Ndërsa mungesa e turmave të njerëzve do të bëjë që lojërat të jenë të pazakonta, sportistët dhe sportistet nga vendet e Ballkanit nuk do të lejojnë që heshtja në tribuna t’i dekurajojë ata.
Ndërsa ceremonia e hapjes e së premtes për Lojërat Olimpike XXXII në Tokio po afron, atletët ballkanas po përgatiten për të sjellë lavdi në shtëpi me medalje në qafën e tyre.
Lojërat Olimpike në Tokio ishin planifikuar të mbaheshin në vitin 2020, por u desh të shtyheshin për shkak të pandemisë së COVID-19.
Turmat e mëdha do të jenë shumë të kufizuara në Tokio dhe brohoritjet dhe këngët janë të ndaluara.
Megjithatë, pjesëmarrja në lojëra është gjëja më kryesore për atletët. “Gjëja e rëndësishme në jetë nuk është të triumfosh, por të konkurrosh”, tha Pierre de Coubertin (1863-1937), themelues i Komitetit Ndërkombëtar, IOC.
Bosnja e etur për të siguruar medaljen e parë
Shtatë atletë dhe gjashtë trajnerë do të përbëjnë ekipin boshnjak në Tokio, duke shpresuar të sjellin medaljen e parë olimpike për vendin.
Kjo është hera e tetë që atletët e Bosnjës marrin pjesë në një garë kaq të madhe sportive.
Gjatë viteve të fundit, Komiteti Olimpik i Bosnjës caktoi rreth gjysmë milioni euro për atletët dhe përgatitjet e tyre, tha të premten Marijan Kvesic, presidenti i Komitetit Olimpik.
Pjesëmarrësja më e re boshnjake, notarja Lana Pudar, e cila fitoi dy medalje argjendi dhe një të artë në Kampionatin Evropian për të Rinj në Romë në qershor, premtoi se do të japë më të mirën e saj.
“Është një nder të jem në ekipin olimpik të Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo është me të vërtetë një ëndërr e realizuar. Nuk mund ta imagjinoja që do ta arrija këtë në moshën 15-vjeçare”, tha ajo.
Ekipi i madh i Serbisë pret të marrë trofe në Japoni
Me 86 pjesëmarrës në 16 sporte në Tokio 2021, Serbia do të ketë ekipin më të madh olimpik në rajon.
Ekipi i basketbollit për gra, i cili sapo fitoi EuroBasket në qershor, do të shkojë në Tokio duke shpresuar të paktin të njëjtin rezultat që pati në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Rio de Zhaneiro në vitin 2016.
Anëtarja e ekipit Sonja Vasic, e shpallur lojtarja më e mirë e turneut në qershor, do të jetë një nga dy mbajtësit e flamurit të Serbisë, së bashku me Filip Filipovic, kapiteni i ekipit të vaterpolit, i cili gjithashtu fitoi një medalje në Rio në 2016.
“Ne e dimë se cili është qëllimi ynë. E dimë pse jemi stërvitur gjithë këtë kohë, por në Tokio s’do të jetë aspak e lehtë”, tha Filipovic para se ekipi të nisej për në Japoni.
Përveç ekipit të basketbollit të grave, një tjetër ekip grash që do të përfaqësojë Serbinë në Lojërat Olimpike do të jetë ekipi i volejbollit.
Kapitenia e ekipit Maja Ognjenovic tha para se të niseshin për në Tokio se ekipi i saj është “i emocionuar që më në fund do të niset për në Japoni”.
Kampioni i botës në tenis Novak Djokovic gjithashtu ka konfirmuar se do të luajë në Tokio.
Kur bëhet fjalë për sporte individuale, përveç tenisit, Serbia ka rekorde të mira në kërcime për së gjati, qitje, not dhe taekwondo.
Kërcyesja më e mirë për së gjati serbe Ivana Spanovic shkon në Tokio pasi mori rezultatin më të mirë në dy takime të 2021 Diamond League në qershor dhe korrik.
