
Deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela u paraqit të mërkurën më 30 tetor në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, ku sipas avokatit që e shoqëroi, ai dha deklarime si person nën hetim për aksidentin në punë në magazinën në pronësi të tij në fillim të muajit mars, që i mori jetën dy punëtorëve babë e bir dhe shkaktoi plagosjen e shtatë të tjerëve. Pasi dolën nga zyrat e SPAK, avokati deklaroi për mediet se nuk janë ende në dijeni për akuzat ndaj të mbrojturit prej tij, ndërsa shtoi se Çela është pyetur si person nën hetim.
Prokuroria e Fierit njoftoi disa ditë pas ngjarjes rezultatet paraprake të hetimeve të kryera për aksidentin e rëndë. Sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi ndaj Çelës dhe gjashtë personave të tjerë, përfshi dhe zyrtarë lokalë, u regjistrua për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, “ndërtim të paligjshëm”, dhe “shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.
Ndërsa çështja ndaj personave të tjerë u vendos të vijojë të hetohet në Fier, ajo për Çelën u transferua pranë SPAK, për arsye të kompetencave. Mes të lënduarve ishte edhe vetë deputeti socialist Bujar Çela.







