
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e përmbysi vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Daniela Sulaj. Megjithatë, trupi gjykues i Kolegjit u nda në vlerësimin e çështjes, ku shumica e përbërë nga relatorja Albana Shtylla dhe anëtarët Sokol Çomo, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz i vlerësuan të pabazuara konkluzionet e Komisionit për pasurinë dhe profesionalizmin, duke e rikthyer Sulajn në detyrë, ndërsa kryesuesja Natasha Mulaj doli në pakicë duke shkuar dhe më tej nga përfundimi i KPK përsa i përket profesionalizmit, duke çmuar se subjekti gjendej dhe në kushtet e cënimit të besimit.
KPK e bazoi shkarkimin e prokurores Daniela Sulaj në mungesën e burimeve financiare për një truall dhe një pjesë të investimit të kryer në periferi të Tiranës në vitin 2013. Komisioni konkludoi se kishte një mospërputhje mes deklarimeve të Sulajt për çmimin dhe sipërfaqen dhe dokumenteve të administruara nga Komisioni për këtë transaksion. Për figurën Sulaj u vlerësua pozitivisht në shkallën e parë të vetingut, ndërsa gjetjet në hetimin e dy dosjeve hetimore të pushuara për akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe një mjeku, u cilësuan nga KPK si jo shkarkuese.
Prokurorja e ankimoi shkarkimin në Kolegj duke ngritur pretendime lidhur me procedurën e ndjekur në KPK gjatë vetigut të saj, për pasurinë, si dhe për profesionalizmin. Kolegji vëren se nuk janë evidentuar shkelje të rënda procedurale që do të sillnin nevojën e korrigjimit të tyre nëpërmjet debatit gjyqësor dhe për rrjedhojë ka vijuar shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi.
Qëndrimet ndryshe për pasurinë
Nga sa ka konstatuar KPK, procesi për blerjen e truallit ka filluar në vitin 2003 me një kontratë premtimi shitje për një sipërfaqe 333 m2 me çmim 1.9 milion lekë dhe është përmbyllur në vitin 2013 me kontratë shit-blerje për 450 m2 truall dhe çmim 13.5 milionë lekë. Kontrata e 2003-it është nënshkruar nga bashkëshorti subjektit, ndërsa ajo e shitblerjes në 2013-ën nga bashkëshorti dhe vëllai i tij.
KPK i kaloi barrë prove Sulajt për të argumentuar diferencat në sipërfaqe dhe ato në çmim, si dhe arsyetoi se referuar dokumentacionit, çmimi i blerjes ishte ai në kontratën e vitit 2013 dhe se për këtë vlerë Sulaj rezultonte me diferencë negative.
Subjekti pretendoi se bëhej fjalë për të njëjtën pasuri dhe se çmimi i blerjes ishte paguar në vitin 2003. Ajo këmbënguli se në vitin 2003 kontrata kishte pasur të parashikuar se çmimi nuk mund të ndryshohej në të ardhmen dhe se në vitin 2013 kjo kontratë vetëm ishte formalizuar. Sulaj shpjegoi se noteri kishte këmbëngulur të vendoste si vlerë për transaksionin çmimin e referencës për zonën në momentin e nënshkrimit të kontratës në vitin 2013 dhe jo çmimin e shitjes të paguar që në ‘2003-in. Për stesën e truallit ka deklaruar se ëstë përfituar me çmimin e paguar më parë.
Edhe në ankimin e depozituar në Kolegj, subjekti ka kundërshtuar konkluzionin e KPK, duke pretenduar se është i pabazuar në aktet e provat e administruara.
Kolegji ka verifikuar deklarimet e subjektit për krijimin e kësaj pasurie dhe kontratat e premtim shitjes dhe të shitblerjes. Shumica e Kolegjit vëren se, sipas konrtatës së premtim shitjes të vitit 2003, bashkëshorti subjektit dhe pala shitëse janë dakordësuar për shitjen e truallit me sipërfaqe 333 m2 kundrejt çmimit 1 milion e 950 mijë lekë, si dhe është përcaktuar se ky çmim do të mbetej i pandryshuar edhe në kohën e lidhjes së kontratës për kalimin të pronësisë. Po ashtu, është përcaktuar se pagesa e çmimit do kryhej përmes bankës, si fakt që vërteton shlyerjen e shumës të parashikuar në kontratë.
