
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, në një letër drejtuar partive politike, pohon se votimi elektronik në 5 qarqe, siç ishte propozuar më herët, nuk është i mundur, pasi sipas tij, koha e mbetur në dispozicion “është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknikë dhe njerëzorë për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh.”
“Duke vlerësuar interesin dhe dobinë e shtrirjes graduale të votimit elektronik, KQZ për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2025, propozon zhvillimin e kësaj mënyre votimi vetëm në qarkun e Elbasanit dhe atë të Durrësit,” thuhet në letrën e Celibashit.
Sipas kreut të KQZ-së, propozimi për të pasur votimin elektronik në Elbasan vjen pasi në këtë qark “u zhvillua votimi elektronik për zgjedhjet e datës 14 maj 2023 në shumicën e qendrave të votimit të këtij qarku, që i përkasin bashkisë Elbasan.”
Më tej, në letër theksohet se votimi elektronik duhet të shtrihet “në ato njësi zgjedhore ku një pjesë e votuesve të kësaj njësie ka një eksperiencë të mëparshme me këtë lloj votimi.”
Ndërkohë, përsa i përket përzgjedhjes së qarkut të Durrësit, rekomandohet për shkak të lehtësisë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark në krahasim me qarqet e tjera të vendit. “Durrësi, për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe asaj tjetër, si dhe distancës me Tiranën (KQZ-në),” thuhet në letrën e KQZ-së.
Teksa zbulon datat e mundshme të zgjedhjeve, që shkojnë nga e diela, 20 prill 2024, deri në të dielën, 11 maj 2024, Celibashi i vendos partive politike afat deri më 19 tetor për të paraqitur në KQZ mendimin e tyre për këtë propozim për votimin elektronik.







