
Policia e Shtetit njoftoi të hënën arrestimin e 17 shtetasve shqiptarë, si edhe masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për një tjetër, të cilët akuzohen për “ushtrim veprimtarie financiare pa licensë”, “fshehje të ardhurash” dhe “moskallëzim i krimit”.
“18 shtetasit këmbenin monedha virtuale ne para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licensën e nevojshme për kryerjen e kësaj veprimtarie,” shkruan njoftimi i Policisë së Shtetit në faqen zyrtare në Facebook.
Gjatë kontrolleve të kryera janë sekuestruar 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë dhe 750 mijë Euro që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme. Sipas njoftimit, gjatë periudhës hetimore është mundësuar dokumentimi me prova bindëse i kësaj veprimtarie kriminale që kryhej individualisht, duke përdorur si mjete komunikimi rrjetet sociale, si edhe disa subjekte ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër.







