Në mes të qershorit të vitit të kaluar, tre furgona hynë në fshatin Ponesh në Kosovën lindore, të ngarkuar me mjete shkollore, rroba dhe këpucë për fëmijët serbë vendas.
Autokolona humanitare ishte një nga dhjetëra të organizuara nga OJQ-ja franceze “Solidarité Kosovo” gjatë afërsisht 15 viteve të fundit, duke sjellë ndihma të mbledhura në Francë për pakicën etnike serbe në Kosovë, një ish-krahinë e Serbisë me shumicë shqiptare e pavarur që nga viti 2008.
Qëllimi duket fisnik. Por humanitarizmi i “Solidarité” deri këtu shkon.
Rrënjët e saj, në fakt, janë në të djathtën ekstreme franceze, një lëvizje që ka shfrytëzuar rastin e Kosovës – ku shumë shqiptarë identifikohen si myslimanë – si një mjet propagande për të mbledhur opinione kundër multikulturalizmit dhe imigrimit mysliman.
Sot, “Solidarité” numëron lidhjet që shtrihen nga lëvizja globale rinore e ekstremit të djathtë, Generation Identity, deri te partia kundër imigracionit Fronti Kombëtare e kandidates franceze për presidente, Marine Le Pen, dhe deri në korridoret e ministrisë së jashtme serbe.
Në fakt, themeluesi i saj, një shtetas serb i natyralizuar dhe i konvertuar në një të krishterë ortodoks, i quajtur Arnaud Gouillon, tani drejton drejtorinë e ministrisë së jashtme për bashkëpunim me serbët jashtë Serbisë, një organ që i ka paguar afërsisht 40,000 euro shoqatave serbe në Francë gjatë tre viteve të fundit. . Pagesat për dy grupe të tilla – “Unioni i Serbëve të Francës” dhe “Të gjithë serbët në Paris” – janë rritur që kur Gouillon mori drejtimin në fund të vitit 2020, nga 1.5 milionë dinarë (12,700 euro) në 2019 dhe 2020 në 2.4 milionë dinarë ( 20,400 euro) në vitin 2021.
Ekspertët shohin te “Solidarité” dhe organizata të ngjashme një përpjekje për të riemërtuar të djathtën ekstreme dhe për të krijuar një narrativë që e portretizon krishterimin në Evropë si të kërcënuar nga Islami.
“Aktet e bamirësisë janë një instrument i shkëlqyer për zbatimin e kësaj, sepse perceptimi i publikut të gjerë për dikë që ndihmon të tjerët nuk i vendos ata në kategorinë e fashizmit”, tha sociologu Milos Peroviç nga Universiteti i Novi Sadit në Serbinë veriore.
“Sigurisht, humanitarizmi i krahut të djathtë është dukshëm diskriminues, sepse ai gjithmonë i referohet një grupi të caktuar racor, etnik ose kombëtar.”
Dhe duke shtrembëruar të dhënat historike të asaj që ndodhi në Kosovë në vitet 1990, e djathta ekstreme ka krijuar një rast për t’u studiuar.
“Konflikti në Kosovë nuk perceptohet si një konflikt etnik apo shkelje masive e të drejtave të pakicave kombëtare, apo një pakice, por këto ngjarje shihen si një luftë mes krishterimit dhe islamit”, tha Predrag Petroviç, drejtor program i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Beograd, BCSP.
“Kjo tregon pasojat që në dukje do të ndodhin, nëse ata nuk përballen me flukset gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive të refugjatëve dhe emigrantëve.”
Paratë
Sipas raporteve financiare të “Solidarité Kosovo”, organizata ka marrë më shumë se 650 milionë dinarë, ose afërsisht 5.5 milionë euro, në donacione midis vitit 2011 dhe 2018. Megjithatë, më pak se gjysma shkoi për njerëzit dhe organizatat në terren.
Në vitin 2015, për shembull, më shumë para u shpenzuan për mbledhjen e donacioneve sesa u drejtuan në të vërtetë për misionin kryesor të organizatës, një model i parë gjatë viteve 2011-2015 – më shumë se 1.5 milionë euro u shpenzuan për paga dhe grumbullim donacionesh, ose tre herë më shumë sesa shuma që u shpenzua për organizimin dhe dërgimin e ndihmës për komunitetet e synuara.
Pas vitit 2016, deri në raportin e fundit financiar të disponueshëm dy vjet më vonë, dukshëm më shumë fonde u ndanë për operacione jashtë vendit.
Raporti i fundit, nga viti 2018, u përpilua nga firma parisiene “Keycost”, e drejtuar nga Ivan Conic. Conic është i regjistruar edhe si arkëtar i “Unionit të Serbëve të Francës”. “Keycost” është listuar në faqen e internetit të të gjithë serbëve në Paris si “partner”. Zhvillimi i faqes së internetit është mbështetur nga Drejtoria për Bashkëpunim me Diasporën dhe Serbët në Rajon, e drejtuar që nga fundi i vitit 2020 nga Arnaud Gouillon, themelues i “Solidarité Kosovo”. Buxheti i Drejtorisë për vitin 2022 është më shumë se 150 milionë dinarë (1.3 milionë euro).
