
Fredi Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të fundit lokale në Shqipëri me akuzën e blerjes së votave dhe u dënua me 2 vjet nga Gjykata e Posaçme, u lirua me kusht të hënën pasi Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e tij. Beleri, të cilit i mbeteshin edhe 6 javë nga dënimi, deklaroi për mediat se do të luftonte për pafajësi dhe se këmbëngulte që zgjedhjet e fundit në Himarë ishin të paligjshme.
Beleri u zgjodh në maj 2023 si kryebashkiak i Himarës, por ai nuk e mori detyrë pasi u arrestua para zgjedhjeve me akuzat e blerjes së votës dhe u gjet fajtorë në shkallën e parë dhe në apel. Pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Poçme të Apelit, Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve e shpalli mandatin e tij të pavlefshëm.
Gjatë kohës që Beleri përballej me akuza në Shqipëri ai mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis e kandidoi në listën e saj për deputetë të Parlamentit Europian. Beleri u shpall fitues, ndërsa ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Shqipëri. Pasi u zgjodh në Parlamentin Europian si eurodeputet nga Greqia, ai u gjet fajtor për blerje votash edhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Pas lirimit Beleri këmbënguli të vazhdonte betejën ligjore. “Beteja ime nuk përfundon këtu, çështjen do ta çoj në Strasburg për të vertetuar pafajësinë time”, tha Beleri për mediat greke menjëherë pas daljes nga qelia.
I pyetur nga BIRN për zgjedhjet të 4 gushtit në Himarë, në të cilat kryebashkiak u zgjodh Vangjel Tavo i propozuar nga Partia Socialiste në qeveri, Fredi Beleri u përgjigj se në Himarë nuk ka patur zgjedhje të lira dhe të vërteta. “Në Himarë nuk pati zgjedhje, ato u manipuluan nga pushteti, zgjedhjet e vërteta u bënë në 26 maj 2023 dhe aty dola unë fitues”, tha Beleri.
Beleri e fitoi lirinë pas tre seancave gjyqësore në Gjykatën e Fierit e cila vendosi në favor të kërkesës së tij pas paraqitjes së Raport-Vlerësimit nga Shërbimi i Provës. Pasi u njoh me këtë raport dhe provat e tjera gjyqtari Alfred Konomi vendosi për lirimin me kusht. Beleri la qelinë ne 13:30 minuta të së hënës.
Megjithatë avokati i Belerit ironizoi se gjyqësori kontrollohej nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama. “Respekte për gjykatën, e shohim që ai “pronari” që ka çelësat e burgut dha leje të dalë tani pas zgjedhjeve më Himarë”, tha Eugen Gjyzeli, avokati i Belerit.







