Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Lajme

Gjykata Kushtetuese dëgjon argumentet për mandatin e Olta Xhaçkës

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u tërhoqën për vendim, pasi dëgjuan në dy seanca që zgjatën gati tetë orë argumentet e përfaqësuesve të deputetëve të Partisë Demokratike si dhe ato të avokatit të Xhaçkës, në çështjen që lidhet me përfitimet e bashkëshortit të ministres nga statusi i investitorit strategjik.

Blerina GjokaNgaBlerina Gjoka
20:33 | 18/01/2023
Në Artikull kryesor !, Lajme
0
PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Xhaçkën

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka | Foto: LSA

Share on FacebookShare on Twitter

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dëgjoi të mërkurën përreth 8 orë në dy seanca të ndara pretendimet e palëve lidhur me mandatin e deputetit për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall “investitor strategjik” nga qeveria.

Në gjykatë ishin paraqitur dy kërkesa nga deputetët e opozitës. Në seancën e parë u paraqit kërkesa e 1/10 së deputetëve të Kuvendit,  e cila kishte dy objekte; zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Kuvendit dhe deputetëve dhe deklarimin si antikushtetues të vendimeve të Kuvendit për mosdërgimin në Gjykatën Kushtetuese të interpretimit të papajtueshmërisë së mandatit të deputetes socialiste.

Avokati Marash Logu në pretendimet e ngritura para gjykatës tha se me anë të vendimeve të tij, Kuvendi u kishte mohuar të drejtën që Kushtetuta u njeh deputetëve, për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për papajtueshmëri të mandatit të Xhaçkës.

Sipas tij, Kuvendi ka detyrë të konstatojë vetëm plotësimin e kritereve formale të kërkesës dhe jo të shqyrtojë çështjen në themel apo të interpretojë Kushtetutën, gjë që sipas tij ka bërë Kuvendi me vendimin e tij.

Padia e dytë e firmosur nga 28 deputetë të tjerë të opozitës kishte dy objekte; shpalljen antikushtetues të vendimeve të Kuvendit si dhe kërkesën për shqyrtim në themel të çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës.

Avokatët e palës paditëse pretenduan se Gjykata nuk ka pse ta kthejë sërish në Kuvend këtë çështje, duke u futur në një spirale vendimesh, por të shqyrtojë çështjen në themel dhe të marrë vendim nëse ka shkelje të dispozitave kushtetuese nga deputetja Xhaçka.

Avokati Franci Nuri parashtroi pretendimet se deputetja Xhaçka ka kryer aktivitet që çon në përfitime financiare nga pasuria publike, pasi kompania e bashkëshortit të saj ka përfituar statusin “Investitor strategjik”, ku parashikohen një sërë lehtësirash të ofruara nga shteti, nga konsolodimi i tokës, akses në infrastrukturë, ulje taksash dhe marrjen në përdorim të brigjeve të detit para hotelit.

Provat për pretendimet e palës paditëse i paraqiti avokati Orjon Nallbati, sipas të cilit Artan Gaçi e fitoi statusin “investitor strategjik”  kur bashkëshortja e tij ishte deputete e Kuvendit. “Ky status është një procedurë e asistuar që nuk i jepet kujtdo dhe parashikon përfitime publike të ndryshme dhe i rrit vlerën investimit,” tha Nallbati, duke theksuar se çdo përfitim i Gaçit ishte rrjedhimisht dhe i ministres Xhaçka, pasi ajo zotëron 50 përqind të pasurisë referuar Kodit të Familjes.

“Administrata publike që paguhet me taksat tona ka punuar për të, nuk i është dashur të paguajë burime njerëzore për të plotësuar dokumentet. Konsolodim i tokës i heq riskun investimit,” tha Nallbati, duke shtuar se secila prej lehtësirave që i jep statusi përkthehet në përfitim financiar nëse një ekspert i fushës do të bënte përllogaritjet.

Nallbati u ndal gjatë në atë që ai e quajti ‘marrëveshje simuluese” mes bashkëshortit të ministres dhe kunatës së saj për t’i shpëtuar konfliktit të interesit.

“Kjo marrëveshje brenda familjes dhe deklarata e Gaçit se këtë e ka bërë për të shmangur konfliktin e interesit e rëndon pozitën e deputetes dhe tregon synimet e errëta për t’iu shmangur ligjit,” tha ai.

