
Samiti i mbajtur së fundmi i grupit duhet të jetë i fundit. Liderët politikë nuk duhet t’i kushtojnë energjinë e tyre diçkaje që nuk përfaqëson ekonominë e sotme globale dhe sjell një shkëputje thuajse të plotë midis qëllimeve të deklaruara dhe mjeteve të miratuara për t’i arritur ato.

Samiti i fundit i G7 ishte një shpërdorim burimesh. Nëse do duhej të ishte mbajtur patjetër, ai duhet të ishte mbajtur online, duke kursyer kohë, kosto logjistike dhe emetime avionësh. Por, më thelbësisht, samitet e G7 janë një anakronizëm. Liderët politikë nuk duhet t’i kushtojnë energjinë e tyre një ushtrimi që nuk përfaqëson ekonominë e sotme globale dhe rezulton në një shkëputje thuajse të plotë midis qëllimeve të deklaruara dhe mjeteve të miratuara për t’i arritur ato.
Nuk kishte absolutisht asgjë në samitin e G7 që nuk mund të ishte arritur me shumë më pak kosto, më lehtë dhe nëpërmjet platformës Zoom. Takimi më i dobishëm diplomatik këtë vit ishte takimi online i presidentit Joe Biden me 40 liderë botërorë në prill për të diskutuar ndryshimet klimatike. Takimet ndërkombëtare rutinore nga politikanë, parlamentarë, shkencëtarë dhe aktivistë janë të rëndësishme. Ato normalizojnë diskutimet ndërkombëtare.
Por pse duhet të ndodhin ato diskutime brenda G7, e cila është zëvendësuar nga G20? Kur vendet e G7 (Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) nisën samitet e tyre të përvitshme në vitet 1970, ata ende dominonin ekonominë botërore. Në vitin 1980, ata përbënin 51% të PBB-së botërore (matur me çmime ndërkombëtare), ndërsa vendet në zhvillim të Azisë përbënin vetëm 8.8%. Në vitin 2021, vendet e G7 prodhojnë vetëm 31% të PBB-së botërore, ndërsa të njëjtat vende aziatike prodhojnë 32.9%.
G20, duke përfshirë Kinën, Indinë, Indonezinë dhe vendet e tjera të mëdha në zhvillim, përfaqëson rreth 81% të prodhimit botëror dhe balancon interesat e ekonomive të saj me të ardhura të larta dhe në zhvillim. Kjo nuk është e përsosur, pasi lë jashtë vendet më të vogla dhe më të varfra dhe duhet të shtojë Bashkimin Afrikan (AU) si një anëtar, por të paktën G20 ofron një format të frytshëm për diskutimin e temave globale që mbulojnë pjesën më të madhe të ekonomisë botërore. Samiti i përvitshëm BE-SHBA mund të arrijë shumë gjëra që G7 synonte fillimisht të mbulonte.
G7 është veçanërisht e parëndësishme sepse liderët e saj nuk i mbajnë premtimet e tyre. Atyre u pëlqen të bëjnë deklarata simbolike, jo të zgjidhin probleme. Më keq akoma, ata duket sikur po zgjidhin probleme globale, ndërsa në të vërtetë i lënë ato të acarohen. Samiti i këtij viti nuk ishte ndryshe.
Merrni si shembull vaksinat COVID-19. Liderët e G7 vendosën qëllimin e vaksinimit të paktën 60% të popullsisë globale. Ata gjithashtu u zotuan të ndajnë 870 milionë doza direkt gjatë vitit të ardhshëm, që duket se nënkupton mjaftueshëm për imunizimin plotësisht të 435 milionë individëve (me dy doza për person). Por 60% e popullsisë globale janë 4.7 miliardë njerëz, ose afërsisht dhjetë herë më shumë se numri që përmendëm më sipër.
Liderët e G7 nuk ofruan asnjë plan për të arritur qëllimin e tyre të deklaruar të mbulimit global, dhe në fakt, nuk e kanë zhvilluar një të tillë, edhe pse kjo nuk do të ishte e vështirë të bëhej. Vlerësimi i prodhimit mujor të çdo vaksine COVID-19 është i thjeshtë dhe ndarja e atyre dozave në mënyrë të drejtë dhe efikase për të gjitha vendet është plotësisht e realizueshme.
