
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 23 janar se ka kërkuar në gjykatë konfiskimin e pasurive të Elvin Merlikës, i akuzuar për sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasjen e Indrit Dokles. Ky i fundit ka qenë i dënuar me burg përjetë për një sërë vrasjesh e krimesh të rënda dhe fitoi lirinë në vitin 2020 falë një vendimi të Gjykatës së Krujës të bazuar në raportet pozitive të Shërbimit të Provës e të drejtuesve të burgut, si dhe nga neglizhenca e prokurorisë.
Pasuritë e sekuestruara të Merlikës dhe personave të lidhur me të, për të cilat SPAK kërkon konfiskimin, janë shoqëritë “Zeus Garden” sh.p.k., “London Eye” sh.p.k.” dhe 49% të kuotave të shoqërisë “M.S.G Security” sh.p.k.; 8 apartamente në Tiranë me sipërfaqe totale 592.38 m2; tre ngastra tokë-arë në Fushë-Kuqe Kurbin, me sipërfaqe totale 10 mijë e 342 m2; turall dhe masiv pyjor në Priskë të Tiranës, secila pasuri me sipërfaqe 6026 m2; dy garazhe dhe një bodrum në Tiranë; si dhe 9 automjete të markave të ndryshme.
Sipas SPAK, në përfundim të hetimit pasuror ka rezultuar se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.







