Enver Hoxhaj ndalon traktorin e tij pranë vendit ku një njësi guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte bazën e saj 24 vjet më parë, gjatë kohës së luftës.
Në fshatin Budakovë në komunën e Suharekës të Kosovës, Hoxhaj më pas bashkohet me disa nga ish-shokët e tij guerilë në kopshtin e një kafeneje aty pranë.
Fshati është një nga tre lokacionet e qendrave të supozuara të paraburgimit të UÇK-së ku pretendohet se janë kryer krime – krime për të cilat burrat që më vonë u bënë figura kryesore politike në Kosovën e pasluftës supozohet se kanë pasur përgjegjësi komanduese.
Këto krime i janë shtuar së fundmi një aktakuze ekzistuese që akuzon katër udhëheqës të profilit të lartë guerilë të kohës së luftës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata përfshijnë ish-drejtorin politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, i cili më vonë u bë president i Kosovës, si dhe Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Aktakuza e ndryshuar pretendon se midis 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999, 12 shqiptarë të Kosovës u mbajtën dhe u torturuan në qendrat e paraburgimit të UÇK-së në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë.
“Të ndaluarit u goditën në të gjithë trupin. Të ndaluarit, duke përfshirë të paktën një mbështetës të LDK-së (partia politike Lidhja Demokratike e KosovësÇ, u morën në pyetje dhe u akuzuan për shoqërim, bashkëpunim ose ndihmë të serbëve dhe autoriteteve serbe”, pretendon ajo.
Ai thotë gjithashtu se të paktën tre serbë u ndaluan në fund të qershorit 1999 dhe korrikut 1999 dhe u mbajtën në një ish-shkollë dhe konvikt në qytetin lindor të Gjilanit ku iu nënshtruan rrahjeve të rënda dhe abuzimit psikologjik.
Megjithatë, ish-anëtarët e UÇK-së si Hoxhaj dhe shokët e tij janë të indinjuar nga aktakuza dhe insistojnë se akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë janë të rreme.
Hoxhaj, i cili u bë pjesë e Korpusit Mbrojtës të Kosovës, i cili ekzistoi nga viti 1999 deri në vitin 2009 pas demilitarizimit të UÇK-së, por që nga ajo kohë ka qenë i papunë, pohoi se identiteti i viktimave të supozuara dhe detajet e incidentit në Budakovë janë plotësisht gabim.
“Në korrik të vitit 1998, tre anëtarë të UÇK-së ndaluan katër serbë të armatosur rëndë në fshatin Muhlan, i çarmatosën dhe i liruan. Askush nuk i burgosi ata”, tha ai për BIRN.
“Të njëjtët anëtarë të UÇK-së u kapën nga forcat serbe muaj më vonë dhe u dënuan secili me 13 vjet burg. Ata ishin në mesin e më shumë se 2,000 të burgosurve të dërguar në Serbi”, shtoi ai.
Hoxhaj shpjegoi se tre anëtarët e UÇK-së më pas u liruan në vitin 2000 pasi parlamenti jugosllav miratoi një amnisti për shqiptarët e burgosur të Kosovës. “Ata kanë vendimin e tyre gjyqësor nga Serbia, në të cilin gjithçka është e qartë. Bëhet fjalë vetëm për ndalimin dhe keqtrajtimin e katër serbëve të armatosur, por jo për ndonjë burgosje”, tha ai.
Xhemail Kokollari, kryetari Budakovës, i cili gjithashtu është ish-anëtar i UÇK-së, tha se nuk do të vërtetohet kurrë se në fshat ka pasur ndonjë qendër paraburgimi.
“Jam shumë i indinjuar për aktakuzën. I gjithë fshati është i hidhëruar për këtë”, tha Kokollari për BIRN.
Të dyshuarit vetëdeklarohen “të pafajshëm”
Në një tjetër vend të pretenduar paraburgimi që i është shtuar së fundi aktakuzës së ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve, në një seli të UÇK-së në Gjilan, të paktën tre serbë pretendohet se janë ndaluar dhe keqtrajtuar.
“I ndaluari i parë është ofenduar dhe është marrë në pyetje për të tjerë dhe është akuzuar se ka kryer krime ndaj shqiptarëve të Kosovës. Njëri prej tyre u gjet i vdekur në qershor të vitit 2000, ndërsa eshtrat e të tjerëve u gjetën në vitin 2002”, thuhet në aktakuzën e ndryshuar.
Ajo thotë se incidentet ofrojnë “shembuj të mëtejshëm të pjesëmarrjes personale të të akuzuarve në kanosjen, marrjen në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve të UÇK-së”.
Një nga mësuesit e një shkolle e cila është afër konviktit të studentëve në Gjilan tha se kishte dëgjuar se persona të uniformuar po ruanin ndërtesën menjëherë pas luftës. “Ishte pikërisht ajo që kam dëgjuar. Por personalisht nuk kam parë kurrë asnjë”, tha për BIRN mësuesi, i cili kërkoi të mbetet anonim.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë të dyshuar të profilit më të lartë që akuzohen nga prokurorët e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Ata të gjithë u vetëdeklaruan të pafajshëm për akuzat e reja që iu shtuan aktakuzës, siç u vetëdeklaruan edhe për akuzat fillestare ndaj tyre.
