Analistët dhe politikëbërësit në Berlin presin të shohin një ndryshim në qasjen e Gjermanisë – dhe për pasojë të BE-së – ndaj Ballkanit Perëndimor me fundin e epokës së kancelares Merkel.
Disa diplomatë, ekspertë dhe politikëbërës në Ballkanin Perëndimor besojnë se pak do të ndryshojë në qasjen e Gjermanisë ndaj rajonit me përfundimin e epokës së Angela Merkel. Kolegët e tyre në Berlin, megjithatë, nuk janë aq të sigurt.
Duke pasur parasysh vitet e sorollatjes dhe zvogëlimit të ndikimit të Bashkimit Evropian, trashëgimia e kancelares gjermane në largim në Ballkanin Perëndimor është e përzier dhe një numër ekspertësh dhe politikëbërësish në Berlin thonë se diçka do të duhet të ndryshojë.
Ekziston shqetësimi se pjesë të rajonit, më së shumti Serbia, po bëjnë hapa pas në fushën e demokracisë dhe lirisë së medias dhe po hapin dyert e tyre për Kinën dhe Rusinë në mungesën e dukshme të BE-së.
Shumë gjëra do të varen nga aftësia e të Gjelbërve, të cilët ka të ngjarë të jenë pjesë e një qeverie të re të udhëhequr nga Social Demokratët, për të ringjallur zgjerimin e BE-së, ndërsa disa ekspertë duan që Gjermania, dhe BE-ja të rishikojë ofertën e saj në rajon.
“Qeverisë së re gjermane, herët a vonë, do t'i duhet të përballet me faktin se ndikimi i BE-së është zvogëluar ose pothuajse nuk ekziston në rajon dhe se BE-ja duhet të rizbulojë politikën dhe strategjinë e saj për rajonin”, tha Adnan Cerimagic, një analist i lartë në Institutin Evropian të Stabilitetit në Berlin.
“Nga njëra anë, një strategji e re duhet të kënaqë 27 vendet anëtare të BE-së, dhe nga ana tjetër, ajo të jetë mjaft joshëse që vendet e rajonit ta marrin BE-në si një partner serioz me synime serioze në rajon”, tha ai tha për BIRN.
Trashëgimia e diskutueshme e Merkelit në Ballkan
Në 16 vitet e saj si kancelare gjermane, Merkel mbrojti zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, por vetëm Kroacia – në 2013 – iu bashkua vërtet bllokut nën mbikëqyrjen e saj.
Përndryshe, Merkel u pa si e dobishme në bindjen e Serbisë dhe Kosovës për t'u ulur të negocionin nën patronazhin e BE-së, gjë e cila në vitin 2013 solli një marrëveshje, sipas së cilës Serbia ra dakord të heqë dorë nga kontrolli i saj mbi një pjesë të vogël të veriut të Kosovës të populluar nga serbët në këmbim të fillimit të bisedimeve të pranimit në BE.
Por Serbia vazhdon të ndërmarrë nisma në veri të Kosovës dhe bisedimet e saj të pranimit në BE po zvarriten vazhdimisht. Me zgjerimin që nuk po shkon askund, BE-ja ka humbur besueshmëri të konsiderueshme në rajon.
“Është në interesat strategjike të Bashkimit Evropian që të integrojë shtetet e Ballkanit në bllok”, tha Merkel në një turne lamtumire në Ballkan në shtator. Por fjalë të tilla të ngrohta janë dëgjuar edhe më parë.
Marrëveshja Serbi-Kosovë në Bruksel ishte “një rezultat historik,” tha Bodo Weber, nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit me bazë në Berlin, “por më pas drejtimi strategjik i politikës së Berlinit humbi dhe i gjithë procesi ra në krizë”.
Analistët thonë se zgjerimi është bërë peng i tensioneve të tjera që shfaqen brenda BE-së, veçanërisht kriza e refugjatëve dhe debati mbi reformën e brendshme të BE-së.
Duke kundërshtuar thirrjet e Francës për reforma strukturore, Merkel humbi pushtet kur bëhej fjalë për zgjerimin, siç u dëshmua në bllokimin e presidentit francez Emmanuel Macron për negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në vitin 2019.
Besueshmëria e Merkel është dëmtuar edhe nga ngrohtësia e marrëdhënieve mes saj dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili është akuzuar nga grupet e të drejtave të njeriut dhe politikanët e opozitës se ka kthyer pas orën e tranzicionit demokratik të Serbisë që nga rënia e Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000.
