AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Projekti ‘Smart City’ ngre kambana alarmi për survejim masiv në Shqipëri

Marrëveshja sekrete mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie nga Emiratet Bashkuara Arabe- e dyshuar për lidhje me autoritetet kineze, për të instaluar një sistem kamerash inteligjente në qytetet shqiptare ngre shqetësime mes organizatave për të drejtat e njeriut dhe ekspertëve të privatësisë.

Besar LikmetangaBesar Likmeta
1 year më parë
në Analiza, Artikull kryesor
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Kamera survejuese | Foto ilustruese nga Pixabay

Në një ceremoni zyrtare në Abu Dhabi në prill 2024, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë ‘Presight AI’ – pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ky projekt nuk është vetëm një investim në teknologji, por një investim në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë,” deklaroi Balla pas nënshkrimit të memorandumit.

Marrëveshja parashikon instalimin e një rrjeti të avancuar kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të Shqipërisë, që premton të rrisë sigurinë publike dhe të transformojë menaxhimin e trafikut përmes teknologjive bashkohore, përfshirë inteligjencën artificiale.

Megjithatë, marrëveshja e klasifikuar si sekrete nga qeveria shqiptare, ka ngjallur shqetësime midis aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe ekspertëve të privatësisë, të cilët paralajmërojnë për potencialin e abuzimit dhe mungesën e transparencës në projektet e këtij lloji.

Përfshirja e kompanisë ‘Presight AI’, pjesë e grupit ‘G42’ që po përballet me akuza për lidhje me qeverinë kineze dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, i ka shtuar këto shqetësime dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e të dhënave personale dhe sovranitetin e informacionit që do të mbildhet nga sistemi.

Marwa Fatafta, një eksperte e të drejtave digjitale në Rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikën e Veriut për organizatën ‘Access Now’ i tha BIRN se natyra sekrete e kësaj marrëveshjeje ngre shqetësime serioze për qëllimet e qeverisë shqiptare.

“Publiku ka të drejtë të dijë se çfarë teknologjish po përdorin autoritetet në qytetet e tyre dhe përse; çfarë të dhënash do të mblidhen dhe përpunohen dhe për cilat qëllime; dhe më e rëndësishmja, cilat agjenci publike apo private do të kenë qasje në të dhënat e tyre personale,” tha ajo.

“Në mungesë të kësaj njohurie, do të jetë më e vështirë për njerëzit të sfidojnë sistemet e zbatuara ose të kërkojnë drejtësi kur ndikohen në mënyrë të padrejtë,” shtoi Fatafta.

Kompania “Presight AI” nuk i përgjigj një kërkese për koment nga BIRN në lidhje me shqetësimet e ngritura për projektin e saj me qeverinë shqiptare.

Projekti ‘Smart City’

Taulant Balla dhe Peng Xiao gjatë ceremonisë së firmosjes së memorandumit me Presight AI në Abu Dhabi

Në përgjigje të një kërkesë për informim, Ministria e Punëve të Brendshme i tha BIRN se projekti ‘Smart City’ vinte si produkt i një memorandumi bashkëpunimi midis Tiranës dhe Abu Dhabit për luftën kundër krimit të organizuar dhe çështjet e lidhura me fushën e sigurisë.

Përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale dhe Sistemit të Analizimit të të Dhënave, projekti ‘Smart City’  synon rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërinë urbane, përmirësimin e sigurisë publike duke parandaluar dhe dokumentuar veprat penale nëpërmjet investimeve teknologjike dhe edukimit te komunitetit,” tha MPB.

Sipas Ministrisë, ky memorandum bashkëpunimi u nënshkrua bazuar në ligjin Nr. 145/2020 “Për Ratifikimin e Marrëveshjeve për Bashkëpunimin Ekonomik Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe’’.

Në një intervistë për emisionin ‘Opinion’ në TV Klan më 30 maj 2024, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla tha se projekti do të shtrihet në Tiranë dhe 19 qytete të tjera të vendit.