Në vendim thuhet, se më datë 15 prill të vitit 2003, nga llogaria e vëllait të bashkëshortit të subjektit është debituar shuma 9877 paund britanik duke kredituar në llogarinë e shitësit vlerën 2 milionë lekë, që rezultuon të jetë tërhequr në të njëjtën ditë dhe që përputhet me çmimin e përcaktuar në kontratën e premtim shitjes.
Kolegji vëren se subjekti, si gjatë hetimit administrativ në Komision dhe në ankim, ka sqaruar se shuma 1 milion e 950 mijë lekë është kryer me të ardhurat e vëllait të bashkëshortit, i cili në atë kohë punonte në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa ka shpjeguar se bashkëshorti i ka shlyer vëllait vlerën takuese të truallit prej 1 milion lekësh gjatë vitit 2003, duke investuar për ndërtimin e themeleve e bodrumit që i takonin pjesës së shtëpisë së të vëllait.
Për të mbështetur pretendimet e saj lidhur me mundësinë financiare të kunatit, Sulaj ka depozituar në KPK lëvizjet e llogarisë bankare të tij. KPK ka vlerësuar se aktet e depozituara nuk kishin vlerë provuese pasi nuk ishin paraqitur në formën e kërkuar nga ligji dhe ka konkluduar se çmimi i truallit i përcaktuar në kontratën e premtim shitjes është paguar tërësisht nga bashkëshorti i subjektit, edhe pse e ka njohur faktin e transfertës. Megjithatë, subjekti dhe bashkëshorti kanë rezultuar me bilanc pozitiv dhe për pagesën e shumën 1 milion e 950 mijë lekë.
Trupi gjykues i KPA, ndryshe nga Komisioni, vlerëson se aktet në gjuhen angleze të paraqitura nga subjekti për të provuar të ardhurat e vëllait të bashkëshortit dhe statement të llogarisë në paund ishin në formën e kërkuar nga ligji. Po ashtu, Kolegji vlerëson se transaksionet bankare janë kryer në përputhje me parashikimet e kontratës së premtim shitjes, sipas së cilës pagesa e shumës së dakordësuar midis palëve kontraktore do të bëhej nëpërmjet bankës. Sipas KPA, aktet provojnë se pagesa e çmimit të truallit të përcaktuar në kontratën e premtim shitjes është bërë me të ardhurat e vëllait të bashkëshortit.
Po ashtu, duke ju referuar fotove dixhitale satelitore, Kolegji vlerëson se konfirmohen ndryshimet graduale të truallit të përmendura nga subjekti.
Shumica ka rrëzuar dhe përfundimin e KPK, se subjekti dhe bashkëshorti nuk kanë pasur mundësi për të përballuar me burime të ligjshme pagesën e çmimit të përcaktuar në kontratën e shitblerjes së vitit 2013. Trupi gjykues ka vlerësuar që kontrata e premtim shitjes të merret në konsideratë me të gjitha kushtet dhe sanksionet e relatuara në përmbajtje, duke u vlerësuar bashkarisht me kontratën e shitblerjes. Sipas shumciës, në kontratën e shitblerjes palët kanë vendosur çmimin e rivlerësimit të sipërfaqes truall, por pa kryer pagesë përtej çmimit të paguar më herët.
“Trupi gjykues arriti në këtë konkluzion duke pasur në konsideratë edhe faktin që palët kanë finalizuar me kontratën e shitblerjes kushtet e dakordësuara në kontratën e premtim shitjes në vitin 2003, duke e konsideruar çmimin e rivlerësuar të truallit të vendosur në kontratë, si i rrjedhur nga aktet që kishin realizuar këtë veprim, dhe jo si të ekzekutuar midis tyre”, shprehet shumica.
Sulaj është gjetur bindëse edhe lidhur marrjen e sipërfaqes shtesë të truallit pa kundërshpërblim duke u dakordësuar me palën shitëse. Shumica konstaton se në përmbajtjen e kontratës së shitblerjes, në asnjë prej neneve të saj, nuk është referuar që palët nëpërmjet këtij akti po shtonin me 117 m2 sipërfaqen e dakordësuar përkundrejt pagimit të një vlere lidhur me të.
