
Tridhjetë e tre vjeçarja Zoe (jo emri i saj i vërtetë) kujton kalvarin e saj në një radio të njohur greke:
“Drejtori 55-vjeçar i lajmeve më fuste në një qoshe dhe më prekte turpin. Ndonjëherë, ai kishte shpërthime inati dhe na pushonte nga puna… Më vonë, redaktorja ime, një grua e rreptë, më quante idiote. Ma tha aq shumë herë këtë gjë, saqë në fund e besova.”
Më pas ishte “gazetari i njohur” i cili u përpoq ta puthte kur dolën për të pirë një gotë dhe më pas kërcënoi se do t’u tregonte të gjithëve se kishin dalë bashkë, “kështu që u dorëzova dhe fjeta me të”.
“Vite më vonë zbulova se ai kishte bërë të njëjtën gjë me dy gra të tjera.”
Dimitra, 44 vjeçe, e cila foli gjithashtu me kusht që të mos përdorej emri i saj i vërtetë, tha se kishte kaluar ngjarje të ngjashme kur ishte studente gazetarie, kur profesori i saj, një gazetar i njohur dhe drejtor i medias ku ajo do të bënte praktikën, nisi një lidhje me të.
Kur ajo u përpoq t’i jepte fund lidhjes, “ai më kërcënoi, duke më thënë se do të më përjashtonte nga praktika dhe se do t’u tregonte prindërve të mi për ne. Nga frika, vazhdova me të. Isha në depresion. Isha në një gjendje aq të keqe shpirtërore, saqë kalova rrugën duke shpresuar të më shtypte ndonjë makinë. Ai më la të lirë kur pata një krizë nervore.”
Historitë e tyre janë ndër dhjetëra të dhëna për BIRN nga gazetare në Greqi, shumë prej të cilave thonë se janë përballur me ngacmime dhe abuzime në punën e tyre.
Megjithatë, një kulturë heshtjeje, stigme dhe frike i ndalon ato të bëjnë kallëzime, ka zbuluar BIRN, ndërkohë që shumë mediave u mungojnë rregulla të qarta se si duhet raportuar dhe trajtuar një abuzim i tillë. Të gjitha gratë folën me kusht që të mos u përdoreshin emrat e vërtetë.
Në vitin 2022, tre gjyqet e para #metoo që përfshinin abuzim në sport dhe kulturë u zhvilluan në Greqi një vit pasi fituesja e medaljes së artë olimpike Sofia Bekatorou akuzoi një zyrtar të Federatës Helenike të Lundrimit për përdhunim.
Në rrjetet sociale, tre gazetare filluan të ndajnë historitë e tyre të ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale, disa prej të cilave guxuan të përmendnin autorët. Megjithatë, në rastin e medias, askush nuk është akuzuar për ndonjë krim.
“Pas #metoo, nuk e konsideroj rastësi që vetëm tre gazetare folën për ngacmime. Nuk mund të jenë vetëm tre”, tha Ntina Daskalopoulou, një gazetare në median greke EFSYN dhe e specializuar në çështjet gjinore.
“Redaksia është mashkullore në kulturë dhe perceptim. Promovon vlerat e maskulinitetit dhe forcës”, tha ajo. “Këto hapësira shumë lehtë mund të bëhen shkelëse dhe abuzive. Nuk është rastësi që edhe sot në Greqi nuk kemi hulumtuar traumat, ngacmimet dhe abuzimet e grave në gazetari.”
Shfrytëzim i posteve me pushtet
Në një sondazh të BIRN me punonjësit e medias, 94.5 për qind e të anketuarve ishin gra. Rreth 92 për qind e përshkruan veten si viktima dhe tetë për qind si dëshmitarë të incidenteve që kanë ndodhur midis viteve 1993 dhe 2021.
Viktima më e re ishte 17 vjeçe, më e vjetra 62. Rreth 43 për qind e incidenteve ishin të natyrës seksuale, 35 për qind ngacmime verbale. Rreth 81 për qind kanë ndodhur në vendin e punës dhe në pak më shumë se gjysmën e rasteve autori ka qenë epror i viktimës. Afërsisht 22 për qind e autorëve ishin bashkëmoshatarë të viktimave të tyre.

