
Rënia e bëftë, pas 54 vjetësh, e dinastisë al-Assad të Sirisë sapo ka transformuar peizazhin gjeopolitik të Lindjes së Mesme. Ofensiva e rrufeshme nga milicia islamike Hayat Tahrir al-Sham (HTS) zuri në befasi të gjithë fqinjët e Sirisë – dhe të gjithë të tjerët. Lajmi se presidenti Bashar al-Assad kishte ikur në Rusi konfirmon të vërtetën e vetme detyruese për luftërat: pasojat e padëshiruara mund të shtrihen shumë përtej teatrit të betejës.
Sulmi i 7 tetorit 2023 që Hamasi kreu kundër komuniteteve civile izraelite në kufi me Gazën shkaktoi “tërmete” në të gjithë Lindjen e Mesme. Ofensiva e pamëshirshme e Izraelit për të shkatërruar Hamasin në Gazë dhe në Liban kundër Hezbollahut, praktikisht fshiu “boshtin e rezistencës” të Iranit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar goditën Houthitë e mbështetur nga Irani në Jemen në përgjigje të sulmeve Houthi ndaj anijeve ndërkombëtare.
Lufta civile e Sirisë filloi në vitin 2011 kur regjimi i Assad-it shtypi protestat paqësore të “Pranverës Arabe”. Por luftimet u qetësuan kryesisht pas vitit 2015, kur ndërhyrja e Rusisë, së bashku me ndihmën e Iranit dhe Hezbollahut, e kthyen luftën në favor të Assad-it. Sot, me përfaqësuesit e Iranit të shkatërruar dhe aftësitë luftarake të Rusisë të shteruara në Ukrainë, rebelët panë shansin e tyre.
Me ndihmën turke, dhe me sa duket edhe të Katarit, rebelët mposhtën lehtësisht mbrojtjen çuditërisht të dobët të regjimit dhe ushtria e Assad-it kapitulloi pa një betejë. Pasi mbështetësit iranianë dhe rusë të Assad-it evakuuan me nxitim forcat e tyre dhe e lanë atë në fatin e tij, një regjim i ndërtuar mbi tortura dhe masakra masive nuk ngjallte më frikë.
Fundi i aleancës së Iranit me Sirinë, bastioni kryesor i tij në botën arabe, do të riformësojë ekuilibrin rajonal të fuqisë. Siç tha Mohammad Ali Abtahi, një ish-zv/president iranian, dy ditë para se Assad-i të ikte, rënia e qeverisë siriane “do të ishte një nga ngjarjet më domethënëse në historinë e Lindjes së Mesme. … Rezistenca në rajon do të mbetej pa mbështetje. Izraeli do të bëhej forca dominuese.”
Emri Hayat Tahrir al-Sham qëndron për çlirimin e Levantit, i cili në leksikun politik të Kalifatit të hershëm përfshin Sirinë, Libanin, Jordaninë dhe Palestinën. Por Abu Mohammad al-Jolani, udhëheqësi i HTS-së, është përpjekur të projektojë një imazh të një lloji të ri islamik. Ai duket se ka nxjerrë mësimet e nevojshme nga dështimet e Al-Kaedës dhe Shtetit Islamik (ISIS) dhe tani e sheh veten si një pragmatist që aspiron vetëm të sjellë “çlirimin e Sirisë nga regjimi i saj shtypës”.
Një shenjë e këtij pragmatizmi të ri janë udhëzimet e Jolanit për njerëzit e tij për të lejuar kryeministrin e Sirisë, Mohammad Ghazi al-Jalali, të vazhdojë të drejtojë institucionet publike derisa ato të dorëzohen zyrtarisht. ISIS do të kishte kryer ekzekutime masive të ushtarëve dhe zyrtarëve.
Megjithatë, al-Jolani drejton një organizatë islamiste të vijës së ashpër. Ata që presin që Turqia mund të zbusë ekstremizmin e HTS, supozojnë se Jolani do të ishte një ushtar i bindur i Turqisë.
Gjithsesi, al-Jolani përballet me kufizime të fuqishme politike. Ai duhet të përballet me një mori milicish rivale që u bashkuan vetëm për të rrëzuar Assad-in, dhe gjithashtu me forcat kurde që nxituan të merrnin kontrollin e më shumë pjesëve të Sirisë lindore, ndërsa ishin nën sulm nga forcat turke në veri.
