
Gjykata Kushtetuese njoftoi të mërkurën se kërkesa e Shoqatës së Ndërtuesve për të cilësuar si të padrejtë rritjen e çmimit të referencës në Tiranë është gjetur e pabazuar. Shoqata e ndërtuesve i ishte drejtuar gjykatës me pretendimin se vendimi i qeverisë, i vitit 2023, për rritjen e çmimit të referencës ishte “joproporcional, cënonte lirinë ekonomike, të drejtën e pronës private, parimin e sigurisë juridike”.
Por në shqyrtimin e çështjes Kushtetuesja vuri re se ankimi i Shoqatës së Ndërtuesve kishte në thelb metodologjinë që përdorej për përcaktimin e taksave mbi ndërtimin që bazohet mbi çmimin e referencës. “Duke pasur parasysh se edhe për pretendimet e tjera për cënimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe barazinë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, kërkuesja ka paraqitur të njëjtat argumente, të cilat në thelb nuk kishin të bënin me çmimin e referencës, por me metodologjinë për përcaktimin e taksave, Gjykata vlerësoi se këto pretendime nuk mund të merren në shqyrtim”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp, se ankimi ishte ngritur mbi çmimin e referencës, por argumentet në gjykatë u sollën për kundërshti mbi ligjin për taksat vendore të vitit 2006, ndryshuar në vitin 2017 dhe një Vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2018. Zaçaj tha se këto ishin jashtë afatit dhe nuk mund të shqyrtoheshin. Ajo tha se ndërtuesit nuk sollën argumente se çmimi i referencës ishte më i lartë se çmimet e tregut.







