Ambientet e ish-hotelit ‘Sheraton’ në Tiranë ishin të ndriçuara me ngjyrat e flamurit meksikan dhe atij shqiptar më 27 shkurt 2013.
Mes tingujve të një bande ‘mariachi’, stafit të shërbimit të veshur me kapele ‘sombrero’ dhe fustaneve shumëngjyrëshe të dekoruar me lule të njohura si ‘huipiles’, një turmë zyrtarësh dhe politikanësh shqiptarë si dhe ish-ambasadori meksikan në Itali ishin mbledhur për të festuar hapjen e konsullatës së Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Tiranë dhe emërimin e manjatit të medias, Ylli Ndroqi si konsull nderi.
Ish-zv. ministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja, vlerësoi në fjalën e tij kontributin e Ndroqit në jetën publike.
“Dua të shpreh vlerësimin tim për emërimin e zotit Ylli Ndroqi si një njeri me kalibër të veçantë dhe kontribut të veçantë të biznes media dhe sport,” tha Belortaja.
Një vlerësim të ngjashëm për Ndroqin dha edhe ish-ambasadori meksikan në Romë, Miguel Ruiz Cabanas – një diplomat karriere që sot shërben si zëvendës ministër i Çështjeve Shumëpalëshe dhe të Drejtave të Njeriut në Meksikë.
“Jam shumë krenar që jam këtu për të dorëzuar emërimin e konsullit të Nderit të Meksikës në Tiranë, zotit Ylli Ndroqi, një shqiptar i njohur që përfaqëson të ardhmen e këtij vendi të shkëlqyer,” tha Cabanas.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, MEPJ, Ndroqi shërbeu si konsull i Meksikës në Tiranë deri në prill të vitit 2018 dhe për një periudhë, ai udhëhoqi edhe shoqatën e konsujve të nderit si president.
Një muaj pas lënies së detyrës, Ndroqi ia kaloi stafetën bashkëshortes së tij, Mimoza Ndroqi, e cila në maj 2018 u emërua konsulle nderi e Republikës së Kosovës në Vlorë.
Dy vjet më vonë, në 3 korrik 2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, SPAK urdhëroi sekuestrimin e aseteve të familjes Ndroqi, me dyshimin se ato rrjedhin nga trafiku i drogës.
Një ditë më pas, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i ndërpreu mandatin si konsulle nderi Mimoza Ndroqit, duke i dhënë fund aventurës diplomatike të çiftit nga Tirana.
Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike, ISP i tha BIRN se në Shqipëri nuk ka një ligj specifik për praktikat e pranimit të konsujve, por vetëm një rregullore që e trajton parimisht dhe pa instrumente konkrete këtë procedurë.
Megjithë boshllëqet ligjore, sipas Krasniqit, në çdo rast MEPJ dhe institucionet e sigurisë komunikojnë për verifikimet e të dhënave që lidhen me sigurinë dhe elementë të tjerë me rëndësi në imazhin e raportet shtetërore, dhe nëse ka të dhëna kritike i bëhen të njohura palës propozuese në rrugë jopublike.
“Në përgjithësi kjo rrugë verifikimi respektohet, por në rastin shqiptar ka ndodhur që, kryesisht një numër i madh biznesmenësh, në përpjekje për të fituar mbrojtje diplomatike dhe imazh publik, kanë arritur të gjejnë një shtet për t’u emëruar konsuj dhe për shkak të ndikimit të tyre politik e publik në Shqipëri, autoritetet tona u kanë dhënë pëlqimin pa kryer procedura të thelluara verifikimi,” tha ai.
“Devijimi nga praktika dhe norma për shkak të njohjeve personale e politike ka krijuar edhe precendentë negativ për kulturën shtetërore,” shtoi Krasniqi.
Ndryshe nga ambasadorët dhe të dërguarit zyrtarë, konsujt e nderit nuk paguhen. Ata e zhvillojnë aktivitetin e tyre diplomatik në Shqipëri duke forcuar bashkëpunimin dhe duke promovuar interesat e vendeve të huaja që i emërojnë në detyrë.
Në shkëmbim të kontributit të tyre, ata përfitojnë imunitet të pjesshëm dhe përfitime të ngjashme me diplomatët e karrierës. Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, arkivi dhe korrespondenca e konsujve të nderit nuk mund të sekuestrohen, ndërsa posta dhe dërgesat e tyre nuk duhet të kontrollohen.