Frika dhe pasiguria nënkupton që ngacmimi nuk raportohet
Marina, 33 vjeçe, pranoi të fliste vetëm në mënyrë anonime “sepse nuk kam ndjerë një ndjenjë sigurie nga askush, askund, madje as në nivelin e bashkëmoshatarëve. Ndihem sikur do të bëjnë thashetheme për mua dhe do të më akuzojnë se jam e çmendur.”
Ajo përshkroi se ishte ngacmuar nga një burrë kur ishte 23 vjeçe dhe po raportonte në një konferencë.
“U ula me një grup njerëzish në një pozicion autoriteti në fushën e tyre. U deha. Ky zotëria, mbi 60 vjeç, u ofrua të më përcillte në dhomën time, por unë nuk pranova. Dhe aty fillon pjesa ime e dhimbshme që nuk mbaj mend shumë. Mbaj mend vetëm një sherr mes nesh, ai më mbante duart dhe përpiqej të më puthte. U ktheva në dhomën time, ku e ndava me një kolege tjetër, e cila nuk bëri asgjë për të më ndihmuar. Vetëm psikologu im e di për këtë.”
Sipas rezultateve të sondazhit të BIRN, vetëm 29.7 për qind e të anketuarve ishin në gjendje të raportonin se çfarë u ndodhi.
Pjesa tjetër nuk e kishte bërë këtë, shpesh nga frika se nuk do t’i mbështesnin, se do të humbnin punën dhe do të stigmatizoheshin, dhe nga mungesa e njohurive se çfarë saktësisht do të ndodhte më pas. Pothuajse 65 për qind thanë se nuk i dinin procedurat për raportimin e incidenteve të tilla.
“Dialogu mbi dhunën me bazë gjinore mund të jetë i hapur, por në realitet, gratë nuk dinë si të marrin mbështetje”, tha Malvina Soulele, psikologe në Diotima, një qendër për të drejtat dhe barazinë gjinore në Athinë. “Gratë duhet të dinë se kanë ku të mbështeten, përndryshe do të ndihen shumë të lodhura dhe të vetmuara.”
Chara, 49 vjeçe, kishte shumë frikë të raportonte incidente të përsëritura të abuzimit seksual, verbal dhe abuzim fizik. “Nuk bëra kallëzim sepse sektori është shumë i vogël dhe kisha frikë se do të stigmatizohesha dhe do të humbisja punën”, tha ajo.
“U thashë shoqeve të bënin kujdes, por nuk e dija dhe nuk pyeta nëse e njëjta gjë u kishte ndodhur edhe të tjerave, nëse kanë frikë dhe dinë si ta trajtojnë këtë gjë.”

Në shumë raste, viktimat fajësojnë veten, gjë e cila përsëri çon në heshtje, thonë ekspertët.
“Ka një sistem në të cilin askush nuk flet për këto incidente. Ka edhe një sistem social që ka normalizuar dhunën dhe ngacmimin gjinor”.
“Një grua mund të mos e kuptojë se po ngacmohet sepse ne nuk kemi mësuar të flasim për këtë. Ne kemi mësuar se marrëdhëniet mund të jenë të tilla. Ne mendojmë se dhuna me bazë gjinore është femicidi dhe dhuna seksuale, por ka edhe dhunë verbale dhe psikologjike, e cila është një formë e dhunës me bazë gjinore dhe po aq e rëndësishme.”
Në sondazhin e BIRN, asnjë nga rastet e raportuara nuk shkoi deri në një bord disiplinor dhe asnjë nga autorët nuk u ndëshkua. Rreth 54 për qind e grave që u përgjigjën qëndruan ose qëndrojnë ende në të njëjtin vend pune. 45.9 për qind u larguan.
Mungesa e procedurave të duhura
Dy të tretat e punonjësve të medias që iu përgjigjën sondazhit të BIRN thanë se punëdhënësit e tyre nuk kanë procedura specifike që punonjësit të paraqesin ankesa; 86 për qind thanë se punëdhënësit e tyre nuk ofrojnë trajnime për trajtimin e ngacmimeve dhe abuzimeve; vetëm 19 për qind thanë se kishin ndjekur trajnime me iniciativën e tyre lidhur me dhunën me bazë gjinore.

