
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i rrëzoi disa prej konkluzioneve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në çështjen vetingut të prokurores së Shkodrës, Edlira Cufi, megjithatë e la në fuqi shkarkimin për cënim të besimit të publikut tek drejtësia.
KPK shkarkoi më 17 shkurt të vitit 2022 prokuroren e Shkodrës, Edlira Cufi pasi u konkludua se ajo kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se kishte cënuar besimin e publikut në përdorimin pa kundërshpërblim për 7 vjet të një makine në pronësi të një personi të përfshirë në krimin e organizuar, duke udhëtuar me drejtues të automjeteve të tjera me precedentë penalë, si dhe në ushtrimin e detyrës në kushtet e konfliktit të interesit.
Cufi ushtroi ankim kundër vendimarrjes së Komisionit dhe i kërkoi Kolegjit kalimin e çështjes në seancë gjyqësore, duke ngritur shkaqe për aspektin procedural dhe themelin e çështjes.
Kolegji i rrëzoi pretendimet për aspektin procedural pasi arriti në përfundimin se nuk identifikoi asnjë shkelje të rëndë ligjore dhe procedurale të kryer përgjatë hetimit administrativ në KPK dhe për rrjedhojë e çmoi të panevojshëm debatin gjyqësor.
Vlerësimi pasurisë
Lidhur me kriterin e pasurisë, KPK konkludoi se subjekti nuk ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e saj dhe të personave të tjerë të lidhur me të; si dhe nuk ka deklaruar në deklaratën ‘veting’ të drejtën e përdorimit të një automjeti për një periudhë 7-vjeçare pa kundërshpërblim, që i është dhënë nga një person për të cilin ajo në cilësinë e zëvendësdrejtueses ka nënshkruar vendimin e pushimit të hetimit ndaj tij, ndërkohë që pronari i makinës ka rezultuar proceduar për krim të organizuar. Bazuar në këto konstatime, KPK çmon se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.
Cufi ka ka kundërshtuar konkluzionin për pasaktësi në deklarimin e të ardhurave nga punësimi për periudhën e rivlerësimit 2003-2016, si dhe mosdeklarimin e një depozite kursimi, duke pretenduar se pasaktësitë nuk mund të përbëjnë shkak për penalizimin e saj, për sa kohë u provua me dokumentacion ligjor burimi i ligjshëm i të ardhurave. Po ashtu, subjekti ka pretenduar se në kushtet kur institucionet verifikuese nuk gjetën të dhëna të rreme me qëllim fshehjen e pasurisë, ndaj saj nuk mund të aplikohet asnjë sanksion ligjor.
Trupi gjykues i KPA konstaton se, ndonëse subjekti ka qenë e pasaktë në deklarim, ka rezultuar se ka pasur burime të ligjshme për krijimin e depozitës.
Cufi ka kundërshtuar bilancin negativ të konstatuar nga KPK në masën 2.7 milionë lekë. Ajo ka pretenduar se kjo pamundësi është konstatuar prej Komisionit pasi analiza është kryer veçmas për çdo vit. Ajo ka kërkuar që doiferencat pozitive gjatë katër viteve të konsiderohen në analizë si gjendje cash.
KPA konstaton se subjekti nuk ka deklaruar vlerën e likuiditeteve cash në banesë apo brenda sistemit bankar dhe për rrjedhojë nuk mund të pranohet ekzistenca e likuiditeteve cash të cilat nuk janë deklaruar.
Në vendim konstatohet se në analizën financiare të kryer nga Komisioni për periudhën 2003-2016, peshën më të madhe të shpenzimeve e zënë ato të udhëtimit, 67% të totalit. Nga kontrolli i analizës në Kolegj, pamundësi financiare është reduktuar në masën 380 mijë lekë.
Lidhur me mosdeklarimin e përdorimit të automjetit, Cufi ka pretenduar se nuk ka pasur qëllim fshehjen e tij, por blerjen. Po ashtu, ajo ka deklaruar gjatë procesit të hetimit administrativ në Komision, se gjatë periudhës së përdorimit ka paguar të gjitha taksat për këtë automjet.
