Ilir Likmeta e ka lidhur varkën e tij të peshkimit prej muajsh në breg. Si shumë peshkatarë të tjerë të licensuar në Durrës, Likmeta ankohet se kriza e çmimit të naftës e ka nxjerrë atë jashtë biznesit.
Pronari i peshkarexhës është gjithashtu i shqetësuar për lulëzimin e gjuetisë pa kriter, që sipas tij po shteron rezervat e peshkut në det.
“Në Itali, nuk gjuhet në periudhën korrik-gusht, në fund të shtatorit fillon peshkimi. Këtu nuk kontrollon njeri, dalin mbi 200 anije menjëherë në det,” tha Likmeta.
Ndonëse ka miratuar një ligj për peshkimin sipas direktivave të Bashkimit Europian dhe e ndëshkon “peshkimin e ndaluar” përmes Kodit të vet Penal, Shqipëria numëron ndëshkime minimale me gjobë dhe ndëshkime penale në kufijtë e zeros.
Në qytetin bregdetar të Durrësit, porti më i madh i peshkarexhave të vendit, është shënuar vetëm një proces gjyqësor për veprën penale të “peshkimit të ndaluar” në dhjetë vitet e fundit.
Por mungesa e rekordeve penale nuk pasqyron mungesën e paligjshmërisë në sektorin e peshkimit.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi dhe intervistave me peshkatarë tregojnë se gjuetia e paligjshme ka evoluar nga përdorimi i dikurshëm i lëndëve primitive plasëse tek peshkimi intensiv dhe në shkelje të distancave nga bregu – çka rrezikon ekosistemin dhe rezervat e gjallesave në det.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, këto shkelje përbëjnë kundravajtje administrative dhe dënohen me gjobë.
“…Gjuetia e paligjshme me rrjeta apo në kundërshtim me kushtet e licensës klasifikohet si kundravajtje administrative dhe nga ana jonë janë marrë 79 masa administrative, vendim me gjobë për vitin 2021,” tha Ministria e Bujqësisë në një përgjigje me shkrim.
E pyetur për masat, Ministria e Bujqësisë tha se po planifikon ndërhyrje, që sipas saj do të intensifikohen edhe me marrjen e dy anijeve patrulluese nga Bashkimi Europian.
Monitorimi satelitor i anijeve
Gjatë vitit 2021, Shqipëria numëroi 752 subjekte të licensuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit sipas Institutit të Statistikave, INSTAT, me një rritje të lehtë nga një vit më parë. Porti i Durrësit mbart numrin më të madh të anijeve të licensuara me 37% të totalit, i ndjekur nga porti i Vlorës dhe ai i Sarandës.
Nga totali i subjekteve të licensuara, vetëm 204 anije me përmasa mbi 12 metra janë pajisur me sistemin e monitorimit satelitor – Vehicle Monitoring System, VMS, i cili i transmeton koordinatat në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare, QNOD.
Por Ministria e Bujqësisë pretendon se sistemi VMS i ka zgjidhur problemet me peshkimin.
“Që nga fundi i janarit 2022, asnjë anije peshkimi mbi 12 metra nuk peshkon në zonën e ndaluar që është 3 milje detare ose 50 metra thellësi,” tha Ministria e Bujqësisë për BIRN.
Edhe Ali Baze, kreu i Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës i tha BIRN se me funksionimin e sistemit VMS, problematikat janë minimizuar.
“Anijet që janë nën 12 metra [të papajisura me VMS] monitorohen periodikisht sipas programeve të miratuara nga Inspektoriati Qendror,” tha Baze.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare japin një panoramë të ndryshme.
Nga 79 raste shkeljesh të identifikuara gjatë vitit 2021, 72 u konstatuan në periudhën maj-dhjetor 2021, kur ishte në funksion sistemi VMS. Mes tyre, 30 raste u identifikuan mes peshkarexhave të Durrësit.
Edhe gjatë vitit 2022 janë kapur në shkelje të ligjit pesë anije peshkimi, tre prej të cilave në Durrës, ndaj së cilave është vënë gjobë.
QNOD thotë se format më të përhapura të abuzimit kanë qenë “rastet e mosrespektimit të distancës nga bregu i anijeve të peshkimit”. QNOD tha gjithashtu se të gjitha rastet kur dyshohet se mjetet e peshkimit ndodhen në distancën më pak se 3 milje apo pranë zonave të mbrojtura i raporton te Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës.
