Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale në ngarkim të ish-prokurorit të Sarandës Sali Hasa të arrestuar për “korrupsion pasiv[…]”; si dhe ndaj 6 personave të tjerë të akuzuar për “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, “korrupsion aktiv[…]” dhe “paracaktimi i rezultateve në garat sportive”.
Sali Hasa dhe gjashtë të pandehurit e tjerë, Napolon Hodaj, Emiljano Mirani, Elsona Papa, Markelian Alinani, Julian Zera dhe Qerim Ruçi u ndaluan në qershor të vitit 2021, pas një hetimi njëvjeçar të filluar për trafilk narkotikësh – por që zbuloi veprimtari të tjera të paligjshme, përfshi dhe përfshirjen e prokurorit në afera korruptive.
Hasa është proceduar edhe për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Disa muaj pas arrestimit, në shtator 2021, Hasa u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që gjeti probleme të shumta në deklarimin e pasurive dhe mungesë burimesh financiare në vlera të mëdha për krijimin e tyre.