje, dhe lamtumira e gjatë e “Mutti-t” nuk është përjashtim.
Politika elektorale gjermane më në fund ka filluar të nxehet. Dy zgjedhjet e para shtetërore të atij që do të jetë një super vit zgjedhor treguan mundësinë që zgjedhjet federale më 26 shtator mund të prodhojnë një koalicion të ri qeveritar pa Bashkimin Demokristian të Merkelit dhe partinë e saj simotër bavareze, Bashkimi Social Kristian.
Si në Baden-Vyrtemberg ashtu edhe në Rheinland-Pfalz, humbjet e mëdha për CDU-në përkuan me fitore po aq të mëdha për të Gjelbrit dhe një pjesë të qëndrueshme të votave për Demokratët e Lirë (FDP). Prandaj, tani po flitet për një koalicion të mundshëm “semafor” midis Social Demokratëve (të kuq), FDP (të verdhë) dhe të Gjelbërve. Papritmas, një ndryshim i qeverisë në Berlin duket si një mundësi reale.
Për më tepër, kritikat për mënyrën sesi u menaxhua pandemia nga ana e qeverisë Merkel – duke përfshirë një sasi marramendëse korrupsioni në prokurimin e maskave – janë shtuar gjithnjë e më shumë. Dhe tani për tani, vakuumi i pushtetit në krye të CDU/CSU mbetet i paplotësuar. Lideri mjaft bindës i CDU-së, Armin Laschet, po përballet me karizmatikun e CSU-së Markus Söder.
Kushdo që mbizotëron, CDU/CSU përballet me një betejë të ashpër, veçanërisht pas humbjeve kumbuese në dy shtete ku CDU ka kryesuar për dekada me radhë një çiflig pothuajse të trashëguar. Këto humbje dhe ngritja e qëndrueshme e të Gjelbërve, krijojnë një katastrofë të mundshme për CDU/CSU. Me kalimin e çdo dite, gjermanët po arrijnë të kuptojnë se kancelaria e Merkel me të vërtetë po mbaron. Largimi i saj do të jetë edhe më i dhimbshëm duke pasur parasysh vakuumin e pushtetit brenda kampit konservator.
Epoka e Merkel përkoi kryesisht me lulëzimin e globalizimit – domethënë, me hapjen e tregut masiv eksportues të Kinës. Brenda vendit, megjithatë, ajo u karakterizua nga rezistenca ndaj reformave dhe do të mbahet mend më shumë si një kohë bisedash sesa një kohë dinamizmi politik. Grupe të shumta pune, të mbushur me ekspertë të zakonshëm, u krijuan për të diskutuar tema si digjitalizimi. Por nga ato nuk doli kurrë ndonjë gjë.
Merrni parasysh politikën e klimës dhe energjisë. Megjithëse Gjermania e braktisi energjinë bërthamore pas katastrofës Fukushima 2011 në Japoni, Merkel kishte ndryshuar një vendim për të hequr dorë nga energjia bërthamore vetëm disa javë më parë. Edhe pse vendimi ishte megjithatë i guximshëm, asaj iu desh të kryente një kthesë totale për të ndihmuar partinë e saj në zgjedhjet shtetërore të Baden-Ëürttemberg. Por manovra dështoi. Që nga viti 2011, Baden-Ëürttemberg – një rajon kryesor gjerman i industrisë – është qeverisur nga një ministër-president i Gjelbër (Ëinfried Kretschmann).
Edhe më i guximshëm ishte vendimi i Merkel në vitin 2015 për të hapur dyert e Gjermanisë për refugjatët që largohen nga dhuna në Siri dhe pjesë të tjera të Lindjes së Mesme. Epoka e Merkel u karakterizua kryesisht nga qetësia, një tipar që votuesit gjermanë, pasi e rizgjodhën atë tre herë, e vlerësuan qartë. Me diellin ekonomik që dukej se i shkëlqente gjithmonë Merkel-it, pse të rrezikonin me reforma apo guxim strategjik?
Pas një periudhe kaq të gjatë vetëkënaqësie, nuk është habi që vendi tani po përballet me sfida masive strukturore. Së bashku me Komisionin Evropian dhe vendet e tjera anëtare të BE-së, qeveria gjermane do të duhet të punojë shumë për të kapërcyer humbjen e besimit pas shpërndarjes së vaksinave për COVID-19. Pasojat e pandemisë do të duhet të jenë në krye të axhendës, pavarësisht se kush formon qeverinë e ardhshme.
Ndërsa pandemia ka përshpejtuar digjitalizimin, ky moment duhet të shfrytëzohet për të ndihmuar Evropën të kapë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Suksesi këtu dhe në inovacionin digjital në përgjithësi do të ishte një kontribut vendimtar për sovranitetin e Evropës, duke ndihmuar ekonominë gjermane dhe atë evropiane të mbeten konkurruese në shekullin e XXI. Kjo do të kërkojë investime të mëdha në kërkimin dhe zhvillimin, si dhe modernizim të sistemeve arsimore. Për fat të mirë, plani i rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh i BE-së (884 miliardë dollarë), ofron një mundësi historike për të çuar përpara të gjitha këto objektiva.
Megjithatë, sfida më e madhe qëndron në “gjelbërimin” e ekonomisë, ndërsa gjithashtu mbron punëtorët dhe ruan kohezionin social. Këtu, detyra është shumë e madhe për t'u menaxhuar në nivel kombëtar. Kjo do të duhet të bëhet në mënyrë kolektive, në nivel evropian, përmes një Bashkimi Evropian që është zhvilluar në një fuqi globale më vete.
Për fat të mirë, Donald Trump është larguar nga Shtëpia e Bardhë (shpresojmë që njëherë e mirë) dhe evropianët e pranojnë se një aleancë transatlantike mirëfunksionale do të jetë thelbësore për mbrojtjen e interesave të tyre në këtë shekull. Por për të forcuar atë marrëdhënie, Evropa do të duhet të ndajë më shumë siguri dhe barrë politike dhe të bëjë pjesën e saj për të adresuar sfidat që parashtrohen nga rritja e Kinës.
Asnjë nga këto detyra nuk do të jetë e lehtë për Gjermaninë. Por zgjedhjet Baden-Ëürttemberg dhe Rhineland-Palatinate kanë bërë të qartë faktin që epoka e bisedave dhe asnjë veprimi nga ana e Merkel ka marrë fund. Realiteti po troket fort në derën e Gjermanisë dhe më vonë këtë vit kujdestarët e rinj më në fund mund ta hapin atë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Return of German Politics