“Për të verifikuar situatën në terren, koordinohet me përfaqësuesit e strukturave të tjera ligjzbatuese që kanë mjete lundruese në patrullim, apo që ndodhen më afër zonës, si dhe me inspektorët e peshkimit,” shtoi QNOD.
Në korrik 2022, një njoftim i Policisë Kufitare të Durrësit vuri gjithashtu në dyshim mënyrën se si funksionon sistemi VMS, pasi një anije e kapur me 80 mijë litra naftë kontrabandë, e kishte fikur sistemin e monitorimit satelitor në det të hapur.
E pyetur nga BIRN, QNOD tha se rasti i shkëputjes apo fikjes së sinjalit satelitor VMS ‘nuk është një fenomen”.
“Nuk zë peshk me kile”
Përveç anijeve dhe peshkarexhave të licensuara, mjetet e vogla ujore apo peshkatarët amatorë duhet gjithashtu t'i nënshtrohen ligjit për peshkimin si dhe të aplikojnë për autorizim në e-Albania për aktivitetin e tyre çlodhës-argëtues, por pak prej tyre i zbatojnë këto rregulla.
Përgjatë vijës bregdetare, qindra mjete të vogla operojnë në gjuetinë e peshkut pa autorizim, ndërsa barka, sanalle, pedalina apo dhe mjete të tjera lundruese të sajuara vetë nga peshkatarët dalin çdo natë në det.
Peshkatarët e intervistuar nga BIRN i konsiderojnë burokraci të panevojshme udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë për peshkimin, ndërsa disa thotë se gjuajnë për qejf dhe të tjerë për të mbajtur familjen.
Në zonën e plazhit në fund të korrikut, një peshkatar është duke pastruar rrjetën dhe po bëhet gati ta hedhë atë në det.
“Ne s'peshkojmë me dinamit, ka të tjerë që e bëjnë, por jo në Durrës,” tha ai pa pranuar të identifikohet. “Ne peshkojmë me rrjeta, me leje, pa leje tjetër gjë,” shtoi ai.
Ai thotë se peshkimi është për të mjet jetese, por e shqetësojnë pyetjet mbi pasojat e kryerjes së këtij aktiviteti pa leje. Kur e pyet nëse ai vetë ka aplikuar për autorizim, peshkatari përgjigjet se “e-Albania ka rënë dhe s'ke ku merr leje”.
Në portin e peshkimit në Durrës, Arbeni peshkon me grep dhe pranon se askush nga ata që ai njeh nuk e përdor e-Albanian.
“Unë peshkoj për qejf dhe nuk zë peshk me kile,” tha Arbeni, ndërsa shtoi se në ditën më të mirë mund të kapë 1 ose 2 kilogram, edhe kjo gjithnjë e më rrallë.
Peshkatarë të tjerë i thanë BIRN se koha e peshkimit me dinamit apo me lëndë të tjera plasëse është tejkaluar tashmë edhe nga peshkatarët abuzivë. Por ata mendojnë se nuk janë ata përgjegjës për varfërimin e rezervave të peshkut si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të detit.
Edi, punonjës peshkimi prej 6 vjetësh, ka një mendim të ndryshëm dhe shqetësohet se varfërimi i rezervave mund t'u kushtojë punën shumë personave në të ardhmen.
“Peshkimi është jetë, është gjak dhe djersë për të gjithë ne që punojmë këtu, që zgjohemi në 2 të natës edhe në dimër për të mbledhur rrjetat në të ftohtë dhe errësirë, në det të hapur,” tha ai.
“Mbaj familjen me këtë punë, po peshku kur shumohet nuk duhet ngarë, siç bëjnë të gjithë këtu,” shtoi ai.
Ylli Qevani, mësues në degën e detarisë në shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” thekson gjithashtu rëndësinë e edukimit edhe në sektorin e peshkimit.
“Unë kam punuar kapiten anijeje dhe tregu sot është shumë i etur për marinarë dhe peshkatarë,” tha Qevani, ndërsa shtoi: “ne duhet ta trashëgojmë detin, por duke e mbrojtur atë”.