Për presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, ambiciet e kurdëve të Sirisë kërcënojnë të stimulojnë përmbysjen nacionaliste brenda komuniteteve kurde të Turqisë. Në vitin 2019, Erdogan dërgoi ushtrinë e tij për të krijuar një “zonë sigurie” 30 kilometra të gjerë në Sirinë veriore dhe për të larguar luftëtarët kurdë nga kufiri turk, një zonë ku kurdët kishin shfrytëzuar mundësinë e luftës civile për të konsoliduar një enklavë autonome.
Jolani tani duhet të punojë shumë për të gjetur një kompromis midis dëshirës së kurdëve për të ruajtur autonominë e tyre dhe ambicieve të Turqisë për t’i mbajtur ata larg zonës kufitare. A do të tolerojë Erdogan fitimet territoriale kurde që ai i sheh si kërcënim për sigurinë kombëtare të Turqisë? A do ta lejojë Jolani, i cili aspiron mbështetje mbarëkombëtare, Turqinë t’i deklarojë luftë kurdëve, ndërkohë që ai përpiqet të krijojë një koalicion qeverisës me ta dhe të mbështesë sovranitetin territorial të Sirisë?
Pavarësisht nga konflikti i tij kronik me kurdët e Sirisë, Erdogan e sheh rënien e Assad-it si një arritje të madhe. Ai ishte në ekstazë teksa ndiqte përparimin e forcave rebele. “Idlibi, Hama, Homs dhe objektivi, natyrisht, është Damasku. … Dëshira jonë është që ky marshim në Siri të vazhdojë pa incidente”, tha ai pas faljeve së të premtes së kaluar në Stamboll.
Për vite me radhë, Erdogan dhe aleatët e tij të Katarit kanë mbështetur grupet islamike në të gjithë Lindjen e Mesme. Ai ishte në garë me iranianët se cili model i demokracisë islame duhet të mbizotërojë në tokat myslimane: marka fundamentaliste shiite apo forma më e moderuar e Turqisë. Tani ai beson se ka fituar mundësinë për ta formësuar një model të tillë afër shtëpisë.
Megjithëse rebelët e Sirisë kanë shumë arsye për ta falënderuar Izraelin për krijimin e kushteve për suksesin e tyre, Izraeli nuk ka iluzione për fqinjët e tij të rinj. Al-Jolani lindi në Lartësitë Golan të Sirisë, të cilat Izraeli i pushtoi në luftën e vitit 1967, dhe aneksimi dhe sovraniteti i të cilave u njohën nga presidenti i SHBA-së Donald Trump në 2019.
Me marshimin rebel në Damask, Izraeli nuk humbi kohë në vendosjen e njësive luftarake përgjatë kufirit sirian. Izraeli është i shqetësuar për përhapjen e mundshme të grupeve të armatosura në Lartësitë e Golanit dhe përpjekjet për të sulmuar fshatrat Druze në anën siriane të kufirit, banorët e të cilëve kanë të afërm në fshatrat në anën izraelite. Me kujtimin e 7 tetorit ende të gjallë kudo në Izrael, nuk ka asnjë vetëkënaqësi për rezervat e armëve në duart e islamistëve në kufi.
Por krenaria e kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu nuk duhet të nënvlerësohet. Nëse tirania siriane u shemb, pse të mos përpiqemi të rrëzojmë edhe atë të Iranit? Tashmë, Netanyahu nuk mund t’i rezistonte tundimit për të shkuar përtej masave të thjeshta mbrojtëse: duke argumentuar se marrëveshja e vitit 1974 që rregullonte ndarjen e forcave midis Izraelit dhe Sirisë kishte rënë, ai urdhëroi trupat izraelite të merrnin kontrollin e pjesës siriane të malit Hermon, gjithashtu edhe të zonës tampon në territorin sovran të Sirisë dhe pozicionet dominuese pranë saj.
Aleatët kryesorë të SHBA-së në rajon janë po aq të shqetësuar. Ata gjithashtu do të donin ta shihnin Assad-in të qëndronte në pushtet, nga frika se një Siri e kontrolluar nga islamistët mund të bëhej një strehë për terrorizmin. Sipas mendimit të tyre, Assad njihej dhe ishte më mirë se një qeveri e udhëhequr nga rebelët islamikë, sado e moderuar pretendon të jetë ajo.
Por tani Assad-i nuk është më. Lindja e Mesme është përsëri në një fazë ndryshimesh dramatike që kërkon që të gjithë, fitues dhe humbës, të rikalibrojnë politikat e tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Fall of the House of Assad







