Ndërsa pushtimi rus në Ukrainë vazhdon, me sa duket pa një fund të menjëhershëm në horizont, ai po krijon vrull për ndryshime të rëndësishme në politikën e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë botën.
Edhe liderët në Evropë që kanë mbështetur prej kohësh regjimin rus kanë filluar të ndryshojnë drejtim. Nuk ka dyshim se, pas dhunës së 24 shkurtit, rendi ndërkombëtar i vendosur është tronditur dhe në disa aspekte është përmbysur, në mënyra të pashoqe, duke tërhequr Kinën dhe Shtetet e Bashkuara në konflikt, i cili ka potencialin të nisë një Luftë të Tretë Botërore.
Teksa vëzhgojnë nga afër krizën politike dhe humanitare që po shpaloset në Ukrainë, ish-qarqet e shkatërruara nga lufta në Evropën Juglindore, Bosnja dhe Hercegovinë dhe Kosova veçanërisht, i druhen një katastrofe, ndërsa Moska kërkon të kthejë pas kohën dhe të rifitojë sferën e humbur të ndikimit të Rusisë, më parë pranë kufijve të tyre.
Liderët e NATO-s në një samit urgjent kanë miratuar shtim të numrit të forcave ushtarake në Evropën Lindore, si Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani.
Por ata e kanë lënë Bosnjën dhe Kosovën të pa pajisura për t’u përballur me efektet e mundshme që mund të vijnë nga Rusia dhe aleati i saj më i ngushtë në rajon, Serbia, së bashku me Milorad Dodik, liderin serb të Bosnjës.
Histori qetësimi të dështuar në Evropën Juglindore
Historia mund t’i ndihmojë liderët perëndimorë të nxjerrin mësime nga e kaluara, të cilat mund të ndihmojnë në parandalimin e konflikteve në Bosnje dhe Kosovë.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka injoruar prej kohësh paralajmërimet për Vladimir Putinin nga ish-atasheu i saj i mbrojtjes, për arsye ekonomike, duke përfituar nga shndërrimi në një parajsë fiskale për oligarkët rusë.
Në mënyrë të ngjashme, qeveritë perëndimore injoruan paralajmërimet për liderin e Serbisë Sllobodan Millosheviç dhe ekipin e tij, siç ishte masakra e vitit 1995 në Srebrenicë, Bosnje.
Pak vite më vonë, qetësimi i Serbisë u tentua sërish në bisedimet e Rambujesë për përfundimin e konfliktit në Kosovë, duke i dhënë Kosovës autonomi, të cilën qeveria serbe e refuzoi. Ndërhyrja humanitare më pas pasoi në vitin 1999 me bombardimin e NATO-s mbi Serbinë.
Qetësimi u tentua edhe në rastin e Rusisë, përpara fillimit të luftës në Ukrainë, duke nënvlerësuar bindjet politike të Putinit.
Nga kjo histori duhet të nxirren mësime dhe ato duhet të zbatohen për destabilizuesin aktual të rajonit, Serbinë, aleatin më të ngushtë të Rusisë, për të parandaluar një luftë tjetër si ajo e 1999-ës.
Konteksti lokal ka treguar se liderët autokratikë shpesh mbështeten dhe qetësohen nga komuniteti perëndimor për interesat e tyre kombëtare, qofshin ato ekonomike apo politike.
Në rastin e Serbisë, presidenti i saj aktual, Aleksandër Vuçiç, ishte këshilltar i Millosheviçit, regjimi i të cilit kreu gjenocid në ish-Jugosllavi në vitet 1990.
Në një nga fjalimet e tij, ish-ministri i brendshëm i Serbisë dhe ish-ministri i mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka thënë se detyra e këtij brezi politikanësh serbë është të krijojë një “botë serbe” për të mbrojtur serbët. “Nëse nuk e krijojmë, druhem se nuk do ta mirëpresim brezin e ardhshëm të serbëve”, theksoi ai.
Ndërsa këmbëngul se kjo “botë serbe” mund të bëhet vetëm në mënyrë paqësore, Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje veçanërisht të rinjve të lindur në 2004 dhe më parë të regjistrohen në ushtri.
Pyetja është, pse dhe për çfarë shkaku? Rruga e paqes është qartësisht vetëm retorikë, siç e tregojnë jo vetëm regjistrimi në ushtri në Serbi, por edhe veprimet serbe në Bosnje dhe Kosovë.
