
Duke trajtuar çështje nga mizogjinia te bashkëjetesa fetare, regjisori Robert Budina ka bërë karrierë duke mbajtur një pasqyrë para shoqërisë shqiptare, megjithatë ishte akti i largimit nga atdheu i tij më shumë se tre dekada më parë që do të bëhej ndoshta përvoja e tij më formuese.
Budina u rrit si djali i një gjenerali në ushtrinë shqiptare nën diktatorin stalinist Enver Hoxha, sundimi paranojak i të cilit e shkëputi vendin nga bota e jashtme për pjesën më të madhe të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.
Hoxha vdiq në vitin 1985 dhe pas rënies së Murit të Berlinit katër vjet më vonë, Budina ishte ndër studentët e parë që doli në rrugë në protestë kundër regjimit komunist.
Në një intervistë për BIRN në zyrën e tij, i rrethuar nga libra, dosje dhe postera të filmave të tij, regjisori i njohur i pavarur, tashmë 60 vjeç, kujtoi përballjen me të atin.
“Kur isha 16 vjeç e pyeta: ‘Pse e shkatërrove Shqipërinë?’ Dhe ai më tha: ‘Ne kishim një ideal. E kishim gabim. Më vjen keq.”
“Babai im ishte komunist, partizan dhe gjeneral në ushtrinë shqiptare”, tha ai. “Ai kurrë nuk iu afrua politikës, sepse pas studimeve në Bashkimin Sovjetik e kuptoi se çfarë drejtimi do të merrte diktatura.”
Studentët, tha ai, menduan se “do të sillnin një jetë tjetër”. Ai e kujtoi atë si një kohë dëshire të madhe, pasigurie dhe vendosmërie.
“Ne menduam se do të bënim një botë më të mirë. Dhe pavarësisht të gjitha ndërlikimeve, mendoj se të paktën shqiptarëve u është dhënë mundësia të shprehen.”
Megjithatë Budina, fillimisht, nuk qëndroi për ta parë këtë.

“T’i arratisesh vetes”
Në gusht 1991, mes valëve të trazirave në Shqipëri, Budina ishte mes mijëra shqiptarëve që mësynë anijen “Vlora”, e ankoruar në portin e Durrësit, përpara se ajo të nisej për në Itali.
Në atë moment, në fund të të njëzetave të tij dhe ende një student, Budina tha se ishte frustruar nga ritmi i ngadaltë i ndryshimeve politike. Ai u kacavar në një litar për të hipur në anije, e cila u mbipopullua masivisht. Pavarësisht rrezikut, ai e kujtoi udhëtimin si 24 orët më emocionuese të jetës së tij.
“Ishte shumë emocionuese dhe motivuese sepse në atë kohë ne e shikonim ikjen jashtë vendit si fitim të lirisë dhe mendonim se të shkuarit jashtë do të ndryshonte krejtësisht rrjedhën e jetës sonë”, tha ai. “Pra, unë u largova me dëshirë, pavarësisht se në atë kohë isha shumë i angazhuar në lëvizjet politike të kohës.”
“Anija kishte një defekt, por kapiteni u detyrua nga disa ‘të fortë’ të kohës që ishin të armatosur dhe kërkuan të largoheshin dhe ne u larguam. Udhëtimi zgjati 24 orë, por ato 24 orë ishin ndoshta 24 orët më emocionuese për mua.”
“Mbaj mend gjithçka, mbaj mend se si hipa, rashë nga litari mbi njerëzit nga një lartësi prej shtatë metrash.”
Budina kaloi tre vjet në Itali, duke punuar për një kompani, por i bindur se e ardhmja e tij ishte tek arti.
“Edhe në biznes do ta bëja si art”, tha ai.
Teksa sheh pas, Budina tha se beson se ata që largoheshin kishin ambicie të gabuara, se, në fakt, ata thjesht po largoheshin nga vetja e tyre, diçka që ai e sheh edhe sot.
“Thjesht kuptoni që nuk ishte vetëm dëshira ime, por ishte dëshira e të gjithëve të largoheshin nga Shqipëria, sepse ne mendonim se komunizmi e kishte fajin për gjithçka; nuk e dinim që e kishim krijuar vetë atë komunizëm dhe se kjo është si t’i arratisesh vetes.”
“Edhe emigracioni që ndodh sot më duket e njëjta gjë. Ikni nga vetja juaj, ikni nga kultura juaj, përvetësoni një tjetër dhe nuk mbani përgjegjësi për veten. Të them të drejtën, m’u desh pak kohë për ta kuptuar këtë, pasi u largova për në Itali.”
Në vitin 2012, Budina e përfshiu përvojën e emigracionit në filmin e tij të parë artistik, Agon, i cili flet për dy të rinj shqiptarë që largohen për në Greqinë fqinje dhe vështirësitë që ata hasin.
Çështjet sociale do të vazhdonin të dominonin punën e tij, si në film ashtu edhe në teatër, ku ai punon si regjisor dhe dramaturg.
Budina tha se përvojat e tij “ekstreme” të mbijetesës “ndihmojnë shumë në artin që bëj”.