Pretendimet kundër katër burrave tani përfshijnë akuza të ndryshme për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë persekutimin, burgosjen, torturën, vrasjen, zhdukjet me forcë dhe akte të tjera çnjerëzore, si dhe disa akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
Aktakuza thotë se krimet janë kryer nga anëtarë të UÇK-së së paku nga marsi 1998 deri në shtator 1999 në disa lokacione anembanë Kosovës, si dhe në veri të Shqipërisë.
Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik kundër njerëzve të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.
Përveç tre qendrave të paraburgimit të shtuara së fundmi në aktakuzë, janë edhe 22 objekte të tjera paraburgimi ku dyshohet se janë mbajtur, keqtrajtuar dhe torturuar të burgosur të UÇK-së, sipas prokurorëve.
Ata e akuzojnë Thaçin dhe ish-oficerët e tjerë të lartë të UÇK-së se janë përgjegjës për gati 100 vrasje gjatë kryengritjes së tyre guerile kundër ushtrisë, policisë dhe forcave paraushtarake të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Shpresë për familjet e të zhdukurve
Edhe para aktakuzës së ndryshuar, e ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” nuk shihej me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin atë si fyerje për luftën e UÇK-së për çlirim nga sundimi represiv serb.
Por, shtesat në aktakuzë, edhe pse të dënuara nga veteranët e UÇK-së, janë mirëpritur nga disa familje të personave të zhdukur gjatë luftës.
Djali i një shqiptari të Kosovës i cili u zhduk në korrik 1998 tha se ky mund të jetë një sinjal se mund të jetë ende e mundur të merret informacion për atë që ka ndodhur.
“Nëse persona të tjerë akuzohen, kjo do të sjellë pak shpresë për fatin e babait tim”, tha ai për BIRN në kushte anonimiteti.
Shtimi i aktakuzës sinjalizon gjithashtu mundësinë që mund të ketë edhe më shumë shtesa, sipas ekspertëve të përfshirë në monitorimin e gjyqeve të krimeve të luftës.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi me seli në Prishtinë, argumentoi se akuzat duhej të ishin ngritur siç duhet nga prokuroria kur u ngrit aktakuza për herë të parë në tetor 2020.
“Prokurori i Specializuar trashëgoi një dosje e cila ishte hetuar më parë nga Task Forca Hetuese e Bashkimit Evropian, e cila u krijua dhjetë vjet më parë, duke përfshirë prova të reja që u morën më vonë”, tha Miftaraj për BIRN.
“Prokuroria u përball me një dosje të trashëguar voluminoze, por kjo nuk e arsyeton ngritjen e aktakuzës para kohe dhe jo të plotë, gjë që e shtyu prokurorinë ta ndryshojë atë pas një viti e gjysmë”, tha ai.
Sipas rregullores së punës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, prokuroria mund ta ndryshojë aktakuzën para ose pasi ajo të konfirmohet nga gjykata, me autorizimin e gjyqtarit të procedurës paraprake ose me autorizimin e trupit gjykues pas fillimit të gjykimit.
“Deri në përfundim të gjykimit në shkallë të parë, aktakuza ende mund të ndryshohet”, theksoi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i cili ka kaluar vite duke dokumentuar krimet e kryera gjatë luftës.
Alija argumentoi megjithatë se akuzat e reja “nuk ndryshojnë asgjë nga aktakuza fillestare” sepse prokuroria i qëndron akuzave të saj kryesore – se katër burrat ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe kishin përgjegjësi komanduese për krimet e kryera nga autorët e drejtpërdrejtë.
Deri më tani, nuk është caktuar asnjë datë për fillimin e gjyqit.
Figurat udhëheqëse të luftës: rolet e të dyshuarve në kohën e luftës dhe të pasluftës
Hashim Thaçi
Roli gjatë kohës së luftës: Drejtor politik i UÇK-së
Postet pas luftës: Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (tetor 1999-shkurt 2016); Kryeministër (janar 2008-dhjetor 2014); Ministër i Punëve të Jashtme (dhjetor 2014-prill 2016); Presidenti i Kosovës (prill 2016-nëntor 2020)
Kadri Veseli
Roli gjatë kohës së luftës: Shef i Shërbimit Informativ të UÇK-së
Postet pas luftës: Shef i Shërbimit Informativ të Kosovës, SHIK (1999-2008); nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (2013-2016); kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (2016-2020); kryetar i parlamentit (2014-2020)
Jakup Krasniqi
Roli gjatë kohës së luftës: Zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së
Postet pas luftës: Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (2000-2013); Ministër i Shërbimeve Publike (2002-2005); kryetar parlamenti (2008-2013); kreu i asamblesë së partisë NISMA (Nisma Socialdemokrate) (2013-2020)
Rexhep Selimi
Roli gjatë kohës së luftës: Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së
Postet pas luftës: Ministër i Brendshëm në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (1999); Komandant i Stërvitjes dhe Doktrinës së Korpusit Mbrojtës të Kosovës (2000-2001); deputet i Kuvendit të Kosovës (2010-2020)