Bindjet politike të Vuçiçit që nga koha e tij me Millosheviçin nuk kanë ndryshuar dhe mbështeten nga lëvizje ushtarake si regjistrimi i të rinjve në ushtri, edhe nëse komuniteti ndërkombëtar e ka kundërshtuar këtë, njësoj si dhe me Putinin.
Vuçiç njihet brenda vendit si një autokrat efikas kur bëhet fjalë për heshtjen e opozitës dhe përdorimin e mbikëqyrjes më të sofistikuar, me pajisjet e ofruara nga Kina.
Kjo tregon se ai është gjithashtu një problem i brendshëm, edhe pse për momentin nuk po njihet si kërcënim nga komuniteti ndërkombëtar. Tendenca e tij për të qetësuar autokratët ka dështuar në mënyrë të përsëritur për të prodhuar një paqe të qëndrueshme, siç tregon shembulli i Asadit në Siri dhe tani Putinit.
Ndërsa u përgjigjej pyetjeve pas deklaratës së tij për ngjarjet në Ukrainë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Vuçiç, në një moment entuziazmi të shfrenuar, ofroi një shprehje latine: “Quod licet Iovi, non licet bovi”, ose, ajo që është e lejueshme për Jupiterin, nuk është e lejueshme për një dem”. Kjo ishte përgjigja e tij ndaj pyetjeve në lidhje me pozicionin e formuluar keq të Serbisë për “mungesën e një përkufizimi të qartë të agresionit rus kundër shtetit sovran të Ukrainës”.
Fraza latine tregon qartë një justifikim të veprimeve të Rusisë, qoftë edhe, për arsye strategjike dhe taktike, Vuçiç nuk mund t’ia lejojë vetes ta thotë hapur këtë. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, më hapur është shprehur se Serbia dhe Rusia janë një.
Ndërsa shumë argumentojnë se Serbia po ruan një qëndrim të ekuilibruar dhe disa e shohin Vuçiçin si një oportunist, politika e tij mund të shihet gjithashtu si një formë lufte hibride me Perëndimin, një lojë e ngjashme me atë që po luan Putini dhe që mund të shpërthejë përtej kufijve gjeografikë të Perëndimit, edhe më afër se Ukraina.
Në fillim të luftës në Ukrainë, Serbia ishte një nga vendet e pakta ku shumë njerëz mbështesin Rusinë. Deri në 4,000 njerëz morën pjesë në një demonstratë pro-ruse në kryeqytet më 5 mars.
Mediat e kontrolluara nga shteti serb qarkullojnë lajme pro-ruse për të forcuar vëllazërinë mes serbëve dhe rusëve.
Serbia gjithashtu ka ende një qendër “humanitare” serbo-ruse në Nis, të cilën nuk e ka mbyllur pavarësisht sanksioneve evropiane për ndihmën ndaj Rusisë. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka argumentuar se Rusia po merr luftëtarë të huaj nga Serbia, mes vendeve të tjera.
Hapësira ajrore serbe mbetet e hapur ndaj Rusisë edhe pse të gjitha vendet e tjera evropiane e kanë mbyllur të tyren. Qendra Stratcom ka raportuar se rusët shfrytëzojnë këtë për të shmangur ndalimin e fluturimeve nga BE-ja.
Air Serbia ka ende 15 fluturime direkte nga Moska në Beograd në javë. Rusët që mbërrijnë në Serbi udhëtojnë për në Evropë, me destinacione kryesore Qipron, Francën, Zvicrën dhe Italinë. Kështu, politika e jashtme dhe ajo e mbrojtjes serbe shkel politikën e BE-së dhe nuk tregon vullnet për t’u bashkuar me BE-në, pavarësisht kërkesës së Serbisë për anëtarësim në BE.
Ndërsa Bjellorusia dënohet dhe sanksionohet për aleancë me Rusinë, Serbia jo. Ky standard i dyfishtë mund t’i kushtojë Evropës një luftë tjetër, herët a vonë. Evropa u paralajmërua për Putinin, por ajo i shpërfilli këto paralajmërime.. Të njëjtin gabim po bën edhe me Serbinë.
Bosnja dhe Hercegovina i druhet një skenari si ai në Ukrainë
Bosnja është një nga vendet në Evropën Juglindore, qytetarët e së cilës kanë më shumë frikë nga një “skenar ukrainas”.
