Kampionati europian i shahut për klubet ka mbledhur për një javë radhazi në Durrës mbi 850 përfaqësues të “sportit të mendjes”. Më shumë se gjysma e tyre shahistë, thuajse nga të gjitha vendet e kontinentit janë ulur edhe të shtunën – në ditën e fundit të turneut, përballë kundërshtarëve sportivë për tu njohur më pas edhe me ekipet fituese të turneut më të rëndësishëm shahistik që është organizuar në vendin tonë.
“Nuk ishte e lehtë, qoftë edhe për të sistemuar në të njejtën hapësirë një numër shumë të madh pjesmarrësish – tha për BIRN Majlinda Pilinçi, sekretare e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut. Aq më tepër kur moti i mirë favorizoi zgjatjen e sezonit turistik, dhe strukturat hoteliere kanë ende mjaft mysafirë – shtoi ajo.
Që nga viti 2011 në vendin tonë janë organizuar një sërë veprimtarish ndërkombëtare shahu për mosha të ndryshme, por sekretarja PilinçI kërkon të ndalet më shumë në nevojën për masivizimin e shahut dhe mbështetjen e tij nga qeveria dhe bashkitë e qyteteve.
“Fatkeqësisht, ligji aktual për sportet nuk i përfshin institucionet vendore në mbështetjen e shahistëve. Madje, mjaft qytete, përfshi edhe Tiranën, nuk kanë salla shahu, si vende argëtimi dhe shkëmbimi sportive për moshat – shprehet Majlinda Pilinçi.
“11-vjeçarja fierake Ajlin Ndreko është shahistja më e re – thotë sekretarja Pilinçi, teksa kërkon njesë për tu përgjigjur në telefonatën e radhës.
Trajneri i “Teutës” së Durrësit, Lorenc Ramaj, po përgatitet të ndjekë ekipin e tij në raundin e fundit të kampionatit. Ai është i kënaqur më shumë se sa me rezultatin e pritshëm, me paraqitjen e talenteve të rinj që po përgatiten në qytetin me traditë.
“Në tavolinën e katërt të skuadrës sonë ndeshet Kler Çaku, 13 vjeçarja nga Durrësi, që u shpall kampione e Evropës për moshat vetëm 10 ditë më parë – tha për BIRN Mjeshtri i FIDE-s, Ramaj, duke bërë të njohur gjithashtu se në tre tavolinat e tjera ngjyrat e “Teutës” i mbrojnë tre lojtare të huazuara, një ish-kampione bullgare dhe dy shahiste nga Polonia.
“Ne e kemi ruajtur sallën e shahut në pallatin e sportit, dhe njëlloj si ne 40 vjet më pare. Po punojmë me fëmijët dhe të rinjtë të talentuar – tha trajneri Ramaj, duke shtuar: “ata duhen mbështetur edhe financiarisht për rezultatet e larta në veprimtaritë e moshave që organizohen në rajon e më tej”.
Erald Dervishi, presidenti I FSHSH ka patur të njejtën moshë si Kler Çaku në vitin 1994, kur u shpall kampion i Europës për moshat deri në 14 vjeç.
Personalitet i formuar dhe përfaqësues i shquar në institucionet evropiane të shahut, ai është një tjetër përfaqësues i asaj që specialistët e emërtojnë si “shkolla e shahut në Durrës”.
Fatos Muço, 12 herë kampion i Shqipërisë, është me siguri shahisti durrsak më i njohur në shkallë vendi, pasi emrin e tij në vitet '70 – 80 e kujtojnë jo vetëm për fitoret e njëpasnjëshme në kampionate kombëtare, por edhe për përfaqësimet dinjitoze europiane dhe botërore.
“Punohej shumë dhe mbështeteshim vetëm në tekstet e përkthyera, duke iu rikthyer dhjetra herë literaturës shahistike. Skuadra kombëtare kishte në përbërje shahistë të mrekullueshëm, që arritën renditje të larta në renditjen ELO – thotë ai.
Konjukturat politike të kohës i kanë penalizuar jo pak shahistët tanë në veprimtaritë ndërkombëtare. Mjeshtrin Muço e kanë përjashtuar 8 vjet nga kampionatet dhe olimpiadat e shahut për arsye se ekipi shqiptar me “urdhër nga lart” nuk pranoi të ndeshej me skuadrën e Izraelit.
“Kisha fituar nëntë ndeshje dhe barazuar pesë të tjera në Olimpiadën e Shkupit të vitit 1972 dhe përveç përjashtimit humba dhe pikët për të arritur normën e Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar.
“Rregullorja duhet ta parashikojë edhe tani një gjë të tillë, por jam i bindur se absurditete të tilla nuk ndodhin më”.
Fatosi këmbëngul në nevojën e futjes së shahut në kurrikulat e shkollave, si dhe një orë të veçantë mësimore në të gjitha shkollat tona.
Znj Pilinçi shton se ka informacion që Kosova po e ndërmerr këtë hap, ndërsa Turqia në 12 vitet e fundit ka përparuar mjaft në këtë fushë.
“Në vitin 2015 ne kemi arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit, por megjithë festivalet e shahut dhe tekstet didaktike të unifikuara nga Federata botërore, kontrata mes palëve ka mbetur e pazbatuar – shton Pilinçi.
Në mjediset ku po zhvillohet dita e fundit e kampionatit ekipor europian shihen gazetarë dhe operatorë që fiksojnë pamjet e fundit nga takimet.
“I falenderojmë me gjithë zemër, por kemi nevojë për mbështje gjatë gjithë vitit. Mjafton që mediat sportive të marrin pak kohë nga emisionet për futbollin dhe ti kushtojnë vëmendje edhe shahut – përfundon sekretarja e përgjithshme Majlinda Pilinçi.