Nga Kosova në Ukrainë
“Solidarité Kosovo” nuk e fsheh interesimin e saj vetëm për një besim të caktuar, duke deklaruar në faqen e saj të internetit se punon “Në shërbim të të krishterëve të shtypur”.
Organizata u themelua në vazhdën e trazirave të grupeve shqiptare kundër fshatrave dhe objekteve fetare të pakicës serbe në mars 2004, pesë vjet pasi sulmet ajrore të NATO-s dëbuan forcat serbe nga provinca. NATO-ja ndërhyri në vitin 1999 për të ndalur një luftë brutale kundër kryengritjes, në të cilën Perëndimi akuzoi forcat nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit për kryerjen e krimeve të luftës.
Në atë kohë, Gouillon ishte një anëtar i lartë në brandin francez të “Generation Identity”, “Identitaires”.
Vëllai i tij, Bertrand, gjithashtu ndihmoi në themelimin e organizatës, siç bëri shtetasi me shtetësi të dyfishtë francezo-serbe, Nikola Mirkoviç. Ata u bashkuan me Philippe Vardon, një ish-ndihmës i ekstremit të djathtë i Marine Le Pen, e cila do të sfidojë presidentin aktual Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në prill.
Grupi financohet nga donacione dhe shitja e mallrave të specializuara, punimeve artizanale dhe byzylykëve tetë euro që janë veshur nga figura të tjera të ekstremit të djathtë në Francë, mes tyre politikanë të Frontit Kombëtar Bryan Masson dhe Julien Rochedy, të cilët u larguan nga Fronti Kombëtar në 2014, të dy kanë lidhje me lëvizjen Identitariane.
“Solidarité” mbështeti krijimin e dokumentarit “Kosova: Krishterimi në Rrezik”, me regji të Eddy Vicken dhe Yvon Bertorello, i cili u shfaq premierë në Paris në prill 2017 në kinemanë ikonë Grand Rex.
Më shumë se një e treta e buxhetit të “Solidarité” për vitin 2017 u shpenzua për fushatën, mbledhjen e fondeve dhe realizimin e dokumentarit.
Një vit më pas, “Solidarité” ndau para për botimin e një libri të Mirkoviç të titulluar “Mirë se vini në Kosovë” dhe i cili u prezantua në Qendrën Kulturore Serbe në Paris nën kujdesin e Unionit të Serbëve të Francës.
Megjithatë, interesat e Mirkoviçit shkojnë përtej Kosovës. Ai është gjithashtu pjesë e shoqatës “Vostok France Solidarité Donbass”, e cila shpërndan ndihma në Ukrainën lindore, ku Rusia nxiti një rebelim të armatosur në 2014.
Përveç vizitave “humanitare”, Mirkoviç është takuar më parë edhe me liderin rebel Alexander Zakharchenko, i cili u vra në vitin 2018, kreun aktual të Republikës Popullore separatiste të Donetskut, Denis Pushilin, dhe Alexander Zaldostanov, mik i presidentit rus Vladimir Putin dhe kreu i klubi i motoçiklistëve “Ujqërit e Natës” (Night Wolves).
Në vitin 2018, Mirkoviç ishte gjithashtu pjesë e një grupi vëzhguesish francezë të zgjedhjeve të përbërë kryesisht nga figura politike të krahut të djathtë që vëzhguan zgjedhjet në Ukrainën lindore, të cilat u hodhën poshtë si të paligjshme nga Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë. Dhe në vitin 2016, ai iu bashkua shtetasit francezo-rus Xavier Moreau në një tryezë të rrumbullakët me udhëheqësit e Republikës Popullore të Donetskut.
Moreau dhe Mirkoviç ishin të dy pjesë e një nisme të prezantuar në vitin 2019 për të detyruar Francën të anulojë njohjen e saj të Kosovës si shtet i pavarur. I përfshirë ishte edhe Alexis Troude, një historian konservator dhe anëtar i lartë i Unionit të Serbëve të Francës. Në vitin 2014, Troude mori pjesë në shfaqjen në Paris të një filmi për Serbinë gjatë Luftës së Parë Botërore, i veshur me një bluzë me fytyrën e liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje.
Vetëm vitin e kaluar, “Unioni i Serbëve të Francës” mori 1.5 milionë dinarë (12,700 euro) në financim projektesh nga ministria e jashtme serbe; shoqata “Të gjithë Serbët në Paris” mori 900.000 dinarë (7.600 euro).
As Drejtoria e ministrisë për Bashkëpunim me Diasporën dhe Serbët në Rajon, as Gouillon apo shoqata “Të gjithë Serbët në Paris” nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
“Unioni i Serbëve të Francës” tha: “Interesi ynë është të forcojmë komunitetin tonë në shoqërinë franceze, dhe në këtë mënyrë të forcojmë praninë tonë dhe të fitojmë një pozicion më të mirë për të arritur qëllimet tona. Ne nuk kemi dhe nuk duam të kemi asnjë lidhje me asnjë opsion politik. Secili prej nesh mund të jetë ose jo i përkushtuar ndaj një opsioni politik, por si Union kemi vetëm interesin e komunitetit.”