“Këto rezultate nuk janë të habitshme për dikë që ka punuar në industrinë e medias”, tha Eleana Pandia, një kandidate për doktoraturë dhe studiuese në Psikologjinë e Medias në Universitetin Panteion.
“Nuk ka rëndësi sa e madhe apo e vogël është media. Mund të kesh një biznes familjar që mund të jetë i mbushur me dhunë verbale dhe abuzim dhe mund të kesh një kompani të madhe që mund t’i ketë të përcaktuar mirë kufijtë dhe ka pak ose asnjë incident. Nuk është madhësia ajo që ka rëndësi, por cilësia”, tha Pandia për BIRN.
“Është çështje rregullash, kufijsh dhe sjelljeje ndaj të tjerëve. Këto janë, për fat të keq, çështje shumë të reja për etikën profesionale në Greqi. Duhet të flasim për pabarazinë në punë në një moment. Brenda marrëdhënieve të punës ka pabarazi. Ajo që bën dallimin është se kush e ka pushtetin.”
BIRN kontaktoi gjithashtu rreth 60 media për të njëjtat çështje, por vetëm 11 u përgjigjën.
Alter Ego Media S.A. tha se “është në përputhje plotësisht me legjislacionin aktual” dhe nuk kishte marrë asnjë ankesë për ngacmim ose abuzim ndaj gazetareve femra; Barking Well Media tha gjithashtu se nuk kishte marrë asnjë ankesë dhe se kishte vendosur procedura për trajtimin e çështjeve të tilla në gusht të këtij viti; Gazeta financiare Naftemporiki tha për BIRN se mbron të drejtat e gazetareve femra; Kathimerini Publishing S.A. tha se nuk ka një departament të veçantë të dedikuar trajtimit të ankesave për ngacmime; as Agjencia e Lajmeve Athens-Macedonian, e cila tha se ankesat mund t’i bëhen një supervizori që vendos nëse do t’ia referojë atë një këshilli disiplinor.
Në ERT, Korporata Publike Helenike e Transmetimeve, një departament i posaçëm trajton raste të tilla dhe seminare edukative janë planifikuar deri në fund të vitit 2022; ERT tha për BIRN se janë depozituar dy ankesa – në vitin 2017 dhe 2021. Këshilli Disiplinor i kompanisë hodhi poshtë të parin dhe ende nuk ka vendosur për të dytin.
Athens 9.84 tha për BIRN: “Në radiostacionin Athens 9.84 zbatohen gjithmonë procedura të posaçme. Në 35 vitet e funksionimit të tij, stacionit nuk i është dashur të menaxhojë një incident të tillë.”
Efimerida ton Syntakton, një kooperativë, tha se nuk ka procedura apo trajnime të veçanta për raste të tilla, duke thënë për BIRN: “Fenomene të tilla zhvillohen në marrëdhëniet e vendosura të pushtetit. Në EFSYN jemi të gjithë të barabartë. Asnjë ankesë nuk është bërë kurrë për diçka të tillë.”
Një përfaqësues i Rizospastis, gazetës zyrtare të Partisë Komuniste të Greqisë, tha për BIRN se punonjësit e saj janë anëtarë partie që kanë marrëdhënie kolegjiale.
Mediat e pavarura Manifold, Reporters United, Solomon dhe MIIR janë organizata të vogla jofitimprurëse që përbëhen nga katër deri në tetë persona. Vetëm Solomon-it i është dashur të përballet me një incident ngacmimi të supozuar seksual që çoi në shkarkimin e autorit. Në vitin 2021, media organizoi një sërë grupesh fokusi dhe intervistash të mbyllura mbi shëndetin mendor të gazetarëve, duke përfshirë çështjet e ngacmimit dhe abuzimit.
Asnjë nga të katërta nuk ka procedura të veçanta për trajtimin e ankesave të tilla.