“Gjermania dhe Merkel personalisht janë bashkë-përgjegjës për transformimin autoritar të Serbisë nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç”, tha Weber për BIRN. “Kjo mbetet trashëgimia e saj dhe rezultati i paplanifikuar i asaj marrëdhënieje personale.”
Këqyrje më e kujdesshme dhe më e madhe e demokracisë
Me largimin e Merkelit, çdo qeveri e ardhshme gjermane do të mbajë një distancë më të madhe kur bëhet fjalë për Vuçiçin dhe Beogradin, thonë ekspertët dhe politikëbërësit në Berlin.
Në përgjithësi, do të ketë më pak tolerancë për relapsin demokratik kur bëhet fjalë për politikën gjermane ndaj Ballkanit, tha Josip Juratovic, një deputet i Bundestagut me origjinë kroate nga Partia Social Demokratike, SDP.
“Bërja vazhdimisht e një syri qorr, dhënia e disa “biskotave” ekonomike, mbajtja e marrëdhënieve të mira dhe tolerimi i çdo gjëje që ndodhur deri më tani, të gjitha këto nuk do të funksionojnë më”, tha Juratovic për BIRN, duke shprehur besimin se SDP, të Gjelbrit dhe Partia Demokratike e Lirë, FDP, do të formojnë një qeveri të re gjermane me kreun e SDP Olaf Scholz që do të marrë postin e Merkel si kancelar.
“Të tre partitë që do të formojnë një koalicion do t'i kushtojnë më shumë rëndësi proceseve demokratike dhe ndërtimit të institucioneve demokratike në Ballkanin Perëndimor”, tha ai. “Përndryshe nuk do të ketë hyrje në BE.”
Megjithatë, jo të gjitha palët që përpiqen të bashkohen me qeverinë kanë të njëjtin qëndrim për zgjerimin e BE-së.
SDP, tradicionalisht një mbështetëse e fortë e zgjerimit, përfshiu vetëm një fjali të vetme për Ballkanin Perëndimor në manifestin e saj zgjedhor, megjithëse ishte një miratim i qartë pranimi.
Megjithatë, Bashkimi Demokratik Kristian i Merkelit, tani i udhëhequr nga Armin Laschet, është më pak empatik, me programin e tij që bën thirrje për “integrim të brendshëm të BE-së para zgjerimit”.
“Ky është pak a shumë qëndrimi që kemi parë në vitet e mëparshme në një pjesë të grupit parlamentar të CDU-së në Bundestag, por që rrëzohej gjithmonë me votë nga kancelarja Merkel”, tha Weber.
Në manifestin e vet, FDP nuk përmendi zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, duke reflektuar qëndrimin e saj më skeptik mbi këtë çështje.
Hapja e tregut të vetëm si hap i ndërmjetëm?
Të Gjelbrit mbeten shpresa më e mirë e rajonit, thonë ekspertët, me partinë që shihet si më e gatshme për të pranuar kërkesat e Francës për reformim të brendshëm strukturor të BE -së dhe për këtë arsye të bëjë lëshime kur bëhet fjalë për zgjerimin.
“Brenda koalicionit të ardhshëm qeverisës gjerman, i cili është i vështirë të imagjinohet pa të Gjelbrit, shpresa më e madhe duhet të vendoset në një nxitje të fortë nga të Gjelbrit”, tha Weber.
FDP-ja mund të rezultojë e vështirë të bindet.
“Është e qartë se të Gjelbrit do të kenë një detyrë jashtëzakonisht të vështirë për të bindur partnerët e tjerë në Gjermani dhe brenda BE-së për një kurs të tillë”, tha Cerimagic nga ESI.
Nëse do të rifitojë ndikimin në rajon, BE-ja duhet të dalë me një strategji dhe ofertë të re, tha ai. “Pa atë element, çdo përpjekje për të pasur ndikim do të jetë e vështirë.”
ESI ka propozuar një hap të ndërmjetëm, duke hapur tregun e vetëm të BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor në pesë deri në shtatë vitet e ardhshme, “për të marrë pjesë me të drejta të plota në qarkullimin e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit, por edhe për të marrë për anëtarësimin e tyre një mbështetje e caktuar financiare që marrin vendet anëtare të BE-së.”
“Ne besojmë se kjo është diçka për të cilën të 27 vendet anëtare të BE-së mund të bien dakord dhe se është diçka që është mjaft interesante për Ballkanin Perëndimor që ai të punojë për atë qëllim dhe për ta arritur atë”, tha Cerimagic. “Nga Ballkani Perëndimor po vijnë reagime gjithnjë e më shumë pozitive.”