Ndër të tjera, Spanovic gjithashtu fitoi IAAF Ëorld Indoor Championship 2018, Kampionatin Evropian të Atletikës në Indi në 2017 dhe 2019, 2017 Diamond League dhe Lojërat Mesdhetare 2018.
Kroacia synon medalje
Ekipi olimpik i Kroacisë në Tokio përbëhet nga 59 anëtarë që do të përfaqësojnë vendin në 16 sporte të ndryshme.
Ky do të jetë numri më i ulët i atletëve kroatë që nga dalja e parë e olimpistëve kroatë nën flamurin e tyre në Barcelonë në 1992, kur ata ishin 41.
“Ne njerëz të talentuar për të fituar medalje. Nuk kemi pse të shqetësohemi për numrin e atletëve”, tha të shtunën Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kroat Sinisa Krajac.
Kampionia në hedhje disku, Sandra Perkovic, dhe qitësi Josip Glasnoviç, të dy fitues të mëparshëm të medaljes së artë, do të mbajnë flamurin kroat në ceremoninë e hapjes.
Ekipi kombëtar kroat i vaterpolit për meshkuj fitoi një medalje të artë në Lojërat Olimpike 2012 dhe gjithashtu medalje të argjendtë dy herë, në vitin 1996 dhe 2016, kështu që shpresat janë të mëdha që ekipi të sjellë në shtëpi një medalje edhe këtë herë.
Kosova shpresat e mëdha i ka në xhudo
Kosova do t’i ketë sytë e përqendruar te xhudoja, një sport në të cilin atletët e saj kanë marrë medalje njëra pas tjetrës në garat ndërkombëtare.
Midis 11 pjesëmarrësve që do të shkojnë në Tokio, Kosova ka pesë xhudistë dhe Majlinda Kelmendi është njëra prej tyre. Ajo bëri histori në Rio në vitin 2016, kur fitoi medaljen e parë të arit për Kosovën.
Lojërat Olimpike në Rio ishin gjithashtu të parat ku atletët e Kosovës garuan nën flamurin e tyre. Kosova u pranua si anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar vetëm në vitin 2014.
“Pavarësisht nëse ju shohim në podium apo jo, ndihuni krenar për arritjet tuaja, ndihuni krenar për vendin që përfaqësoni, sepse jeni histori dhe e ardhmja e ndritshme e sportit tonë”, u tha kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi atletëve pak para se ata të niseshin për në Tokio.
Për presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, pjesëmarrja e këtij viti në Lojërat Olimpike ka të bëjë me “një ripërtëritje të krenarisë”, duke u mbështetur në suksesin e Kelmendit në 2016-ën.
“Atletë të tjerë gjithashtu do ta ngrenë emrin e Kosovës dhe do ta shtojnë nderin e saj midis kombeve të tjerë pjesëmarrës”, parashikoi Osmani.
Mali i Zi kërkon medaljen e parë që nga 2012
Ekipi olimpik i Malit të Zi në Tokio përbëhet nga 33 anëtarë, të cilët do të përfaqësojnë vendin në shtatë sporte.
Mali i Zi ka përfaqësues në pesë kategori sportive individuale, lundrim me vela, atletikë, xhudo, gjuajtje me hark dhe not, ndërsa medalje priten gjithashtu nga ekipet e hendbollit dhe vaterpolit për meshkuj.
Që kur fitoi pavarësinë në 2006, Mali i Zi ka konkurruar në Lojërat Olimpike në Londër dhe Pekin. Ekipi i hendbollit për femra fitoi medaljen e vetme olimpike të vendit, një medalje argjendi, në vitin 2012 në Londër.
Anëtarja e ekipit të hendbollit Majda Mehmedovic tha se ekipi i saj do të bëjë më të mirën në Tokio. “Çdo atlet dëshiron dhe ëndërron një medalje, por është shumë e vështirë të marrësh një medalje. Ne do të bëjmë më të mirën tonë, por do të shohim se sa mjafton kjo”, tha Mehmedovic për mediat.
