Një grup të dënuarish për vrasje dhe grabitje me dhunë, të cilët vuanin dënimet në burgjet e Peqinit, të Drenovës dhe në burgun 313 në Tiranë, janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Elbasanit për organizim lojërash fati brenda burgjeve dhe trafikim të sendeve të paligjshme e drogës në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Bashkë me të dënuarit mes të cilëve janë emrat e Aleksandër Llanajt, i dënuar me 35 vjet burg për vrasje të trefishtë, Gazmir Braka (Gaxhai) i njohur si pjesëtar i bandave të vitit 1997, Arben Grorit i dënuar me burgim të përjetshëm, janë arrestuar edhe 7 oficerë të policisë së burgjeve dhe një numër bashkëpunëtorësh të akuzuar për korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe futje sendesh të paligjshme në burgje.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Elbasanit njoftuan se në total ishin prerë 28 fletë arreste dhe ndër të arrestuarit ishte edhe Hysni Ndreu shef i paraburgimit në Elbasan. Policia po ashtu njoftoi sekuestrimin e një sasie droge, disa pajisjeve të ndaluar, dy playstation të përshtatura për komunikim, një orë që dyshohet si mjet komunikimi dhe 4 milion lekëve.
Në njoftim për media policia tha se të arrestuarit kishin cënuar rëndë sigurinë në burgje dhe sigurinë kombëtare.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me punonjësit e sistemit të burgjeve, merrnin dhe transmetonin porosi të cilat cenojnë rëndë sigurinë e burgjeve, por dhe sigurinë kombëtare, si dhe në disa raste furnizonin me lëndë narkotike dhe sende të tjera të ndaluara, të dënuarit apo të paraburgosurit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia njoftoi se hetimet mbi çështjen kishin filluar para 6 muajsh dhe se vijonin për të dokumentuar të tjerë persona të përfshirë në veprimtari kriminale.
Kreu i prokurorisë së Elbasanit Kreshnik Ajazi tha se kjo ishte vetëm faza e parë e operacionit dhe pretendoi se personat e përfshirë ishin gjetur në kushtet e flagrancës dhe që kishte prova të mjaftueshme për ta.
“Ky operacion, në fazë hetimi paraprak, është I rëndësishëm pasi me ndaljen e kësaj veprimtarie kemi mundësi të parandalojmë edhe ngjarje të tjera kriminale jashtë (burgut) në të ardhmen”, tha Ajazi.
Policia njoftoi se ishin arrestuar oficerët e policisë së burgjeve, Hysni Ndreu, 50 vjeç, me detyrë shef i Paraburgimit Elbasan dy vartësit e tij Gazmir Meta, 52 vjeç dhe Elvis Gjoci, 46 vjeç. Po ashtu mes të arrestuarve janë Veli Bici, 61 vjeç, polic në burgun e Peqinit, dhe tre punonjës të policisë së burgut të Drenovës Olgert Mucka, 38 vjeç, Artan Dulillari, 55 vjeç, Metkë Nurçelli, 39 vjeç.
Ndërkohë është vendosur formalisht masa e sigurimit arrest me burg për të dënuarit Aleksandër Llanaj, 31 vjeç, i cili vuan dënimin në burgun 313 në Tiranë, të dënuarve Delin Hajdari, 31 vjeç, Leo Osmani, 28 vjeç, që ndodhen në burgun e Drenovës në Korçë dhe të dënuarve Gazmir Braka, 50 vjeç dhe Aleksandër Sinanaj të dy duke vuajtur dënimin në burgun e Peqinit. Të pestë të dënuarit janë nga qyteti i Vlorës dhe akuzohen veç të tjerash edhe për organizim të lojërave të fatit në qeli. Ndërkohë me masë sigurimi është njohur edhe Arben Grori, 51 vjeç, nga Tirana, për akuzën e “Futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
Po ashtu u arrestuan për korrupsion aktiv dhe futje sendesh të paligjshme në qeli Aleksandër Alibashi, 31 vjeç, Ilia Beshello, 42 vjeç, Robert Dedaj, 62 vjeç, Dardan Xhahysa, 24 vjeç, Rigers Miha, 23 vjeç, Kastriot Gjella, 54 vjeç dhe Enver Kasneci, 48 vjeç. Masë sigurie shtesë u mor edhe për Gentian Mino, 45 vjeç, Mikel Gjella, 30 vjeç, Klevis Deliaj, 27 vjeç, Genci Xhahysa, 41 vjeç, Ervin Velia, 32 vjeç, të cilët ndodheshin ndërkohë të arrestuar me akuza të tjera në paraburgimin e Elbasanit.
Ndërkohë u arrestua Gentian Gjata, 48 vjeç, banues në Elbasan, pronari i një biznesi brenda Institucionit të Paraburgimit Elbasan dhe u caktua masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” për L. Gjata dhe F. Sula, të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Operacioni i pagëzuar Trinomi, u zhvillua njëkohësisht në Elbasan, Tiranë, Vlorë dhe Korçë.