Sipas ekspertëve, sistemi i mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë së të dhënave në Shqipëri është i dobët, ndërsa survejimi masiv i popullsisë nëpërmjet kamerave konsiderohet si një nga ndërhyrjet më të rënda në privatësi, ndaj si rrjedhojë, rreziqet nga projekti ‘Smart City’ konsiderohen të larta.

“Për çdo ndërhyrje dhe kufizim të të drejtave themelore, autoritetet duhet të garantojnë ligjshmërinë, proporcionalitetin dhe llogaridhënien – duke zgjedhur masën më pak kufizuese apo dëmtuese, dhe [duke] ofruar arsyetimet përkatëse në mënyrë transparente,” tha Megi Reçi, juriste dhe studiuese për sigurinë digjitale.

“Në dijeninë tonë, qeveria nuk ka bërë publike asnjë analizë apo vlerësim të saj mbi këtë çështje, por vetëm ka komunikuar masën,” tha ajo.

“Mbi të gjitha, duhet të ofrohet informacion mbi masat e sigurisë digjitale që janë marrë për këto teknologji, duke përfshirë vlerësimet e rrezikut, auditimet, dhe procedurat që zbatohen për të siguruar mbrojtjen e të drejtës së privatësisë, lirisë së shprehjes dhe masat kundër diskriminimit gjatë përdorimit të tyre,” shtoi ajo,

Sipas Reçit, për zbatimin e një projekti të tillë nevojitet transparencë për llojet e pajisjeve dhe teknologjive të survejimit që do të përdoren, për të dhënat që do të mbledhin, aftësinë për njohjen e fytyrës ose forma të tjera të identifikimit biometrik, informacion mbi buxhetin e përdorur, vendet nga të cilat janë blerë këto teknologji, procedurat e prokurimit dhe prodhuesit e këtyre teknologjive.

Ajo theksoi se projekti përfshin edhe përdorimin e inteligjencës artificiale (AI), ndërsa Shqipërisë i mungon baza ligjore e duhur për të ofruar garancitë bazë për të mbrojtur privatësinë dhe të drejtat e shtetasve, si për shembull ndalimi e survejimit biometrik të fytyrave në hapësira publike. Ajo theksoi se metodologjia për AI e miratuar nga qeveria në 2024 nuk përbën akt ligjor, është shumë e kufizuar dhe nuk adreson shqetësimet e shumta që ngrihen nga përdorimi i AI në survejime masive.

Sipas Marwa Fatafta, qeveritë dhe kompanitë shpesh përdorin narrativa tekno-optimiste për të promovuar projekte qytetesh “të zgjuara” [smart city], “krijuese”, “të qëndrueshme” ose të “përshtatshme”, por këto të ashtuquajtura “qytete të zgjuara” janë, në thelb, projekte mbikëqyrjeje, të ndërtuara mbi mbledhjen dhe përpunimin masiv të të dhënave personale të njerëzve pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.

“Përkundër pretendimeve që promovojnë për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe sigurisë publike, instalimi i sistemeve të mbikëqyrjes të drejtuara nga AI, si teknologjitë e njohjes së fytyrës nëpërmjet të dhënave biometrike, mundëson mbikëqyrje masive dhe diskriminim përmes mbikëqyrjes,” tha ajo.

“Këto mjete kanë kapacitetin për të identifikuar, ndjekur dhe monitoruar njerëzit kudo që shkojnë, duke cenuar të drejtat dhe liritë e tyre themelore – përfshirë të drejtën për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave, lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe të asociimit, si dhe të drejtën për barazi dhe mosdiskriminim,” theksoi Fatafta.

Ajo shtoi se ndikimet e një arkitekture të tillë mbikëqyrjeje janë edhe më të rënda në vende jo demokratike ose me demokraci të kufizuar, ku transparenca, sundimi i ligjit dhe qasja në procese të drejta ligjore janë të dobëta.

“Nën vëzhgimin e shtetit, krijohet një efekt frenues që ndryshon sjelljet e njerëzve dhe cenon më tej të drejtat e tyre,” shpjegoi Fatafta.

