
Problematika ka ngecur në fakt me zarfet e ardhura nga Greqia, proces i cili është kontestuar nga opozita dhe komisionerët e saj nuk pranojnë që t’i numërojnë këto vota.
Vendimi i Celibashit zhbllokoi procesin e numërimit të votave të diasporës në Parkun Olimpik dhe anëtarët e grupeve të numërimit po ndanin më vete në një kuti të re, votat e emigrantëve që jetojnë në Greqi. Por pas këtij vendimi, procesi rrezikon të bllokohet sërish.
Vendimi i Celibashit u ankua menjëherë nga Partia Socialiste, e cila kërkoi që vendimi të shfuqizohej si “absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kundërshtim me ligjin”.
Gjatë shpalljes së vendimit, KAS njoftoi se kishte pranuar kërkesës e PS-së dhe kishte konstatuar “pavlefshmërisë absolute të vendimit të komisionerit”.
Gjatë seancës së shqyrtimit, avokati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Marash Logu, pretendoi se vendimi i Celibashit nuk zgjidhte ankesat që ky subjekt kishte për mënyrën e administrimit të votës së ardhur nga Greqia, por i jepte mundësinë procesit të numërimit që të vijonte dhe votat e kontestuara të trajtoheshin në një moment të dytë.
Ai pretendoi se opozita kishte prova se procesi i dorëzimit të zarfeve ishte bërë në kundërshtim me parashikimet kontraktuale me konmpaninë DHL dhe se zgjedhësit nga Greqia nuk kishin mundur të identifikoheshin sipas ligjit.
“Në kontratë ishte ndaluar shprehimisht kryerja e nënkontraktimeve dhe megjithatë kjo ka ndodhur në shtetin grek dhe operatorë të tjerë janë marrë me shpërndarjen e materialeve zgjedhore,“ tha ai duke theksuar se “ky process ka cënuar standardet dhe sigurinë zgjedhore”.
Logu paralajmëroi KAS-in se nëse lejohet hapja e votave të ardhura nga Greqia, procesi i numërimit përsëri do të bllokohet.
“Ne nuk do të lejojmë të hapet asnjë zarf i ardhur nga Greqia pa u provuar se ai zarf është marrë personalisht nga zgjedhësi,” tha ai.