Në fjalimin e tij pas takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s më 4 mars 2022, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, duke folur për agresionin rus kundër Ukrainës, tha se ministrat kishin “diskutuar mbështetje më të fortë për partnerët që mund të jenë në rrezik”. duke iu referuar Bosnjës Hercegovinës dhe Gjeorgjisë.
Pak ditë më parë, në fund të shkurtit, Stoltenberg dërgoi një mesazh të ngjashëm pas samitit të jashtëzakonshëm virtual të krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s, ku përsëri përmendi Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Bosnjën si vende që NATO-ja duhet të mbështesë.
Me të drejtë Stoltenberg shprehu shqetësimin për këto vende, të cilat, në varësi të rrjedhës së luftës në Ukrainë, mund të bëhen objektivat e radhës të Rusisë apo satelitëve të saj në Evropë.
Kriza kushtetuese e Bosnjës është shkaktuar nga veprimet e anëtarit serb të presidencës shtetërore të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe qeverisë së entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska.
Ambasadori i Rusisë në Bosnje, Igor Kalabuhov, ndërkohë ka dërguar vazhdimisht mesazhe kërcënuese për qytetarët.
Bosnja ka të drejtë të vendosë nëse do të anëtarësohet në NATO, tha Kalabuhov, ndërsa paralajmëroi se Rusia rezervon të drejtën t’i përgjigjet një mundësie të tillë.
Nëse Bosnja “vendos të jetë anëtare e ndonjë aleance, kjo është një çështje e brendshme. Përgjigja jonë është një çështje tjetër. Shembulli i Ukrainës tregon atë që presim ne. Nëse ka ndonjë kërcënim, ne do të përgjigjemi”, tha ai.
Në një intervistë të mëvonshme, Kalabuhov pohoi se ajo që ai tha nuk duhet të merret si kërcënim, por si një “paralajmërim”.
Këto kërcënime nuk janë të reja për Bosnjën, por janë normalizuar gjithnjë e më shumë, siç ishin kërcënimet e Putinit për të pushtuar Ukrainën.
Dodik ka paralajmëruar më parë se nëse Perëndimi përpiqet të ndërhyjë në planet e tij secesioniste, ai do të thërrasë për ndihmë “miqtë” e tij të huaj, duke nënkuptuar qartë Rusinë.
Serbia, e udhëhequr nga Vuçiç, mbështeti rezolutën e Kombeve të Bashkuara që dënon sulmin rus ndaj Ukrainës, por refuzoi të vendosë sanksione kundër Moskës.
Pavarësisht se sa me kujdes i zgjedh fjalët e tij në daljet publike dhe shmang mesazhet ekstreme, marrëdhënia e tij me Dodikun deri më tani ka qenë një marrëdhënie mirëkuptimi dhe mbështetjeje reciproke.
Vuçiç nuk dënoi asnjëherë publikisht ndonjë nga lëvizjet e Dodik. Përkundrazi, Putini ka përdorur Vuçiçin dhe Dodikun për vite me radhë për të ndaluar integrimin e Bosnjës në strukturat euroatlantike, duke dashur të tregojë se është një shtet i dështuar.
Në të njëjtën kohë, Vulin, në një panel diskutimi të organizuar në qytetin serb të Bosnjës, Bijeljina, theksoi edhe një herë nevojën që të gjithë serbët të jenë të bashkuar, duke thënë se ata kanë të drejtë të kujdesen për njëri-tjetrin, pavarësisht nëse jetojnë në një ose më shumë vende, dhe se “bota serbe” nuk është kërcënim për asnjë komb.
Ai shpjegoi se kur thotë “bota serbe”, nënkupton se serbët, kudo që jetojnë, duhet të kenë një pikëpamje të bashkuar për çështje kritike kombëtare, qasjen kulturore dhe qëndrimin ndaj së kaluarës dhe së ardhmes.
Ndërsa në Serbi afrojnë zgjedhjet e përgjithshme, Serbia kundërshtoi një sugjerim nga Lituania, anëtare e BE-së, se vendi mund të ndëshkohet për refuzimin për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Në Bosnje, Dhoma e Popullit e parlamentit nuk arriti të mbështeste një propozim që do të detyronte qeverinë të ndiqte politikën e BE-së për masat kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës.
