
Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti ka kërkuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pamjet filmike të procesit të numërimit të votave preferenciale në qarkun e Tiranës, duke vënë në diskutim saktësinë e numërimit mes kandidatëve socialistë në listën e hapur.
Në kërkesën drejtuar KQZ, Gjylameti thekson se “pamjet e kërkuara do të përdoren vetëm për qëllime verifikimi dhe brenda kuadrit ligjor, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara nga kuadri ligjor në fuqi.
Deputete e Partisë Socialiste që nga viti 2013, Gjylameti është në një garë të ngushtë me kandidaten tjetër socialiste, Olta Xhaçka, prej disa ditësh. Nga votimi brenda vendit, Gjylameti rezultoi fituese me vetëm 19 vota ndaj Xhaçkës, po rezultati u përmbys nga vota e diasporës.
Pasditen e së hënës, Xhaçka rezultonte fituese me 119 vota në raport me Gjylametin për mandatin e shtatë nga lista e hapur në Tiranë.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, të gjithë kandidatët garues dhe subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhje mund të kërkojnë pamjet filmike të procesit të votimit dhe numërimit, pasi tashmë i gjithë procesi zgjedhor është i monitoruar në çdo hap.
Një garë tjetër e ashpër brenda llojit në qarkun e Tiranës ishte mes kandidatëve Xhemal Qefalia dhe Ornaldo Rakipi, e cila duket se u fitua nga ky i fundit me një diferencë prej më shumë se 500 votash.







