Herën e fundit kur Partia Demokratike pati sukses elektoral në territorin e bashkisë së Gramshit ishte viti 2007. Qytetarët e bashkisë së qytetit votuan një kandidat demokrat dhe disa nga komunat e shumta përbërëse të kësaj zone të gjerë malore në Shqipërinë qendrore, votuan kryekomunarë demokratë gjithashtu. Komuna Pishaj i dha një nga fitoret më të thella, duke zgjedhur Hasim Çekrezin me 60% të votave. Çekrezi garon kësaj here për koalicionin Bashkë Fitojmë për të gjithë bashkinë Gramsh, ku përfshihet qyteti i Gramshit dhe nëntë ish-komuna, Pishaj, Kodovjat, Kukur, Kushovë, Lenie, Poroçan, Skënderbegas, Sult dhe Tunjë.
Gramshi është një zonë që ka votuar në vijimësi në favor të Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e vitit 2011, kandidatët e saj morën 51% të votave, ndërsa në vitin 2015, kur ishin në koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe parti të tjera, fituan 58%.
Kalimi i LSI-së në opozitë nuk duket se solli ndonjë humbje për socialistët. Ata arritën të fitonin zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në nivel bashkie me 58% të votave, ndërsa dy partitë opozitare, PD dhe LSI, morën sëbashku vetëm 30%. Ish-komuna Pishaj, e cila pati zgjedhur Çekrezin në vitin 2007, më 2021 votoi PS-në në masën 63%.
Bashkia e Gramshit është një zonë malore që shtrihet në të dy anët e Lumit Devoll, ndërsa qyteti i Gramshit është ndërtuar si qytet industrial për industrinë ushtarake gjatë kohës së komunizmit. Industria ushtarake është mbyllur tashmë prej kohësh dhe zona ka karakter bujqësor, me një popullsi që po pakësohet për shkak të emigrimit.
Si zonë malore, Gramshi ka njohur njëfarëlloj zhvillimi të turizmit të natyrës, përmes resurseve natyrore të ndryshme, si Mali Valamara, Kanioni i Lumit Olta, Ujëvarat e Sotirës apo Shpella e Kabashit.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 27 mijë dhe ka njohur një rritje të lehtë përgjatë dekadës së fundit. Numri i popullsisë që merr pjesë në votime ka rënë nga 17 mijë në vitin 2011, në 14 mijë në vitin 2021. Të dyja palët kanë humbur elektorat nga kjo rënie por partitë e koalicionit të sotëm opozitar kanë humbur më shumë se sa socialistët.
Terreni shumë i thyer malor, numri i lartë i njësive administrative dhe numri i lartë i fshatrave, e bën të vështirë ofrimin e shërbimeve publike. Përveç qytetit të Gramshit, bashkia ka nëntë ish-komuna ku gjenden 94 fshatra, të shpërndara në gati 740 kilometra katrore. [Link lista e fshatrave] Toka e punueshme zë vetëm 14% të sipërfaqes ndërsa pjesa tjetër e territorit përbëhet nga pyje dhe kullota.
Numri i vogël i popullsisë nuk ka penguar shtatëmbëdhjetë parti që të garojnë për 21 vendet e këshillit bashkiak. Në listat e tyre të mbyllura gjenden emrat e 370 kandidatëve. Kjo do të thotë se një në çdo 73 votues është edhe vetë kandidat.