Sipas Peroviç nga Universiteti i Novi Sadit, nuk është për t’u habitur që serbët e diasporës duhet të mbështesin kauza nacionaliste.
“Diaspora që u largua nga vendi ynë gjatë socializmit (epokës jugosllave) ishte praktikisht e vetmja pjesë e popullit serb që propagandoi hapur nacionalizmin e madh serb në atë periudhë”, tha ai.
“Ajo pjesë synonte për vete rolin e zërit të diasporës serbe, duke u përpjekur gjithashtu të transformonte ideologjikisht edhe atë pjesë të diasporës ekonomike e cila shkoi për të punuar përkohësisht në vendet evropiane nga të cilat nuk u kthye më.
Shkaqe të tjera mund të gjenden në “nivel emocional”, tha Peroviç, dhe “në psikologjinë e emigrantëve që formojnë nocione për atdheun e tyre duke jetuar jashtë tij”, të paprekur nga problemet politike brenda tij.
Petroviç i BCSP tha për aktivitetet e tyre humanitare: “Këto aktiviteve kanë të bëjnë më shumë me propagandën dhe duan të fitojnë pikë, sesa të ndryshojnë situatën në terren.”
Identitarianët
Lëvizja e ekstremit të djathtë “Generation Identity” u konceptua në Francë, por u bë një rrjet pan-evropian me degë që u shfaqën në Austri, Gjermani, Britani dhe vende të tjera.
Lëvizja bazohet në islamofobinë, etnocentrizmin, hegjemoninë kulturore dhe racore. Në mars 2021, Franca ndaloi aktivitetet e lëvizjes mëmë “Génération Identitaire”.
Disa ekspertë e shohin “Solidarité Kosovo” si një satelit serb të lëvizjes, kryesisht për shkak të përfshirjes së mëparshme të Gouillon si kreu i degës së “Grenoble të Juenesses Identitaires”, e riemërtuar më vonë Les Identitaires dhe paraardhëse e Génération Identitaire. Ai ishte kandidat i partisë Identitarian për zgjedhjet presidenciale franceze në 2012, por u tërhoq para votimit.
Kosova dhe kauza kundër imigracionit
E djathta ekstreme pëlqen ta mbajë Kosovën si një rast studimor në teorinë e “zëvendësimit të madh”, kulmi i dukshëm i dekadave të kolonizimit të tokave historike serbe nga shqiptarët myslimanë dhe një përrallë paralajmëruese për kontinentin evropian.
Është një pikëpamje e çoroditur për historinë, por megjithatë ka zënë rrënjë në mesin e ndjekësve të lëvizjeve si Generation Identity, të cilët paralajmërojnë se të krishterët e bardhë po bëhen një pakicë në Evropë. Në vitin 2021, kandidati presidencial i së djathtës ekstreme franceze, Eric Zemmour tha se kishte frikë nga “përsëritja e skenarit të Kosovës në Francë”.
Eksperti anti-emigrant u gjobit me 10,000 euro në janar pasi tha në televizion në vitin 2020 se fëmijët emigrantë të pashoqëruar ishin “hajdutë”, “përdhunues” dhe “vrasës”.
Franca është terren pjellor për ndjenjat kundër emigrantëve, tha Petroviç i BCSP.
“Disa parti rreth qendrës kanë filluar të rishikojnë politikën e tyre për emigrantët që nga fillimi i pandemisë, gjë që tregon vetëm se kjo temë është shumë, shumë e rëndësishme”, tha ai.
“Sigurisht që kemi tërheqjen amerikane nga Afganistani dhe sërish një valë tjetër. Ekziston frika se nëse ata nuk janë terroristë apo ekstremistë, atëherë do të punojnë për shumë më pak para. Përveç kësaj, ata nuk bëjnë vetëm punë të rëndomta apo tradicionale, por në mesin e popullatës emigrante kemi edhe nga ata që janë shumë të kualifikuar.”
Teoria e “Zëvendësimit të Madh”.
Besimi në epërsinë e racës së bardhë mbështet lëvizjen Identitariane, një pikëpamje etnocentrike e botës, e justifikuar nga dallimet e supozuara të pakapërcyeshme kulturore midis popullsisë së bardhë dhe asaj jo të bardhë.
Teoria e “Zëvendësimit të Madh” paralajmëron se të krishterët e bardhë bëhen pakicë në Evropë, me përkrahësit e kësaj teorie që përdorin krizën e emigrantëve dhe refugjatëve si një shembull të qartë të kësaj.
Në daljet e tij publike në Serbi, Gouillon ka folur për nevojën e rritjes së natalitetit si “qëllimin numër një të të gjithë Evropës”. Ai është gjithashtu pas Nismës për Rritjen e Lindshmërisë dhe që Rinia të Qëndrojë në Serbi.
Ky artikull është botuar në bashkëpunim me VOICE.