Përveç titullit honorifik dhe përfshirjes në ceremonialin shtetëror, konsujt e nderit përfitojnë targa të veçanta dhe dikur merrnin edhe pasaporta diplomatike.
Rasti i Ylli dhe Mimoza Ndroqit nuk është i izoluar. Një hulumtim ndërkombëtar i udhëhequr nga ProPublica dhe Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, ICIJ, në bashkëpunim me 160 gazetarë në 160 vende, ka zbuluar të paktën 500 konsuj ose ish-konsuj nderi të akuzuar për vepra penale ose të përfshirë në skandale.
Disa prej tyre janë dënuar për krime të rënda dhe janë akuzuar se kanë keqpërdorur statusin e tyre diplomatik për përfitime personale.
Përveç çiftit Ndroqi që shërbyen si konsuj nderi në Shqipëri për Meksikën dhe Kosovën, BIRN arriti të identifikonte dhe katër raste të ish-konsujve të nderit të Shqipërisë në botë që janë akuzuar për vepra të rënda penale, përfshirë pastrimin e parave, mashtrim dhe veprimin si një agjent i një vendi të huaj në SHBA.
E pyetur për ish-konsujt e nderit të Shqipërisë në botë të përfshirë në skandale, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i tha BIRN së në momentin e aplikimit, ata kanë qenë figura të pastra dhe nuk ka patur asnjë raportim nga vendet e huaja për përfshirje të tyre në procedime penale.
“Për t’i paraprirë përsëritjes së ndonjë situate të tillë në të ardhmen, MEPJ prej kohësh ka shtuar masat e vlerësimit dhe verifikimit të figurave të propozuara për konsuj nderi,” theksoi Ministria.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk iu përgjigj një kërkesë për koment mbi emërimin e zonjës Mimoza Ndroqi si konsulle nderi. Ndërkohë, edhe bashkëshorti i saj, Ylli Ndroqi, i kontaktuar nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, nuk komentoi në lidhje më akuzat e SPAK për pastrimin parash dhe arrestimin e tij në Turqi në vitin 2008 për trafik droge.
Me 3 nëntor, bazuar në ligjin ‘Anti-mafia‘, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi konfiskimin e pjesës më të madhe të pasurive të Ylli Ndroqit, përfshirë televizionin Ora News dhe pjesë të aksioneve të televizionit ‘Channel One’.
Njëri prej përfaqësuesve ligjorë të Ndroqit, avokati Jordan Daci e cilësoi vendimmarrjen si një goditje për lirinë e medias, duke vërejtur se kishte pasur kujdesje nga gjykata që të konfiskohej pjesa më e madhe e kuotave të “Ora News”, duke sjellë humbjen e kontrollit mbi këtë shoqëri.
Institucioni i konsullit të nderit ka një histori mijëravjeçare. Në Greqinë e lashtë, disa qytetarë të pasur të një qyteti-shet, të cilët ndjenin një lloj afrimiteti dhe miqësie me një shtet tjetër, merrnin titullin ‘proxenos’ dhe përmbushnin rolin dhe funksionet që sot mbahen nga konsujt e nderit. Me zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare në shekullin e XIX, profesioni i konsullit të nderit mori një hov dhe rol të ri si përfaqësues i interesave tregtare të një shteti jashtë kufijve të tij.
Por jo të gjithë vendet vazhdojnë ta mbajnë gjallë institucionin e konsullit të nderit. Shtetet e Bashkuara Amerikës e kanë ndaluar emërimin e konsujve të nderit që nga viti 1924, duke zgjedhur të përfaqësohen nga një trupë diplomatike profesioniste.
Për vende të vogla si Shqipëria, ekspertët mendojnë se një vendim i tillë nuk është i duhuri.
“Shtetet e Bashkuara kanë buxhet të madh diplomatik, ndërsa për vendet e vogla, institucioni i konsullit të nderit është i nevojshëm,” tha Ditmir Bushati, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Në vitin 1963, puna e konsujve të nderit u rregullua nëpëmjet Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Kjo konventë i garanton konsujve të nderit të drejtën për të udhëtuar dhe i jep imunitet të kufizuar për veprat të lidhen me punën e tyre konsullore.
Në Shqipëri, emërimi i konsujve të nderit filloi pas rrëzimit të regjimit komunist në vitin 1991 me hapjen e vendit ndaj botës.