Cufi ka shpjeguar se ka qenë në pritje të kthimit të pronarit të automjetit nga Italia, për të formalizuar shitblerjen. Gjithashtu, ka pretenduar në ankim se Kodi Civil nuk parashikon ndonjë detyrim për përdorimin e një sendi me kundërshpërblim; se përdorimi i mjetit prej saj ka filluar pas regjistrimit të tij në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Shkodër në vitin 2013 dhe se Kodi Rrugor nuk e parashikon aktin e përdorimit si kërkesë ligjore.
Kolegji çmon se, pavarësisht qëllimit të Cufit për ta blerë automjetin ose faktit se ajo nuk dispononte akt përdorimi, për sa kohë makina ka qenë në përdorim nga subjekti që nga viti 2013 dhe deri në momentin e plotësimit të deklaratës së pasurisë veting, kishte detyrimin ligjor të deklaronte saktësisht dhe plotësisht përdorimin e këtij automjeti.
Nisur nga fakti se automjeti është blerë me një çmim më të ulët nga sa Cufi kishte rënë fillimisht dakord me ndërmjetësin; se ajo ka miratuar vendimmarrjen për pushimin e çështjes penale ndaj tij; si dhe për arsye se e ka përdorur për 7 vjet pa kundërshpërblim, Kolegji çmon se nëse Komisioni do të kishte kryer një hetim të plotë të situatës faktike, do të mund të vlerësonte nëse do të ishin kushtet në drejtim të tentativës për të fshehhjen e kësaj pasurie.
Megjithëse problemet e konstatuara për automjetin nuk u gjetën të mjaftueshme për të konkluduar se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, trupi gjykues i ka konsideruar në vlerësimin tërësor
Megjithëse problemet e konstatuara për pasurinë janë gjetur të pamjaftueshme për të konkluduar se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në këtë kriter, ato janë konsideruar në vlerësimin tërësor e të përgjithshëm të të tria kritereve të rivlerësimit.
Figura dhe profesionalizmi
Në kontrollin e figurës, Komisioni ka arritur në përfundim se subjekti duhej të kishte treguar kujdes të shtuar për personat me të cilët ka udhëtuar jashtë vendit, me qëllim garantimin e besimit të publikut dhe shmangien e kontakteve me persona me precedentë penalë. Kolegji i vlerëson përgjithësues dhe të paqartë konkluzionet e KPK lidhur me udhëtimet jashtë shtetit me persona me precedentë penalë, pasi këto udhëtime kanë ndodhur vite para se të procedoheshin personat në fjalë.
Për përdorimin pa shpërblim të automjetit në pronësi të një shtetasi të përfshirë më krimin e organizuar, është vlerësuar si një shkelje etike e rëndë, që është konsideruar nga KPK në vlerësimin tërësor, megjithëse nuk është provuar dijenia dhe kontakti i drejtpërdrejtë i Cufit me personin në fjalë.
Megjithëse pretendimet e subjektit se nuk ka pasur dijeni se pronari i automjetit që ajo përdorte, ka qenë i dënuar, trupi gjykues i Kolegjit vëren se Cufi ka krijuar e mbajtur kontakte jorastësore me persona me precedentë penalë, apo të cilët kanë pasur probleme me ligjin e janë proceduar brenda dhe jashtë vendit.
“Po ashtu, parë në tërësi me marrëdhëniet e tjera të interesit dhe ato shoqërore që subjekti ka pranuar të ketë krijuar me këta persona, të shtrira në kohë, sikurse ajo që deduktohet nga përdorimi i automjetit pa kundërshpërblim për shtatë vite dhe blerja e tij me një vlerë sa ½ e çmimit, dëshmon se sjellja e treguar nga subjekti është në mospërputhje me standardet e pritshme nga publiku për një funksionare të drejtësisë”, arsyeton Kolegji dhe arrin në përfundimin se problemet e konstatuara për figurën, ndonëse u gjetën të pamjaftueshme për të konkluduar se subjekti ka kontakte të papërshtatshme apo se gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm në këtë kriter, janë konsideruar në vlerësimin tërësor dhe të përgjithshëm.
