
Katër vjet pas fillimit me nxitim të punimeve, fiks gjatë fushatës elektorale të vitit 2021, qeveria shqiptare organizoi po në fushatë një fluturim testues mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, një projekt kontravers i kundërshtuar nga organizatat e mjedisit, për të cilin Koneventa e Bernës ka bërë herë pas here thirrje për ndalim punimesh.
Organizatat mjedisore Euronatur dhe PPNEA deklaruan të enjten se fluturimi testues ishte në fakt pjesë e spektaklit mediatik, ndërsa theksuan kundërshtimet për aeroportin dhe rreziqet që sillte nxitimi për ta vënë atë në punë.
“Ndërsa qeveria fluturon lart me propagandën për aeroportin, në terren ndodh një zhvillim i nxituar dhe kaotik brenda një zone të mbrojtur, me shqetësime të shumta për sigurinë si gjatë ndërtimit ashtu edhe për operimin e ardhshëm, dhe me një shkatërrim të papërgjegjshëm të habitateve natyrore”, tha Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA.
Aeroporti i Vlorës nuk është i pari i tillë që përdoret nga qeveria për fushatë elektorale. Më herët qeveria organizoi fluturime të ngjashme propagande edhe në Kukës, madje aeroporti atje u vu në funksion, por pas një kohe të shkurtër ai ka mbetur pa funksion. Kryeministri Edi Rama këmbënguli se fluturimi në Vlorë nuk ishte fallco, ai po ashtu pretendoi se edhe aeroporti në Kukës do të vihej në punë nga një operator i ri.
Por përtej qëllimeve propagandistike të qeverisë, organizatat e mjedisit e shohin testimin në Vlorë si një sfindë ndaj tyre dhe një sërë organizmash ndërkombëtar përfshi Bashkimin Europian që e kanë kundërshtuar aeroportin.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është kritikuar ashpër sipas tyre jo vetëm nga organizatat mjedisore si PPNEA dhe EuroNatur, por edhe nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës dhe Konventa për Ruajtjen e Specieve Migratore. “Projekti i aeroportit, që po ndërtohet pranë Lagunës së Nartës – një zonë ligatinore e mbrojtur ndërkombëtarisht me rëndësi të jashtëzakonshme për migrimin e shpendëve – si pjesë e deltës së Vjosës, shkel ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në deklaratën e Euronatur dhe PPNEA.
Organizatat thonë se nxitimi për të vënë në punë aeroportin pengon edhe aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE.
“Në sfondin e aspiratave të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE në një të ardhme të afërt, vazhdimi i shkeljes së ligjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës është tejet befasues. Kjo nuk jep shenja të mira për një përfundim të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE – përkundrazi, ne besojmë se kjo do të çojë në vonesa të mëdha,” – deklaron Gabriel Schwaderer, Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur.
Projekti i aeroporti i Vlorës është një premtim i hershëm elektoral i kryeministrit Edi Rama, i cili u shty përpara pavarësisht se vetë studimet e qeverisë e vlerësuan atë të paleverdisshëm nga ana ekonomike, me risqe të larta dhe normë të ulët të kthimit të investimit. Për të nxitur investimin qeveria mori përsipër që të kompensojë të ardhurat e munguara të investitorëve privatë, duke vënë në dispozicion të projektit rreth 138 milionë euro të taksapaguesve përgjatë 10 viteve të para të operimit.
Punimet aty filluan në mars të vitit 2021. Fitues e projektit u shpall konsorciumi i kompanive Mabco Construction në pronësinë e biznesmenit dhe politikanit kosovar, Behgjet Pacolli në partneritet me kompaninë turke, Yda Group, e cila ka në eksperiencën e saj ndërtime dhe operime në të paktën tre aeroporte në Turqi, Kazakistan dhe Ukrainë. Konsorciumi fitues ka marrë përsipër që të investojë 104 milionë euro për ndërtimin e aeroportit, por rreth një vit e gjysmë pas fitimit të tenderit, kompania turke, YDA Group u largua nga projekti dhe i shiti Pacollit paketën e vet prej 40% të aksioneve për një vlerë minimale prej 4450 eurosh.







