
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED caktoi me short elektronik të premten më 1 nëntor relatoren dhe këshilltaren për të realizuar procesin për plotësimin e vendit vakant të krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska më 19 shtator. Si relatore anëtare e KED u caktua gjyqtarja e Apelit, Irena Brahimi dhe si këshilltare Aulona Bodo.
KED njoftoi se ka marrë gjithë masat për të realizuar një proces të rregullt ligjor, efektiv dhe të shpejtë. Por, nga ana tjetër sjell në vëmendje se “thellësia e procesit të verifikimit, besueshmëria, integriteti dhe shpejtësia e tij varet edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike si: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve, etj., si dhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta”.
Në pikën e dytë të rendit të ditës ishte parashikuar që të diskutohej lidhur me njoftim të Kuvendit të Shqipërisë, që ka të bëjë me përcaktimin e kohëzgjatjes së mandatit të vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Me vendimin nr.133 të vitit 2019 për zgjedhjen e Elsa Toskës si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, citohet se ajo është zgjedhur për vakancën e plotë të shpallur më 12 shkurt të vitit 2018.
Sipas njoftimit të Kuvendit të Shqipërisë të bërë më 30 shtator për shpalljen e hapjes së procedurës së aplikimit për vendin vakant, mandati i ish-gjyqtares Toska përfundon në nëntor të vitit 2028, duke u konsideruar si fillim viti kur është marrë vendimi nga Kuvendi për zgjedhjen e saj. Ndërkohë, në vendimin e atëhershëm të Kuvendit, shënohet se Toska u zgjodh për vakancën e shpallur në shkurt të 2018-ës.
Anëtarë të opozitës e cilësuan afatin e mandatit të caktuar nga Kuvendi si një një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku postoi në llogarinë e saj në rrjetin social X qëndrimin e saj kundërshtues. Ajo sjell në vëmendje ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi, kur janë vendosur disa dispozita për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Tabakut, në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, ku saktësohet se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028.
Tabaku vëren se Komisioni Venecias ka vlerësuar se ky nen i Kushtetutës kishte për qëllim që 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ndaheshin në tre grupe me nga tre gjyqtarë secili, për të garantuar zëvendësimin gradual të tyre. Bazuar në këto argumente, Tabaku pretendoi se mandati i Toskës përfundon në vitin 2025.
KED njoftoi se në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, anëtarët diskutuan dhe ndanë mendimet e tyre lidhur me pikën e dytë të rendit të ditës që kishte të bënte me kohëzgjatjen e mandatit të vakancës së krijuar pas dorëheqjes së Toskës. Në shumicë ata konkluduan se nuk e çmojnë të përshtatshme t’i drejtohen me një opinion Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, lidhur me këtë situatë.
Kuvendi publikoi të mërkurën më 30 tetor listën e kandidatëve që kanë shprehur interes për të kandiduar për pozicionin e lirë në Gjykatën Kushtetuese. Ata janë ish-kryetari i Këshillit të Lartë të prokurorisë, Alfred Balla dhe ish-anëtarja tjetër e këtij Këshilli, Nurihan Meta Seiti; ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami; Komisionerja Publike, Irena Nino; anëtari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Roland Ilia si dhe Eris Hysi, Gentian Zyberi, Klodian Rado, Nertila Sadedini dhe Sinan Tafaj.







