Prokurori Madrid Kullolli i Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të përballet të premten më 1 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Etleda Çiftja.
Madrid Kullolli e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe ka punuar për gati dy dekada si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit. Për një periudhë të shkurtër në vitet 2013- 2015, Kullolli e ushtroi detyrën pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të prokurorit Madrid Kullolli nga viti 2003 deri në fund të vitit 2019. [Kliko për skedën në PDF].
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurori Madrid Kullolli deklaronte pasuri familjare me vlerë 3 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare kap vlerën e 25 milionë lekëve.
Ai zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 15.3 milionë lekë, likujditete bankare me vlerë 6.7 milionë lekë, automjete me vlerë 1.5 milionë lekë si dhe kursime të akumuluara në cash prej 1.4 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare gjatë periudhës deklaruese janë 68.1 milionë lekë, nga të cilat gati 34% kanë si burim pagën e subjektit, 36% të ardhurat e bashkëshortes nga avokatia, 14% pagat e familjarëve dhe 7.6% të ardhurat nga mësimdhënia. Gjithashtu, familja e subjektit deklaron të ardhura nga qiraja në masën 7.4%.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq' që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 16 vite, tre prej deklaratave rezultojnë me probleme.
Kontrolli Aritmetik dhe Logjik për subjektin Madrid Kullolli rezultoi me diferencë negative në vitin 2004 në shumën 334,495 lekë; në vitin 2009 në shumën 1,119,374 lekë dhe në vitin 2011 në shumën 1,280,537 lekë. Gjatë kësaj periudhë, subjekti dhe bashkëshortja e tij nuk rezultojnë që të kenë deklaruar kursime nga të ardhurat e përfituara.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Deklarata e pasurisë së vitit 2019
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al