Përveç konventës së Vjenës për marrëdhëniet konsullore, puna e konsullatave të nderit bazohet në nenin 102 të Kushtetutës, ligjin “Për ushtrimin e funksioneve konsullore nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore”, si dhe disa vendime dhe udhëzime të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, propozimi për një konsull nderi të Republikës së Shqipërisë në një vend të caktuar vjen nga ambasada shqiptare që mbulon marrëdhëniet diplomatike me atë vend dhe është ambasada që bën vlerësimin e punës së tyre.
Një nga kërkesat kryesore për fillimin e procedurës për miratimin e kandidaturës është sigurimi i dëshmisë së penalitetit nga vendi i origjinës. Në përgjithësi, konsujt e nderit zgjidhen shtetas të vendit ku emërohen dhe janë kryesisht biznesmenë të shquar në rrethin konsullor ku zgjidhen.
Ata marrin përsipër të gjitha shpenzimet për hapjen dhe mbarëvajtjen e punës së zyrës së tyre konsullore, duke pasur funksion kryesisht promovues të Shqipërisë në rrethin e tyre konsullor e më gjerë.
Emërimi i tyre kryhet me nënshkrim të certifikatës së emërimit nga Ministri i Punëve të Jashtme për një mandat 4-vjeçar. Pranimi i konsujve të nderit kryhet me nënshkrimin e dokumentit ‘exequature’ nga ministri i jashtëm i shtetit pritës, që jo domosdoshmërisht është me afat.
Ndërprerja e mandatit vjen si pasojë e ndarjes nga jeta, dorëheqjes ose sinjalizimit për fillimin e hetimeve penale ndaj konsullit të nderit.
Ditmir Bushati kujtoi se ka pasur të paktën dy raste gjatë mandatit të tij, kur propozimet për konsuj nderi në Shqipëri nuk janë miratuar për shkak të informacioneve që kanë ardhur nga agjencitë ligjzbatuese dhe një rast tjetër, kur propozimi për një konsull nderi të Shqipërisë në Itali nuk është pranuar nga Roma.
Në përgjigje të një kërkesë për informacion nga BIRN, MEPJ tha se nuk ka pasur asnjë informacion me notë verbale të përcjellë në 20 vitet e fundit për fillimin e hetimeve ndaj konsujve të nderit.
Megjithatë, të dhënat e hapura dhe publike tregojnë se të paktën dy konsujve të nderit të Shqipërisë u është ndërprerë mandati para kohe gjatë pesë viteve të fundit.
Në mars 2019, MEPJ ndërpreu mandatin e konsullit të nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara, i shpallur në kërkim nga India – vendi i tij të origjinës, ku akuzohet për mashtrim financiar ndaj bankave për një vlerë prej 700 milionë USD.
“[Sandesara] mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal,” tha MEPJ duke argumentuar ndërprejen e mandatit të biznesmenit indian.
Përveç Sandesarës, mandati iu ndërpre në dhjetor 2019 edhe konsullit shqiptar në Barcelonë, Josep María Calmet Iglesias, një biznemen dhe ekonomist nga qyteti Manresa në Katalunja, i cili ka shërbyer më herët si zëvendës president i Këshillit Provincial të Barcelonës.
Në shtator 2020, tre konsuj nderi në Barcelonë, përfshirë Josep María Calmet Iglesias, u vendosën nën hetim për pastrim parash në lidhje me klanin e trafikut të drogës ‘Jodorovich’. Përveç Iglesias, mes të dyshuarave ishin edhe konsulli i nderit i Malit në Barcelonë, Jose Luis Lopez Fernandez dhe ai i Kroacisë, Juli Barcena San Jose.
Sipas dokumenteve hetimore të para nga gazeta spanjolle ‘El Periodico’, ish-konsulli i nderit i Shqipërisë në Barcelonë implikohet si i dyshuar në skemën e pastrimit të parave si pasojë e blerjes dhe shitjes së një prone luksoze në qytetin Seva në komunën e Osona të Katalunjës. I pyetur nga gazeta spanjolle, Iglesias mohoi ta ketë shkelur ligjin.
“Nuk ka asnjë parregullsi,” tha Iglesias për ‘El Periodico’, ndërsa theksoi se ishte i qetë. “Kur gjyqtari të më thërrasë për të dëshmuar, do t’i sqaroj akuzat,” shtoi ai.