Lidhjet kineze

“Presight AI” është një kompani të dhënash dhe inteligjence artificiale e regjistruar në Abu Dhabi. Ajo është pjesë e grupit të kompanive G42. Kryetari i bordit të kompanisë është Tahnoun bin Zayed Al Nahyan, këshilltari i sigurisë kombëtare i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili është dhe aksioneri kryesor i saj. Ndërkohë, drejtuesi ekzekutiv i saj është Peng Xiao.

Përpara se të drejtonte G42, Xiao ishte drejtues i Pegasus LLC, pjesë e kompanisë së sigurisë kibernetike ‘DarkMatter’ nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo kompani është hetuar më parë për punësimin e ish-agjentëve sekretë amerikanë për të punuar për autoritetet në Emirate, si pjesë e një programi që shenjestronte aktivistë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë.

Një komision i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka ngritur gjithashu dyshime për lidhjet e kompanisë G42 me autoritetet kineze, duke i kërkuar Departamentit të Tregtisë që ta hetojë atë dhe kompanitë e lidhura – përfshirë Presight AI.

Në një letër drejtuar këtij departamenti në Janar 2024, Komisioni i Posaçëm për Partinë Komuniste Kineze ngre pikëpyetje serioze mbi Xiaon dhe lidhjet e tij me Kinën, si dhe përfshirjen e kompanisë DarkMatter në shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Sipas dokumenteve të lexuara nga Komiteti, drejtuesi i G42, Peng Xiao, operon dhe është i lidhur me një rrjet të gjerë kompanish me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kinën, të cilat zhvillojnë teknologji me përdorim të dyfishtë dhe mbështesin në mënyrë të konsiderueshme konglomeratin ushtarak-civil të Kinës, si dhe shkeljet e të drejtave të njeriut,” shkruan kreu i komisionit, Mike Gallager.

“DarkMatter është një filial i koorporatës G42 që zhvillon ‘spyware’ dhe mjete survejimi që mund të përdoren për të spiunuar disidentë, gazetarë, politikanë dhe kompani amerikane,” shtoi ai.

Sipas Marwa Fatafta nga Access Now, fakti që qeveria shqiptare po e mban sekrete marrëveshjen me kompaninë ‘Presight AI’ ngre shqetësime serioze, veçanërisht duke marrë parasysh rekordin e dyshimtë të G42 – kompanisë së saj mëmë, lidhur me të drejtat e njeriut dhe lidhjet e saj me aktivitete survejimi.

“Projekte të tilla, që mund të përbëjnë rreziqe serioze për publikun dhe të drejtat e tyre, duhet të realizohen në transparencë të plotë dhe në konsultim me ekspertë të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së të dhënave në vend,” tha ajo.

“Autoritetet shqiptare duhet të prioritizojnë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të tyre për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave,” përfundoi Fatafta.

 

Etiketa: Access NowDarkMatterMarwa FataftaMegi ReçiPeng XiaoPresight AITahnoun bin Zayed Al NahyanTaulant Balla
Tjetri
ILD kërkon masë disiplinore për prokurorin Kledian Llaho

KLP jep vërejtje publike për zvarritje hetimesh ndaj prokurorit Llaho

protesta e flamingove

Jo flamingot, por krimi i organizuar është ekuivalenti modern i falangave fashiste

11:58 | 17/06/2026
1773062624 img iran1

Paqja me Iranin tani varet nga Libani

11:57 | 17/06/2026
marjana koceku

Deputetja Marjana Koçeku merr kërcënime me jetë pas tërheqjes nga PS

11:41 | 17/06/2026
10 downing street. mod 45155532

Makthi i çdo kryeministri britanik

11:31 | 17/06/2026
delta palase green coast (1)

Dosja “Aruba”: Hetimi i SPAK ngre dyshime për pastrim parash në Green Coast

07:10 | 17/06/2026
Veliaj kërkon në Kushtetuese rrëzimin e vendimit për shkarkimin e tij

Rrëzohet kërkesa e Veliajt për të qëndruar jashtë kafazit të xhamtë

17:57 | 16/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.