Socialistët në Elbasan e filluan festën gati një orë pas mbylljes së kutive të votimit të dielën, pasi procesi i votimit dhe i numërimit u krye elektonikisht. Raportimi nga qendrat e votimit që u mbërrinte vëzhguesve të kësaj partie tregonin avantazh të kryebashkiakut aktual, Gledian Llatja.
Siguria ishte aq e madhe sa në orën 20.00, kur ende nuk kishte rezultate zytare, simpatizantët e PS-së planifikuan festën.
“Kam nja dy torta (fishekzjarre), po shkoj t'i marr i vrap,” thotë me buzëqeshje vesh më vesh një djalë rreth 25 vjeç, ndërsa përqafohet me kolegët që rrinë në dyert e selisë së partisë në një rrugicë pranë stadiumit të Elbasanit.
Të tjerë nisin organizimin e festës që caktohet të bëhet në sheshin para stadiumit dhe në orën 20.45, në rrugën kryesore dëgjohen boritë e makinave që bëjnë xhiron me flamuj të PS-së. Kur KQZ shpalli rezultatet paraprake nga 150 qendra votimi, në të cilat Llatja kryesonte me rreth 55%, disa dhjetra simpatizantë të socialistëve u mblodhën pranë stadiumit, ku u vendos muzika e fushatës dhe një vajzë shpalli të hapur festën.
Në krahun tjetër në selinë e koalicionit “Bashkë Fitojmë” nuk kishte lëvizje, veç atyre që bënin llogari të votave. Kandidati Luçiano Boçi u largua prej selisë rreth orës 19.00.
Pjesëmarrja e ulët dhe votim familjar
Festa e socialistëve me fishekzjarrë vjen pas një pjesëmarrje të ulët që u raportua të ishte rreth 36.5 për qind dhe një mori peripecish me votimin elektronik, që u vështirësoi votimin qytetarëve të moshave të thyera.
Gjatë ditës, reporterët e BIRN që vëzhguan dhjetra qendra votimi në fshatrat dhe në qytetin e Elbasanit, vunë re se shpesh votimi i të moshuarve u asistua nga të afërm.
Manushaqe Kushi, kryetare e komisionit në qendrën e votimit 2350/0 në godinën e Fakultetit Ekonomik në Elbasan, i tha BIRN në mesditë se 10 për qind e votuesve aty kishin nevojën e ndihmës gjatë votimit. Kushi tha se procedura ishte dakordësuar mes komisionerëve dhe se për secilin rast ishin mbajtur procesverbale.
Pak më tutje në një qendër votimi që ndodhej po në godinën e Fakultetit Ekonomik, Ilirjan Pepa, kryetar në qendrën 2350/1 pohoi të njëjtën shifër për BIRN. Por ai këmbënguli se asistenca ishte bërë nga një operatore që qëndronte përballë dhe jo pas kutisë së fshehtë.
Ky reporter dëshmoi një rast të tillë në qendër, kur një 80 vjeçar u vonua në total rreth 15 minuta për të votuar. Shefqet Lazi fillimisht pati probleme të identifikohej, pasi makineria nuk i njihte shenjat e tij të gishtërinjve, një problem për shumë të moshuar në qendra që BIRN vizitoi.
Ai më pas u vonua gati 10 minuta përballë operatores që jepte e merrte, për t'i shpjeguar një proces në dukje të lehtë, por që kërkonte konfirmime të njëpasnjëshme në cepa të ndryshëm të ekranit të makinerisë. Në fund, komisioni lejoi shoqëruesen e Lazit të kalonte në anën tjetër dhe ta ndihmonte atë.
Në qendra votimi në fshatra procesi i votës familjare ishte shumë më i dukshëm. Në Shijon, një burrë rreth të 50-tave votoi i ndihmuar nga i biri. Komisionerët e të dy krahëve thanë se kjo ishte normale dhe ndryshe nga praktika në qytet, këtu nuk u mbajt as procesverbal për mënyrën e përdorur.
E njëjtë ishte situata në Labinot Fushë, ku votues për dy qendra votimi duhej të nguceshin në korridorin e shkollës dhe ku fshehtësia e votës ishte e diskutueshme. Anëtarë të komisioneve këtu të opozitës dhe socialistëve akuzuan njëri- tjetrin për problemet. Komisionerë të opozitës u ankuan se persona të paautorizuar qëndronin jashtë shkollës dhe orientonin votuesit. Kjo u mohua nga socialistët, që këmbëngulën se ata që qëndronin jashtë shkollës ishin aty për shkak të shiut apo se po prisnin të votonin.
Votim familjar apo me anëtarë të komisionit që asistonin votues u vu re nga BIRN edhe në qendra votimi ku kryesisht votuesit janë të pakicave rome dhe egjiptiane. Megjithatë, as këtu palët nuk patën kontestime.
Defektet në makineri
Përfaqësues të PD-së pretenduan në kushte anonimati se të paktën në 6 kuti elektronike votimi ishte vënë re si problem që pas votimit, votuesi shikonte në ekran se vota ishte për kandidatin rival.
BIRN ishte i pranishëm në një rast kur një grua rreth të 40-ave pretendoi se kishte votuar për kandidatin e opozitës, por shihte në ekranin e printerit një votë për kandidatin e socialistëve. Operatorët e caktuar nga KQZ dhe vetë anëtarët e komisionit në qendrën 2373/1 në shkollën Bardhyl Popa, ishin të paaftë të shpjegonin se çfarë kishte ndodhur. Palët këmbëngulën në arsye të ndryshme, ndërsa makineria u bllokua dy herë gjatë ditës.
Në të njëjtën qendër një makineri e dytë funksionoi pa shqetësime. Të tilla nuk u raportuan as në 4 qendrat e votimit që ishin në po atë shkollë. Në qendrën pranë Fakultetit Ekonomik, komisionerët dhe operatorët i thanë BIRN se pas një problemi të ngjashëm u bë një verifikim dhe rezultoi se bëhej fjalë vetëm për ngecje të printerit. Ata thanë se mbajtën një procesverbal dhe më pas votuesit që e verifikuan votën nuk patën probleme.