Pushtet dhe mizogjini
Filmi artistik më i fundit i Budinës, Pikë Uji, i cili doli këtë vit, eksploron temat e dhunës seksuale dhe pushtetit dhe mënyrën se si shoqëria kryesisht patriarkale shqiptare u përgjigjet atyre.
Ai tha se ishte shtyrë ta bënte filmin për shkak të asaj që ai e shihte si indiferencë e njerëzve ndaj dhunës seksuale dhe një tendencë për të fshehur të vërtetën.
“Në parim, brenda meje, në takimet e mia politike, shoqërore dhe aktiviste, kam vënë re se në disa momente ka njerëz që duan pushtet, të cilët janë të aftë të bëjnë gjëra shumë të këqija për hir të pushtetit që kanë”, tha Budina për BIRN.
“Më kanë interesuar gjithmonë këta njerëz, të kuptoj se si jetojnë me veten, si jetojnë me ndjenjat e tyre, me familjen, çfarë raporti kanë me pushtetin, gjërat e vogla, sa të lumtur janë, si e jetojnë jetën e tyre personale.”
Një arsye tjetër, tha ai, ishin një sërë përdhunime fëmijësh në 2018-2019, në të cilat shpesh u fajësuan viktimat.
“Nënat e përdhunuesve mbronin fëmijët e tyre dhe akuzonin vajzat”, tha ai dhe kujtoi se djemtë e tij adoleshentë njihnin disa nga djemtë që u akuzuan për përdhunim. “Pozicioni i tyre ishte shumë neutral… dhe më bëri shumë përshtypje”, tha ai.
“Ata nuk shkuan më thellë, jo sepse thanë se (të akuzuarit) bënë mirë apo keq. Thjesht nuk hynë më thellë. Duhet të reagosh; nuk mund të jesh neutral.”

Bashkëjetesë fetare
Një tjetër temë që Budina ka eksploruar është bashkëjetesa fetare, diçka për të cilën shqiptarët janë veçanërisht krenarë duke pasur parasysh përzierjen e islamit, katolicizmit dhe krishterimit ortodoks në vend.
Filmi 2018 Streha mes reve tregon historinë e një bariu të ri në një fshat ku të krishterët dhe myslimanët bashkëjetojnë në mënyrë paqësore.
Budina tha se ai kaloi tre vjet duke bërë kërkime për filmin, gjatë të cilave ai arriti në përfundimin se megjithëse historia shqiptare, lidhjet e klaneve u bënë më të rëndësishme se ato fetare për shkak të nevojës së jashtëzakonshme për të mbrojtur territorin nga sulmet e jashtme.
“Dhe klani kishte një kryetar që vendoste për të gjithë familjen, ndaj u krijua një strukturë kontrolli vertikale për të qenë bashkë dhe për të ruajtur kulturën, gjuhën, tokën. Në atë kohë nuk kishte atdhe, por vetëm tokë.”
Vetë Budina u identifikua me bariun në film, një mysliman me nënë katolike dhe baba komunist.
“Kjo përputhej gjithashtu edhe me natyrën time”, tha ai. “Gjithmonë dhe në kohët më të vështira dhe me armiqtë më të mëdhenj, nuk jam marrë kurrë me aspektin negativ. Kam parë se si njerëzit duhet të bashkohen me njëri-tjetrin.”