“…trupi gjykues vlerësoi se kontrata e shitblerjes së truallit, datë 02.09.2013, ka finalizuar respektimin e detyrimeve të përcaktuara në kontratën e premtim shitjes të vitit 2003, si dhe marrëveshjen verbale të palëve për shtesën e sipërfaqes 117 m2, pra, për kalimin te blerësit, tashmë edhe në aspektin formal, të sipërfaqes totale të truallit prej 450 m2 , të cilën e posedonin prej vitit 2003 dhe mbi të cilin janë ndërtuar shtëpitë e tyre”, vlerëson shumica.
Sipas shumicës, subjekti dhe bahskëshorti rezultojn ë me bilanc pozitiv për kryerjen e investimit në banesë në shumën 450 mijë lekë në vitin 2013, edhe nëse do të ishte dashur të paguanin pjesën takuese të sipërfaqes shtesë të truallit, të përfituar pa kundërshpërblim.
Në përfundim, shumica vlerëson se subjekti ka pasur mundësi për krijimin e pasurive dhe se ka arritur nivel të besueshëm në këtë kriter.
Kryesuesja Natasha Mulaj në pakicë vlerëson ndryshe. Ajo shprehet se e çmon të gabuar përpjekjen e shumicës mbështetur në pretendimet e subjektit të rivlerësimit për të lidhur kontratën e premtim shitjes së vitit 2003 me kontratën e shitjes së vitit 2013, duke i cilësuar si dy akte noteriale të pavarura nga njëra-tjetra. Ajo sjell në vëmendje se në kontratën e shitjes 2013, nuk referohet kontrata e premtim shitjes e vitit 2003. Mulaj sjell në vëmendje se blerësi i truallit në kontratën e premtim shitjes është vetëm bashkëshorti i subjektit kurse në kontratën e shitjes të vitit 2013 janë bashkëshorti dhe vëllai i këtij të fundit. Të tjera mospërputhje që evidenton Mulaj në këto dy kontrata janë dhe sipërfaqa e çmimi i truallit.
“Në vlerësimin tim, asgjë nuk i pengonte palët kontraktore, që në kushtet e kontratës së shitblerjes të vitit 2013, t’i referoheshin kontratës së premtim shitjes së vitit 2003, sa i përket çmimit të truallit dhe mënyrës së pagesës apo që shuma prej 13.526.550 lekësh, sipas rivlerësimit, ishte përcaktuar në këtë kontratë vetëm për efekt të detyrimit tatimor për kalimin e pronësisë dhe regjistrimin e saj në regjistrat e ZVRPP-së, por përkundrazi në këtë kontratë përcaktohet se çmimi i shitjes së tokës truall do të jetë 13.526.550 lekë, dhe blerësit e kanë paguar totalisht dhe jashtë zyrës noteriale këtë shumë”, konstaton Mulaj.
Po ashtu, Ajo e çmon përtej logjikës ekonomike pretendimin pas 10 vitesh trualli është shtuar me 117 m2 dhe se është përfituar me të njëjtin çmim si në 2003-in.
Sipas pakicës, duket që shumica në vlerësimin e kësaj pasurie është mbështetur kryesisht në shpjegimet e subjektit, që i konsideron në nivel deklarativ.
Profesionalizmi
Megjithëse KPK nuk i ka gjetur penalizuese konstatimet në dy çështje të hetuara nga subjekti, ajo ka ngritur shkaqe në ankim. Komisioni ka evidentuar qëndrimin pasiv të subjektit në drejtim të kryerjes së veprimeve të plota hetimore për zbardhjen e fakteve lidhur me një kallëzim të vitit 2013 për veprat penale korrupsioni aktiv e pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Subjekti, si në shpjegime dhe në ankim ka theksuar se janë kryer të gjitha veprimet hetimore pa u limituar në faktin penal të mashtrimit, por nga hetimi nuk ka rezultuar konsumimi i elementeve të kësaj apo një tjetër vepre penale.