Një arsye pse një plan i tillë nuk është zhvilluar ende është se qeveria amerikane deri më tani refuzon të ulet me liderët rusë dhe kinezë për të ideuar një shpërndarje të tillë globale. Një arsye tjetër është se qeveritë e G7 i lejojnë prodhuesit e vaksinave të negociojnë privatisht dhe fshehurazi, sesa si pjesë e një plani global. Ndoshta një arsye e tretë është se G7 shikoi objektivat globale pa menduar mjaftueshëm për nevojat e secilit vend marrës.
Megjithatë, një shembull tjetër i premtimeve të rreme të G7 është ndryshimet klimatike. Në samitin e fundit, liderët e G7 me të drejtë përqafuan qëllimin e dekarbonizimit global deri në vitin 2050 dhe u bënë thirrje vendeve në zhvillim ta bëjnë gjithashtu këtë. Megjithatë, në vend që të përcaktonin një plan financimi për t’u mundësuar vendeve në zhvillim të arrinin këtë objektiv, ata përsëritën një premtim financiar të bërë për herë të parë në 2009 dhe të pa përmbushur kurrë. “Ne riafirmojmë qëllimin kolektiv të vendit të zhvilluar”, thanë ata, “për të mobilizuar së bashku 100 miliardë dollarë në vit nga burime publike dhe private, deri në vitin 2025, në kontekstin e veprimeve zbutëse kuptimplote dhe transparencës në zbatim.”
Është e vështirë të mbivlerësohet cinizmi i këtij zotimi të përsëritur shpesh. Vendet e pasura humbën afatin e tyre deri në vitin 2020 për të përmbushur premtimin e tyre prej 100 miliardë dollarësh në vit – vetëm 0.2% të PBB-së vjetore të vendeve të pasura. Dhe 100 miliardë dollarët e premtuar janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që u duhet vendeve në zhvillim për dekarbonizimin dhe rregullimin e efekteve klimatike.
Shkëputja midis synimeve të G7 dhe mjeteve të pakta është e dukshme edhe në arsim. Qindra miliona fëmijë në vendet e varfra nuk kanë qasje në arsimin fillor dhe të mesëm sepse qeveritë e tyre nuk kanë mundësi financiare për të siguruar mësues, klasa dhe pajisje. Në vitin 2020, UNESCO vlerësoi se vendet me të ardhura të ulëta kanë nevojë për rreth 504 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030 për të siguruar që të gjithë fëmijët të përfundojnë një arsim të mesëm, por kanë vetëm rreth 356 miliardë dollarë nga burimet e tyre të brendshme, duke lënë nkështu një hendek prej rreth 148 miliardë dollarë në vit.
Pra, çfarë propozon G7 në komunikatën e këtij viti? Liderët propozojnë “një synim për të futur 40 milionë vajza më shumë në shkollë dhe me të paktën 2.75 miliardë dollarë për Partneritetin Global për Arsimin”. Këto nuk janë shifra serioze. Ato nxirren pa llogari të detajuara dhe do të linin qindra miliona fëmijë jashtë shkollës, përkundër angazhimit të vendosur të botës (të parashikuar në Qëllimin e Zhvillimit të Qëndrueshëm 4) për arsim të mesëm universal. Zgjidhje në shkallë të gjerë janë të disponueshme – të tilla si mobilizimi i financimit me interes të ulët nga bankat shumëpalëshe të zhvillimit – por liderët e G7 nuk propozuan zgjidhje të tilla.
Problemet e botës janë tepër urgjente për t’u lënë përballur me sjellje dhe masa boshe, që janë thjesht një shenjë e asaj që nevojitet për të arritur qëllimet e deklaruara. Ne kemi nevoja urgjente globale për të përmbushur: përfundimin e një pandemie, dekarbonizimin e sistemit të energjisë, futjen e fëmijëve në shkollë dhe arritjen e SDG-ve.
Rekomandimet e mia janë: më pak takime ballë për ballë, detyra shtëpie më serioze për të lidhur mjetet dhe qëllimet, më shumë takime rutinë në Zoom për të diskutuar se çfarë duhet të bëhet me të vërtetë, dhe mbështetje më të madhe te G20 (plus AU). Ne kemi nevojë për Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine në tryezë për çdo zgjidhje të vërtetë të problemeve globale.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. We Don’t Need the G7