Nallbati po i referohej një marrëveshje të cituar në një vendim të dytë të Komitetit të Investimeve Strategjike, nëpërmjet të cilit statusi i investitorit strategjik i kalon kompanisë së re në pronësi të partneres së Andi Xhaçkës, vëllait të ministres Olta Xhaçka.

Ministrja Xhaçka u mbrojt nëpërmjet avokatit Genci Çifligu, i cili në parashtrimet mbrojtëse kërkoi që kërkesat e deputetëve opozitarë të rrëzoheshin për shkelje të afateve ligjore dhe këmbënguli që vetë deputetja nuk ka kryer asnjë veprim në shkelje të Kushtetutës. Po ashtu, ai pretendoi se ajo dhe bashkëshorti nuk kanë pasur përfitime financiare nga statusi i “investitorit strategjik”.

Çifligu pranoi gjithsesi se Xhaçka ishte në dijeni të konfliktit të interesit në momentin kur Këshilli i Ministrave mori vendimin për t’i dhënë të drejtën e përdorimit të brigjeve të detit për familjarët e saj, duke sjellë si provë një shkresë ku Xhaçka i kërkonte kryeministrit Edi Rama për të mos marrë pjesë në mbledhje.

I pyetur nga pala paditëse nëse Xhaçka e shmangu pjesëmarrjen në mbledhje për shkak të bashkëshortit apo kunatës, ai tha “për shkak të kunatës”.

Nga ana tjetër, avokati përdori pikërisht kompaninë e kunatës si koracë mbrojtëse, duke thënë se përfituesja e së drejtës së përdorimit të plazhit është një entitet tjetër dhe jo kompania në pronësi të bashkëshortit të deputetës.

Çifligu këmbënguli se Xhaçka dhe bashkëshorti i saj nuk kanë marrë asnjë përfitim nga statusi i investitorit strategjik, duke sjellë si prova lejen e ndërtimit dhe lejen zhvillimore të dhëna para dhënies së këtij statusi. Po ashtu, ai tha se as e drejta e përdorimit të brigjeve nuk është bërë fakt, pasi nuk ka një marrëveshje me bashkinë Himarë.

Sipas tij edhe nëse do të ndodhë ndonjë përfitim në të ardhmen, nuk mund të gjykohet sot për këtë.

“Pretendimi se zonja Xhaçka vetë apo nëpërmjet bashkëshortit ka ushtruar veprimtari për përfituar asete apo të mira publike nuk qëndron,” tha Çifligu, duke i kërkuar prova palës paditëse për përfitimin financiar të ministres.

Nallbati dhe Nuri u përgjigjën se çdo përfitim i cituar prej tyre si pasojë e lehtësirave që ofron statusi ‘strategjik’ mund të përkthehet në vlera monetare nga një eskpert i fushës.

“Ju po thoni që statusi i investitorit strategjik është një copë letër pa vlerë, atëherë pse e kërkoi dhe e mori?” u kundërpërgjigj Nallbati.

Akuzën për ‘simulim’ në marrëveshjen mes familjarëve të Xhaçkës, Çifligu e quajti një çështje civile që duhet të provohet para një gjykate tjetër.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ngritën pyetje dhe kërkuan sqarime e prova nga palët për pretendimet e tyre.

Relatorja e çështjes, Sonila Bejtja e pyeti avokatin e Xhaçkës nëse kishte ardhur në seancë si përfaqësues i kompanive “AG.TCC” dhe “AGTCC Hotel Managment” apo si përfaqësues i deputetes dhe kërkoi sqarime prej tij se si e provonte pretendimin se mungonte një kontratë mes kompanisë me bashkinë Himarë për përdorimin e brigjeve. Çifligu tha se përfaqësonte deputeten dhe shtoi me bindje se nuk kishte një kontratë, pasi ajo do ishte bërë publike nëse do të ishte lidhur.

Po ashtu, Bejtja pyeti avokatin mbrojtjës se si e interpretonte dispozitën ligjore që parashikonte se gjykatën mund ta vinte në lëvizje Kuvendi ose 1/5 e deputetëve. Çifligu u përgjigj se 1/5 e deputetëve nuk e kishte të drejtën të sanksionuar në Kushtetutë dhe se dispozitat ligjore nuk mund të dilnin mbi Kushtetutën.