Nga 15 delegatë, shtatë votuan “pro”, shtatë “kundër” dhe dy abstenuan. Shtatë delegatët që votuan kundër ishin të gjithë nga radhët e serbëve, plus Marina Pendes dhe Dragan Covic nga Bashkimi Demokratik Kroat.
Pikëpamja e Serbisë për Kosovën i bën jehonë pikëpamjes së Rusisë për Ukrainën
Oliver Jens Schmitt, një historian zviceran, argumenton se “marrëdhëniet Kosovë-Serbi mund të krahasohen me marrëdhëniet Ukrainë-Rusi, për sa i përket strategjisë së Serbisë, diskursit nacionalist të Serbisë, rëndësisë së sistemit të shërbimit sekret ushtarak në organizimin e shtetit”.
Kjo kërkon një përgjigje të kujdesshme ndaj Serbisë në këtë moment. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në Kosovë janë zbuluar disa provokime të nxitura nga Serbia.
Institucionet e sigurisë së Kosovës më 26 shkurt arrestuan tre shtetas serbë që planifikonin të kryenin operacione “flamuri të rremë” që synonin të rrisnin tensionet përmes një incidenti të organizuar ndëretnik.
Kjo tregon se destabilizimi nuk vjen vetëm nga Rusia, por edhe nga Serbia. Njëri nga personat e arrestuar ka pasur kontakte me Agjencinë Serbe të Inteligjencës.
Për më tepër, në përvjetorin e vrasjeve masive të familjes Jashari në Kosovë nga forcat serbe, në vitin 1998, ministri i brendshëm i Serbisë Vulin vizitoi njësitë speciale të policisë në kufirin me Kosovën.
Në mes të krizës ukrainase, numri i provokimeve serbe mbetet i lartë në Kosovë.
Parandalimi i besueshëm i konflikteve kërkon veprime, jo fjalë
Pushtimi rus i Ukrainës mund të paraqesë një shans për Bosnjën dhe Kosovën që të heqin përfundimisht ndikimin rus, i cili është rritur dhe ka bllokuar këto vende prej vitesh.
NATO-ja dhe BE-ja duhet të jenë të vetëdijshme se parandalimi i besueshëm i konflikteve në këtë fazë është thelbësor.
Të dy organizatat ndërkombëtare duhet të ofrojnë trupa të mëtejshme në terren, për të penguar çdo konflikt të mundshëm që mund të ndizet kur kanë të bëjnë me Putinin dhe Vuçiçin.
Dëshmitë që ofron historia dhe rastet e Bosnjës dhe Kosovës tregojnë se Serbia e Vuçiçit po ndjek të njëjtin shembull me Putinin në rajon.
Si përfundim, Perëndimi duhet të kalojë nga parandalimi i konflikteve me fjalë te parandalimi i konfliktit me veprime, gjë që është e rëndësishme për BE-në dhe NATO-n në një rend global në ndryshim.
BE-ja, për shkak të tronditjes aktuale nga lufta në Ukrainë, e kupton situatën e paqëndrueshme dhe do të mbështesë ri-angazhimin me Bosnjën dhe Kosovën dikur të shkatërruara nga lufta.
Liberalizimi i vizave me Kosovën duhet të jepet nga BE-ja, NATO-ja dhe BE-ja duhet të fillojë hapjen e negociatave me Kosovën dhe Bosnjën për të shmangur çdo konflikt të mundshëm të ardhshëm në Evropë.
Duke pasur parasysh përgjigjen e paqartë të Kinës ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, kjo bëhet një çështje lufte apo paqeje në kontinentin evropian. Ky është një shans që Evropa dhe Bashkimi Evropian të tregojnë forcën e tij si një aktor rajonal, dhe NATO-ja së bashku me BE-në të tregojnë sukses në parandalimin e një tjetër lufte evropiane.
Gabimi me Putini tashmë është bërë, por ai me Vuçiçin dhe Dodikun, që mund të shkaktonte një luftë të përgjakshme, mund të shmanget akoma.
Progresi me integrimin e Bosnjës dhe Kosovës në sistemin perëndimor është i një rëndësie vendimtare pikërisht në këtë moment – kur popullsia vendase e Evropës është e gatshme ta mbështesë atë dhe kur nevojat gjeopolitike për këtë janë të qarta.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.