Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të martëm konfirmimin në detyrë të ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme Klerona Meçi.
Meçi u përball në KPK me dy seanca dëgjimore kryesisht lidhur me probleme të gjetura në kriterin e pasurisë dhe figurës.
Megjithatë KPK ka arsyetuar se dyshimet mbi mungesën e burimeve të ligjshme të babait për blerjen e një apartamenti të përdorur prej saj, si dhe mos deklarimin në formularin e kontrollit të figurës të një procedimi të të atit për “Pastrim të produkteve të veprës penale…”, nuk ishin shkarkuese sipas shumicës.
Trupa që mori vendimin përbëhet nga Alma Faskaj, Pamela Qirko dhe Xhensila Pine si relatore e çështjes.