Ekipi Olimpik organizoi një ceremoni më 14 korrik, kur presidenti Milo Djukanoviç u dorëzoi flamurin dy anëtarëve të skuadrave të hendbollit dhe vaterpolit, Jovanka Radicevic dhe Drasko Brguljan.
Kreu i Komitetit Olimpik të Malit tëZi Dusan Simonovic tha këtë vit se atletët do të duhet të luftojnë për medalje në hijen e pandemisë së COVID-19.
“Kishim frikë se atletët tanë nuk do të ishin në gjendje ta realizonin ëndrrën olimpike. Por ja ku jemi dhe është një ndjenjë e mrekullueshme të jemi përsëri në Lojërat Olimpike”, tha ai për mediat.
Presidenti Djukanoviç tha se të gjithë qytetarët do ta mbështesin ekipin dhe do të ëndërrojnë për medalje, ndërsa kryeministri Zdravko Krivokapiç tha se ekipi tashmë kishte arritur ëndrrën e çdo sportisti në vend.
Maqedonia e Veriut pret më shumë në mundje dhe taekwondo
Tetë atletë në shtatë sporte do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në Lojërat Olimpike të Tokios.
Publiku pret më shumë nga Dejan Georgievski i cili do të garojë në taekwondo, si dhe nga mundësi i stilit të lirë Mogamedgadzi Nurov.
Flamuri në hapjen e Lojërave Olimpike do të mbahet nga Dejan Georgievski dhe Arbresha Rexhepi.
“Nga 23 korriku deri më 8 gusht, të gjithë do të kemi në mendimet tona ekipin olimpik. Me dëshirat tona më të mira, ne do të jemi duke brohoritur për ta në mënyrë që ata të arrijnë sukseset e tyre të reja personale dhe të dinë se për sa kohë janë në fushat sportive, të gjithë kanë shanse të barabarta për të arritur më të mirën e tyre”, postoi kryeministri Zoran Zaev në Facebook.
Maqedonia e Veriut ka konkurruar në Lojërat Olimpike që nga viti 1996. Një vend i vogël me pak më shumë se 2 milionë banorë, ai kishte ekipin më të madh olimpik me 11 atletë në Lojërat Olimpike Verore të Atlantës 1996. Vendi nuk është kualifikuar asnjëherë për të garuar në ndonjë sport në grup.
Suksesi më i madh i vendit, dhe medalja e vetme olimpike, erdhi në vitin 2000 lojërat në Sidnej, ku mundësi Mogamed Ibragimov fitoi një medalje bronzi.
Shqipëria premton më shumë fokus te sporti në të ardhmen
Shqipëria po dërgon një delegacion prej nëntë atletësh në Tokio, pasi vetëm tre kaluan kuotën olimpike ndërsa gjashtë të tjerë do të garojnë falë ftesave nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Indrit Cullhaj po merr pjesë për herë të parë në një ngjarje kaq madhore. “Kjo ftesë nuk ishte e rastësishme sepse në garën e fundit me kampionët e botës dolëm barazim, por nuk munda të marr pikë për kualifikim, kështu që ftesa ishte e merituar”, tha xhudisti për TV Klan.
Kryeministri Edi Rama tha se qeveria e tij, e udhëhequr nga socialistët, do të përqendrohet më shumë te sporti gjatë mandatit të tij të tretë në pushtet.
“Pas misionit në Tokio, ne do të ulemi së bashku me komitetin për të hartuar një program të përbashkët… lidhur me sportet dhe posaçërisht sportet për fëmijët”, tha ai.
Shqipëria mori pjesë për herë të parë në një Lojëra Olimpike në vitin 1972. Ajo e bojkotoi pjesën tjetër të Lojërave Olimpike deri në vitin 1992 në Barcelonë dhe që nga ajo kohë ka marrë pjesë rregullisht.