Anëtarja më e re e gjykatës, Marjana Semini, pyeti avokatin për sqarimin e rrethanave kur deputetja ka dhe funksionin e ministres dhe se kabineti ku ajo bën pjesë ka marrë vendim për t’i dhënë një të drejtë bashkëshortit të saj.

Avokati risolli në vëmendje mospjesmarrjen e Xhaçkës në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kur ishte marrë vendimi.

Ndërsa anëtari tjetër, Gent Ibrahimi bëri pyetje për paditësit lidhur me afatet kohore të konstatimit të papajtueshmërisë së mandatit, ku bazohej dhe pretendimi kryesor i mbrojtjes për të rrëzuar me procedurë kërkesën e deputetëve.

Ai pyeti Nallbatin se kur e kishin konstatuar këtë papajtueshmëri dhe avokati tha se ishte konstatuar fillimisht në mars, kur ishte marrë vendimi i qeverisë dhe ishte publikuar në media dhe më tej në 9 prill nga letërkëmbimi i deputetit Agron Shehaj me AIDA-n për dokumentacionin mbi dhënien e statusit të investitorit strategjik për dy kompanitë e familjarëve të Xhaçkës.

Por Nallbati i kërkoi gjykatës që çështja të mos binte në kleçkat e procedurave dhe afateve kohore, por të trajtohej në themel pasi përbënte interes të madh publik.

Në seancë parashtroi pretendimet e tij si palë e paditur edhe Kuvendi nëpërmjet avokatit Erind Mërkuri, i cili mbrojti vendimet e Kuvendit dhe të drejtën për t’u shprehur me vendim për mocionet e deputetëve për papajtueshmëri mandati.

Në seancë foli dhe deputeti Shehaj si iniciator i padisë së 1/5 së deputetëve. Duke iu drejtuar anëtarëve të  Gjykatës Kushtetuese, ai iu kujtoi atyre detyrën e mbrojtjes së Kushtetutës dhe interesit të qytetarëve nga kërcënimi që u vjen nga korrupsioni.

“Nësu ju nxirrni të larë Xhaçkën do krijoni një precedent të rrezikshëm, i cili do inkurajoje korrupsionin, vjedhjen dhe abuzimin haptas me pushtetin,” tha Shehaj.

Kryetarja në detyrë e e Gjykatës Kushtetueses, Vitore Tusha, njoftoi se trupa gjyqësore do të shpallë vendimin brenda afatit ligjor dhe u kërkoi palëve që të paraqesin prova shtesë brenda dy ditëve.

 

Pas

Urdhri i Ramës për të kënduar himnin në shkolla pritet me kritika

Tjetri

Dyshohet se përvetësuan 5 mijë metra tokë, arrestohet ish-juristi i Hipotekës dhe 2 persona të tjerë

Tjetri
Dyshohet se përvetësuan 5 mijë metra tokë, arrestohet ish-juristi i Hipotekës dhe 2 persona të tjerë

Dyshohet se përvetësuan 5 mijë metra tokë, arrestohet ish-juristi i Hipotekës dhe 2 persona të tjerë

Më të lexuarat

PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Xhaçkën

Gjykata Kushtetuese dëgjon argumentet për mandatin e Olta Xhaçkës

20:33 | 18/01/2023
Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

19:09 | 18/03/2023
KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Arben Kostandini

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Arben Kostandini

10:51 | 15/03/2023
Buzëqeshja e Tristanit, një emblemë që do t’i mungojë qytetit

Buzëqeshja e Tristanit, një emblemë që do t’i mungojë qytetit

13:49 | 20/03/2023
Si u kthye Tirana në kryeqytetin e skemave mashtruese të investimeve

Si u kthye Tirana në kryeqytetin e skemave mashtruese të investimeve

10:08 | 13/03/2023
Arrestohen drejtuesit e Bashkisë Bulqizë, falsifikuan 2.8 milionë euro tender

Arrestohen drejtuesit e Bashkisë Bulqizë, falsifikuan 2.8 milionë euro tender

11:16 | 16/03/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.