Përtej akuzave penale, është e paqartë nëse ndërprerja e mandatit të Iglesias si konsull i Shqipërisë në dhjetor 2019 ka ardhur si pasojë e hetimeve për pastrim parash.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Plator Nesturi i tha BIRN që në të njëjtën periudhë, mandati i disa konsujve të nderit nga Barcelona u ndërpre nga qeveria në Madrid për shkak të deklaratave politike të bëra prej tyre në mbështetje të protestave për pavarësinë e Katalunjas.
Hetimi i policisë së pavarur të Katalunjas ‘Mossos d’Esquadra” ndaj tre konsujve të nderit është bazuar kryesisht në përgjimet telefonike midis konsullit të Malit, Lopez Fernández dhe Simon Montero Jodorovich – i dyshuar si trafikant droge dhe njëherazi drejtues i Federatës së Organizatave Gjitane të Katalunjas.
Në një raport për qeverinë spanjolle në vitin 2019, hetuesit e përfshirë në hetimin e klanit Jodorovich dhe të tre konsujve nga Barcelona, ankohen për mungesën e mbikëqyrjes së akitiviteve të konsujve të nderit.
“Konsujt veprojnë plotësisht në mënyrë autonome dhe nuk kontrollohen nga shteti që përfaqësojnë,” shkruajnë hetuesit. “Qeveria spanjolle nuk ka asnjë shans për të ndërhyrë në punët e tyre përtej tërheqjes së mandatit të tyre, një masë shumë agresive në nivel diplomatik,” shtojnë ata.
Mes ish-konsujve të nderit të Shqipërisë në ndjekje penale është dhe Maurizio Veccia, drejtues i repartit të kardiologjisë në spitalin ‘Luigi Sacco’ të Milanos. Sipas MEPJ-së, Veccia është emëruar në vitin 2012 si konsull nderi i Shqipërisë në Monza për një mandat 5 vjeçar dhe ka marrë ekzekuaturën nga autoritet italiane deri në korrik 2017. Në vitin 2017, mandati i tij është rinovuar, me detyrimin që konsulli të plotësojë kërkesën e palës italiane për të marrë “nulle osta” në Monza, perveçse në Milano.
Në maj 2022, mediat italiane raportuan se Veccia po ndiqej penalisht për mashtrim dhe përfitim të padrejtë të fondeve publike gjatë viteve 2018-2019. Kardiologu i famshëm italian i ka mohuar akuzat.
Një tjetër ish-konsull nderi i Shqipërisë që po përballet me akuza penale është Kamil Ekim Alptekin, një biznesmen turk, mik me ish-ministrin e Jashtëm dhe ish-kreun e PD, Lulzim Basha.
Sipas MEPJ-së, Alptekin është emëruar konsull nderi i Shqipërisë në Adapazar janar 2010, për një periudhë 4-vjeçare dhe mandati i tij nuk është rinovuar më tej. Megjithatë, në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë në SHBA të vitit 2017, ai identifikohej ende si konsull nderi i Shqipërisë.
Sipas akuzave të ngritura ndaj tij nga FBI në gjë gjykatë federale në Virxhinia, SHBA; biznesmeni turk akuzohet se në bashkëpunim me të tjerë, ka paguar në mënyrë të paligjshme qindra mijëra USD për të ndikuar tek zyrtarë amerikanë për ekstradimin e predikuesit kontrovers turk, Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për grushtin e dështuar të shtetit në vitin 2016. Biznesmeni turk, njëharazi shtetas hollandez, akuzohet se ka dhënë dëshmi të rreme për FBI. Alptekin i ka mohuar akuzat.
Megjithë problemet e raportuara në filtrimin e kandidatëve për konsuj nderi, ish-ministri i jashtëm, Ditmir Bushati insiston se ngërçi nuk qëndron tek procedurat.
“Po të respektohen filtrat e brendshëm, procedurën e vlerësimit të propozimit të konsujve të nderit do ta vlerësoja korrekte,” tha ai.
Bushati u shpreh i dyzuar në vlerësimin e punës që konsujt e nderit bëjnë, duke nënvizuar se diçka e tillë duhet të vlerësohet rast pas rasti.
“Një pjesë e konsujve të nderit bëjnë një punë të shkëlqyer, një pjesë e kanë për ‘show-off’ [kapadaisje],” tha ai, ndërsa shtoi se diplomacia shqiptare nuk mund të shmangë këtë institucion. “Vendet e volgla i kanë të domosdoshme,” përfundoi Bushati.