Pasi ka verifikuar aktet, shumica vlerëson ndryshe nga KPK, duke konstatuar se prokurorja Sulaj ka urdhëruar kryerjen e veprimeve hetimore të nevojshme, të cilat mund të hidhnin dritë mbi sa pretendohej në kallëzimin penal e dyshohej nga organi i akuzës.
Ndërsa Mulaj në pakicë çmon se subjekti nuk ka kryer veprimet e duhura hetimore për zbardhjen siç duhet të çështjes. Ajo vëren se nga përmbajtja e kallëzimit penal të kryer nga një shtetas anglez, janë evidentuar faktet dhe personat ndaj të cilëve atribuohen veprat penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe e ushtrimit e ndikimit të paligjshëm.
“Çmoj se, me veprimet e mosveprimet e prokurores në këtë rast, dukshëm, rezulton tendencë e saj që personat e dyshuar mos të vihen përpara drejtësisë”, shprehet Mulaj duke vërejtur se këtë përfundim e arrin bazuar në faktin se kallëzimi kishte qenë i qartë në përmbajtje dhe nuk kishte asnjë dyshim për emrat e personave të përfshirë si të dyshuar.
Shumica e Kolegjit e ka përmbysur përfundimin e Komisionit dhe për një tjetër çështje të pushuar nga subjekti në vitin 2013. Në 2012-ën është regjistruar një procedim penal bazuar në kallëzimin e disa qytetarëve ndaj mjekut kardiolog E.P., me detyrë Shef i Shërbimit të Kardioligjisë të QSUT-së, të cilët kanë pretenduar se ai u kërkonte para për kryerjen e operacioneve.
Sipas KPK, nga muaji prill i vitit 2013, deri në shtator kur është përgatitur relacioni i oficerit të policisë gjyqësore me sugjerimin mbi përfundimin e hetimit, nuk është kryer ndonjë veprim hetimor nga subjekti. Po ashtu, Komisioni ka konkluduar se subjekti kryer veprime hetimore jashtë afatit procedural, nuk ka disponuar me vendim për zgjatjen e afatit të hetimeve, si dhe nuk ka njoftuar palët për vendimarrjen.
Subjekti i ka kundërshtuar si të pabazuara përfundimet e KPK për këtë çështje, duke vërejtur se ka regjistruar procedim penal pa emrin e personit ndaj të cilit ngriheshin akuza, megjithëse referimi nuk shoqërohej me asnjë akt mbështetës. Ajo ka argumentuar se afati i hetimit paraprak fillon të ecë nga momenti i regjistrimit të emrit të personit që i atribuohet vepra penale, ndaj nuk ka qenë e nevojshme zgjatja e afateve hetimore.
Lidhur me mosnjoftimin e vendimit të pushimit të procedimit penal palëve të përfshira në proces, ka shpjeguar se ka ardhur për arsye se hetimi është regjistruar mbi bazën e informacionit të policisë që kishte marrë kallëzimin.
Kolegji i ka gjetur të drejta pretendimet e subjektit. Edhe lidhur me mosnjoftimin, shumica çmon se ka qenë detyrë e policisë që të njoftonte denoncuesin për pushimin e hetimit.
Ndërsa Mulaj çmon se subjekti ka qenë pasive për kryerjen e veprimeve të duhura hetimore. Në vijim Mulaj konstaton se subjekti nuk justifikon faktin mbi arsyet e zgjatjes së afatit të hetimeve në lidhje me këtë procedim penal, si dhe mbi mosmarrjen e vendimit për zgjatje afati, sikurse kërkohet nga legjislacioni procedural penal. Po ashtu, pakica vlerëson se është detyrë e prokurorit që të njoftojë palët për vendimin përfundimtar.
Në përfundim të vlerësimit të aspektit profesional, Mulaj çmon se prokurorja Daniela Sulaj nuk është thelluar siç duhet në hetimin e këtyre dy çështjeve dhe se mungesa e veprimeve të saj vë në dyshim serioz thelbin e vendimmarrjes për akuzat e personave të përfshirë në këto procedime, duke mos i vënë ata përpara përgjegjësisë penale. Kryesuesja Mulaj vlerëson se këto rrethana çojnë në cënimin e besimittë publikut tek drejtësia.







