Pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, Komisioneri Publik, paraqiti të martën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ankimin ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin Besnik Cengu.
Komisionerja Irena Nino thotë se i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të ndryshojë vendimin e KPK dhe të vendosë veç ndërprerjes së vetingut për Cengun dhe ndalimin 15-vjeçarë për tu rikthyer në sistemin e drejtësisë.
“Në analizë të fakteve të sipërtrajtuara dhe shkakut ligjor të ndërprerjes së procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Cengu, në vlerësimin e Komisionerit Publik, arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga Komisioni në vendimin nr. 629/2023, nuk është rrjedhojë e zbatimit të drejtë të nenit “G”, të aneksit të Kushtetutës”, thuhet në ankim.
Komisionerja shprehet se vendimi i Komisionit që e mbylli çështjen pa një qëndrim përfundimtar duhet të ndryshojë “duke disponuar me ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit dhe zbatimin e pasojës juridike të parashikuar nga pika 2, e nenit G, të aneksit të Kushtetutës”.
Më herët një qëndrim të ngjashëm mbajtën edhe vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM u kërkuan Komisionerëve Publikë që të ushtrojnë ankim ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Sipas ONM-së, nga ana e Komisionit është përdorur gabim baza ligjore për të mos aplikuar pasojat që sjell ndërprerja e vetingut për shkak të mbarimit të statusit të magjistratit, ashtu si përcaktohet në nenin G të Aneksit të Kushtetutës.
KPK vendosi me shumicë votash më 3 mars 2023 të pranojë kërkesën e prokurorit të Tiranës, Besnik Cengu për të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar ndaj tij pa një vendim përfundimtar, me argumentin se e kishte humbur objektin dhe qëllimin për shkak të daljes në pension të parakohshëm. Trupa e KPK u nda, ku kryesuesja Pamela Qirko dhe anëtarja Brunilda Bekteshi e vlerësuan të drejtë kërkesën e Cengut, ndërsa relatori Roland Ilia doli në pakicë duke çmuar se vetingu ndaj këtij subjekti rivlerësimi duhej të ishte ndërprerë në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, që përcakton sanksionin për ndalimin e rikthimit në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.