
Kandidatët për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 kanë deklaruar zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se kanë shpenzuar pak më shumë se 44 milionë lekë gjatë fushatës elektorale.
Një raport i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri, me titull “Analiza e raporteve financiare të subjekteve mbi fushatën elektorale,” i bazuar në deklarimet zyrtare të partive politike, zbulon se shpenzimet direkte të kandidatëve përbëjnë vetëm një fraksion të kostos totale të fushatës zgjedhore.
“Nga totali i shpenzimeve të raportuara nga të gjitha subjektet zgjedhore, shuma prej 44.1 milionë lekësh është deklaruar nën shpenzimet e drejtpërdrejta të kandidatëve për kryetarë të bashkive dhe atyre për anëtarë të këshillave bashkiakë, me përkatësisht 16.59% dhe 0.15% të totalit të shpenzimeve,” shkruhet në raport.
Sipas ekspertëve, kjo shumë gati e papërfillshme, nëse marrim në konsideratë numrin e lartë të kandidatëve që marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor, vjen si pasojë e informalitetit në procesin e deklarimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të fushatës elektorale.
Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, mungesën e deklarimeve nga kandidatët e shpjegon me faktin se nuk respektohet ligji dhe se shpenzimet mbulohen me para informale.
“Në mjaft raste, më keq akoma, me para që derdhen nga eksponentë të krimit të organizuar e qarqe biznesi të lidhura me të, deklarimi është i pamundur sepse përkthehet në vetëdenoncim,” tha ai.
Kodi Zgjedhor përcakton rregulla të qarta për deklarimin dhe kontrollin e financave të kandidatëve në zgjedhjet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka autoritetin dhe përgjegjësinë për të mbikëqyrur, kontrolluar dhe audituar fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore gjatë dhe jashtë periudhës së fushatës zgjedhore.
Fushatë me fondet e partisë
Edhe pse relativisht e vogël në krahasim me koston totale të fushatës, e cila në pjesën më të madhe është financuar nga arka e partive politike, shpenzimet e kandidatëve, në masën më të madhe – 99% të vlerës së deklaruar, i përkasin dy grupimeve të mëdha politike në këto zgjedhje, Partisë Socialiste dhe Partisë së Lirisë – e cila kryesonte koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’.
Kandidati që ka shpenzuar më shumë para në fushatë rezulton të jetë Belind Këlliçi, i cili garonte nën siglën e Partisë së Lirisë, pjesë e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë Tiranë. Sipas raportit financiar të dorëzuar në KQZ, Këlliçi ka shpenzuar më shumë se 100 mijë euro për fushatë nga buxheti vetjak.
Ndryshe nga kundërshtari i tij politik, Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës me tre mandate nën siglën e Partisë Socialiste, rezulton ta ketë mbuluar fushatën me fondet e partisë. Edhe dy kandidatë të tjerë, Roland Bejko nga Partia Demokratike dhe Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë, kanë vepruar në të njëjtën mënyrë me kryebashkiakun socialist.
Bashkia Tiranë nuk është një rast i veçuar. Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, një numër i konsiderueshëm kandidatësh për zgjedhjet vendore nuk kanë deklaruar asnjë shpenzim financiar gjatë fushatës. Ky fenomen është veçanërisht i përhapur në radhët e Partisë Socialiste, ku kandidatët në 22 bashki kanë garuar pa shpenzuar asgjë. Nga ana tjetër, një situatë e ngjashme është vërejtur në mënyrë më të kufizuar tek kandidatët e opozitës, ku përfaqësuesit në bashkitë Dropull, Himarë, Maliq, Poliçan dhe Pustec raportojnë shpenzime zero.
Duke veçuar rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Zef Preçi theksoi se në shumë raste kryebashkiakët që rikandidojnë nuk deklarojnë shpenzime pasi përdorin burimet shtetërore për fushatë.
“Nuk duhet harruar se z. Veliaj dhe shumë të tjerë si ai kanë përdorur dhe vazhdojnë të përdorin gjerësisht brenda dhe jashtë vendit burimet shtetërore në fonde dhe infrastrukturën tjetër në dispozicion, deri edhe helikopterët ushtarakë dhe avionët, në fushatën partiake, kështu që nuk kanë se çfarë të deklarojnë,” tha ai.
Nevoja për një ligj të ri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve auditon raportet financiare të kandidatëve dhe partive përmes angazhimit të auditorëve të pavarur të licencuar për të verifikuar burimet e financimit dhe shpenzimet, si dhe përgatitjen e raporteve me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.
Por Zef Preçi i shikon me dyshim shifrat e deklaruara nga kandidatët dhe shprehet se procesi i auditimit, i ankoruar në KQZ, është i pamjaftueshëm. Ai është i mendimit se duhet një ligj i ri për partitë politike.
“Të parashikohet në mënyrë eksplicite edhe auditimi i tyre nga agjencitë shtetërore të specializuara, si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe të forcohen dukshëm sanksionet në lidhje me parregullsitë në deklarimet financiare, në fshehjen e burimeve financiare me ndikim në rezultatin zgjedhor,” tha Preçi.
Edhe avokati dhe eksperti për çështjet zgjedhore i Partisë Demokratike, Rezart Kthupi, është i mendimit se duhet një ligj i ri për partitë politike.
“Problemi kryesor i ligjit është mungesa e kontrollit,” tha ai. “Nuk ka mekanizma të kontrollit mbi veprimtarinë e partive politike,” shtoi Kthupi.
Ndërsa për analistin politik Ermal Hasimja, problemi me partitë politike dhe mosdeklarimet e parave në fushata është më i thellë – duke përfaqësuar jo vetëm boshllëqe ligjore, por edhe kulturën e klasës politike dhe monopolin e partive të mëdha mbi pushtetin.
“Ka pasur raste kur institucionet përkatëse kanë vepruar me gjithë forcën dhe pretekstet ligjore ndaj partive të reja në përpjekjen për të mbrojtur monopolin politik të partive klasike,” tha Hasimja.
“Është krijuar një traditë mosreagimi ligjor ndaj partive të mëdha për sa u përket financimeve,” përfundoi ai.