Cufi ka kundërshtuar edhe konkluzionin e KPK për profesionalizmin, lidhur me ushtrimin e funksioneve në kushtet e konfliktit të interesit në momentin e nënshkrimit të vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj personit që i kishte dhënë mjetin në përdorim. Ajo ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni mbi faktin se pronari i mjetit në përdorim prej saj rezultonte me precedentë penalë, si dhe ka mohuar të ketë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me këtë shtetas. Po ashtu, Cufi ka parashtruar në ankim se nuk kishte dijeni se vendimi i miratuar prej saj, i atribuohej shtetasit prej të cilit kishte marrë automjetin në përdorim.
Duke iu referuar një përgjigje të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, sipas së cilës shtetasi A. H. që i ka dhënë mjetin në përdorim subjektit, nuk ka rezultuar të ketë përdorur gjeneralitete të tjera, sikurse ka pretenduar Cufi, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se duket alogjik pretendimi se nuk ishte në dijeni të identitetit të personit nga i cili kishte marrë makinën në përdorim për 7 vjet. Kjo dhe nga fakti se bëhej fjalë për një tregtar mjetesh që operonte në treg për rreth 10 vitesh në qytetin në të cilin subjekti ka jetuar gjithë jetën, si dhe ka ushtruar detyrën e prokurores, tek i cili ajo është paraqitur disa herë për të blerë makinë.
“[…]veprimet e subjektit të rivlerësimit duken sikur komprometojnë sjelljen e prokurorit, duke krijuar perceptimin e përfitimeve për shkak të detyrës dhe nuk justifikojnë shkujdesjen e veprimeve të saj për marrjen në përdorim të një automjeti në pronësi të një tjetër shtetasi, i cili nuk ishte prezent në atë moment, e për më tepër mbajtjen e tij për disa vite pa bërë ndonjë përpjekje për të formalizuar marrëdhënien e përdorimit”, argumenton KPA.
Sipas KPA, sjellja e magjistratit jashtë zyrës, zë një vend po aq të rëndësishëm sa kur e ushtron funksionin. Po ashtu, sillet në vëmendje se në atë periudhë, në Prokurorinë e Shkodrës ushtronte funksionin e zëvendësdrejtuesit edhe një tjetër prokuror dhe fakti se Cufi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për shmangien e konfliktit të interesit, sipas KPA, duket se kompromenton besueshmërinë e veprimeve të saj dhe të krijon përshtypjen se është paraqitur para pikës së shitjes së mjeteve, pasi procedimi penal ishte pushuar dhe ka zhvilluar negociata si për përdorimin e automjetit, ashtu edhe për çmimin e tij.
“[…]Rrethanat në të cilat, sipas deklarimit të subjektit, është marrë në përdorim automjeti prej saj, dëshmojnë për një sjellje të shtetasit A. H. në favor të subjektit të rivlerësimit, znj. Edlira Cufi, si prokurore dhe zëvendësdrejtuese e Prokurorisë, që krijojë perceptimin e përfitimit të një favori në mënyrë të parregullt dhe në dukje të një situate të konfliktit të interesit”, citohet në vendim.
Në përfundim të vlerësimit të profesionalizimit, Kolegji arrin në përfundimin se përdorimi për një periudhë të gjatë kohore një automjeti të marrë nga një person i cili ka qenë i proceduar penalisht nga Prokuroria e Shkodrës, për një çështje më vonë të pushuar dhe të miratuar nga subjekti në cilësinë e zëvendësdrejtueses, e vendosin atë kushtet e konfliktit në dukje të interesit dhe në shkelje të etikës së magjistratit.
Gjithashtu, fakti se Cufi ka udhëtuar jashtë shtetit me një person dhe me automjetin e tij, për të cilin ka ndjekur një kallëzim penal, vlerësohet nga trupi gjykues si një sjellje e cila cenon etikën e magjistratit.
Megjithëse problemet në aspektin profesional nuk janë gjetur të mjaftueshme për të konkluduar se ajo është e papërshtatshme në këtë kriter, janë konsideruar dhe në këtë rast në vlerësimin tërësor.
Në përfundim, KPA ka arritur në konkluzionin se prokurorja Edlira Cufi ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia dhe e ka lënë në fuqi shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi.