MIIR tha se “proceset kolektive të vendimmarrjes vendosin kufij të qartë në lidhje me sjelljen”. Solomon tha se merr ndihmë nga palë të treta, ndërsa Manifold i tha BIRN se, “përveç faktit që ruan një ekuilibër gjinor në përbërjen e tij (tre gra, dy burra), marrëdhëniet midis anëtarëve kanë një histori besimi që mund të të konsiderohet e fortë.”
Megjithatë, Stella Kasdagli, bashkëthemeluese e Women On Top, e cila punon për promovimin e barazisë në vendin e punës, tha se asgjë nuk mund të justifikojë mungesën e një kuadri të qartë për viktimat për të raportuar incidentet dhe për t’i hetuar ato.
“Shumë organizata dhe kompani tregojnë rezistencë ndaj ndryshimit që kërkon barazia dhe siguria në punë”, tha Kasdagli.
“Kjo do të thotë se ata citojnë madhësinë e tyre, klimën e tyre të brendshme “të mirë” ose “miqësore”, kulturën e tyre liberale dhe/ose mungesën e ankesave të mëparshme të tilla, për të justifikuar mungesën e politikave, procedurave dhe një kuadri të sigurt raportimi dhe hetimi të incidentit”.
“Për fat të keq, organizatat mediatike në Greqi shpesh bien në më shumë se një nga këto kategori. Dhe, për fat të keq, ende nuk ka një mekanizëm për t’i kontrolluar ato dhe për t’i shtyrë drejt një llogaridhënieje më efikase.”

A mund të ndryshojnë gjërat?
Margarita, 33, e cila tha se ishte “shtyrë” nga një gazetar tjetër i njohur në mënyrë që ai të mund të zinte tavolinën e saj, tha se, ndërsa debati ishte hapur, ajo nuk ishte “shumë optimiste” për ndryshimin e vërtetë.
“Sot ne flasim për gjëra për të cilat nuk kemi folur më parë. Megjithatë, unë konstatoj se ka një kod heshtjeje në terren dhe gjërat janë 100 për qind në favor të burrave”, tha ajo.
“Nëse do të ndryshojë, do të ndryshojë nga gratë, nga fakti se ato mbështesin njëra-tjetrën dhe ka më shumë partneritete mes nesh.”
Xenia Kounalaki, redaktore e lajmeve ndërkombëtare dhe kolumniste në Kathimerini, tha se gjërat ishin përmirësuar pak nga koha kur një grua e kishte të vështirë të dëgjohej.
Tashmë 50-vjeçare, Kounalaki iu fut gazetarisë në moshën 24-vjeçare. Komentet për pamjen e saj, prekja dhe përbuzja për opinionin e saj ishin pjesë e përditshmërisë së saj.
“Megjithatë, unë nuk jam ngacmuar kurrë seksualisht, kryesisht për shkak të përfshirjes së babait tim në politikë”, tha Kounalaki. “Gra të tjera të moshës sime që nuk kishin këtë lloj ‘mbrojtjeje’ vuajtën në atë kohë. Tani, kjo nuk ndodh. Falë #metoo ka frikë dhe turp, madje deri në ekzagjerim. Burrat shpesh më pyesin: ‘A mund ta tregoj këtë barsoletën?’, a thua se feminizmit i mungon humori”, tha ajo për BIRN.
“Nga ana tjetër, në pozitat e përgjegjësisë, gratë janë ende një pakicë e hidhur. Unë jam e vetme në takimin e së dielës, kështu që janë pothuajse ekskluzivisht burrat ata që vendosin se çfarë i intereson lexuesit. Shpresoj që kjo të ndryshojë sa jam gjallë.”
Daskalopoulou, nga EFSYN, megjithatë, tha se ndryshimi do të ishte i vështirë “për sa kohë që ekosistemi mediatik është i strukturuar kështu”.
“Për sa kohë gazetarët qëndrojnë të pambrojtur pa pasur një marrëveshje kolektive pune që u garanton atyre kushte të respektueshme pune, por që përmban edhe një sërë çështjesh të tilla institucionale, nuk mund të jesh shumë optimist. Për sa kohë që puna është e nënvlerësuar dhe për rrjedhojë edhe subjektet, nuk mund të jem optimist.”