
Shumica e trupit gjykues të Kolegji të Posaçëm të Apelimit, KPA e përmbysi konkluzionin përfundimtar të arritur nga shumica e trupës së Komisionit të Pavarur, KPK për shkarkimin e prokurores së Lushnjës, Merita Selimi duke e kthyer atë në detyrë më 12 mars.
Selimi u shkarkua prej KPK më 27 korrik të vitit 2023 pasi u vlerësua se gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënimit të besimit të publikut, për shkak të shmangies së normave ligjore në përfitimin e një kredie të butë. Pakica e trupës së KPK, arsyetoi se subjekti duhej të ishte konfirmuar, duke zbatuar parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit për mungesën financiare të konstatuar.
Vendimi i Komisionit u ankimua nga prokurorja Selimi, e cila ngriti shkaqe për aspektin procedural dhe pasurinë. Megjithëse Kolegji e rrëzoi kërkesën e subjektit për kalimin e çështjes për gjykim në seancë publike, gjeti të drejtë pretendimet e saj për pasurinë duke e rikthyer në detyrë.
Shkaqet për pasurinë
Komisioni ka gjetur probleme për disa pasuri të subjektit, konkretisht për një apartament me sipërfaqe 87.44 m2 në Tiranë, të blerë për vlerën 73 mijë euro; obligacione në vlerën 2 milionë lekë e llogari rrjedhëse në masën 2.8 milionë lekë. Sipas shumicës së trupës së KPK, subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarime të pasakta dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive, duke u vlerësuar se gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm
Si burime krijimi për apartamentin, Selimi ka deklaruar kursimet e 30 viteve punë dhe një kredi prej 5 milionë lekësh. Për kursimet në vlerën 4 milionë lekë të deklaruara në 2003-in, Komisioni ka konstatuar pamundësi në shumën 1.1 milion lekë.
Subjekti i ka kundërshtuar si të pabazuara konkluzionet e KPK, duke pretenduar se nuk janë konsideruar të ardhurat e mundshme të siguruara nga vëllezërit e saj për periudhën 1992-2003, me të cilët ajo jetonte dhe kishin të njëjtën ekonomi familjare.
Ashtu si KPK, edhe shumica e Kolegjit e përbërë gjyqtarja Rezarta Schuetz në cilësinë e kryesuese, Ina Rama relatore dhe anëtaret Albana e Mimoza Tasi, çmon se me dokumentet e dorëzuara nga subjekti, nuk provohet aktiviteti i shkëmbimit valutor prej vëllezërve. Po ashtu, nuk është gjetur i bazuar dhe pretendimi tjetër i subjektit se deri në vitin 1993 ka disponuar shumën 4000 USD, që e ka siguruar si përfitim nga shkëmbimi valutor, pasi është vlerësuar në nivel deklarativ. Për rrjedhojë nuk është konsideruar as në analizën e kryer në Kolegj. Po ashtu, KPA ka gjetur të drejtë mospërfshirjen në analizën financiare të vlerës së identifikuar nga nga subjekti si shuma e përfituar nga depozitat bankare dhe interesat deri në vitin 2003. Deklarativ është çmuar edhe pretendimi se nga qiradhënia e lokalit të vëllait pas vitit 1996, janë siguruar të ardhura në masën 15 mijë lekë në muaj.
Ndërkohë, nisur nga të dhënat që dëshmojnë dokumentet bankare të asaj kohe, se Selimi ka përfshirë në depozitë bankare si kursime të ardhurat nga paga në masën 70% të saj, shumica e trupit gjykues të Kolegjit ka vlerësuar ta konsiderojë këtë rrethanë në vlerësimin tërësor të kriterit të pasurisë.
KPA ka konsideruar pjesërisht të ardhurat e pretenduara nga subjekti se janë përfituar nga huadhënënia shoqërive huamarrëse në atë periudhë. Megjithatë, sipas KPA, edhe nga korrektimi i analizës financiare për shumën e pranuar, mbetet sërish pamundësi në vlerën 1 milion lekë për kursimet cash të deklaruara në vitin 2003.
Ky bilanc negativ theksohet edhe në arsyetimin e gjyqtares në pakicë, Natasha Mulaj.
Në vijim, shumica arsyeton lidhur me kursimet cash të deklaruara në vite nga subjekti dhe të përdorura për pagimin e kësteve të apartamentit. KPK ka arritur në përfundimin se deklarimet kanë qenë të pasakta dhe e kanë bërë të pamundur vlerësimin e tyre në drejtim të përfshirjes në analizën financiare për të verifikuar mundësinë e subjektit për krijimin e pasurive të saj.
Ndërsa Kolegji vlerëson se nga analizimi në mënyrë jo të veçuar, por harmonike, të deklarimeve periodike, ato të kryera pranë ILDKPKI dhe në atë veting, pranohet përdorimi i kursimeve në cash si burim financimi i apartamentit në Tiranë. KPA vlerëson se subjekti kishte burime të ligjshme për të krijuar kursimet në cash të deklaruara në vitet 2005 – 2011, që ka shërbyer për pagesën e dy kësteve në vitin 2010 në vlerën 22 mijë euro dhe 2.1 milionë lekë në 2011-ën.
Subjekti ka pretenduar gjatë hetimit administrativ se shuma e disbursuar e kredisë nuk i është kaluar drejtpërdrejt palës shitëse, pasi shoqëria e kërkonte pagesën në monedhën euro. Ajo ka shpjeguar se në dhjetor të vitit 2010 ka huazuar nga vëllezërit që ushtrojnë aktivitet në fushën e kambizmit, shumën prej 51 mijë e 687 euro. Selimi ka pohuar se me disbursimin e kredisë, së bashku me kursimet e saj, e ka shlyer detyrimin ndaj vëllezërve në muajin shkurt të vitit 2011.
Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk e ka deklaruar huan e përkohshme në deklaratat vjetore dhe as në atë veting, si dhe ka arsyetuar se ky mosdeklarim merr peshë në raport me mosdeklarimin e subjektit përgjatë një kontrolli të kryer nga ILDKPKI-ja në vitin 2016 dhe për faktin se ajo dispononte likuiditet cash në fund të vitit 2010 në shumën 5.3 milionë lekë, ç’ka bënte të panevojshme marrjen e kësaj huaje. Bazuar në këto argumente, shumica e trupës së KPK ka çmuar se faktet çojnë në pamundësi për të verifikuar se cilat nga deklarimet e subjektit pasqyrojnë situatën e vërtetë faktike lidhur me vërtetësinë e burimeve që kanë shërbyer për pagesën e kësteve.
Selimi ka kundërshtuar duke pretenduar se konkluzionet e KPK nuk përputhen me të vërtetën e saj jetësore dhe se nuk është provuar pamundësia e vëllezërve për të dhënë huan.
Sipas shumicës së Kolegjit, duket i besueshëm shpjegimi i subjektit se marrja e huas prej vëllezërve ishte veprimi më i favorshëm për të, për shkak të aktivitetit të shkëmbimit valutor që ata ushtronin, që mundësonin konvertimin në kursin më të favorshëm të shumës së marrë kredi dhe kursimeve.
Në lidhje me mospasqyrimin e kësaj huaje në deklaratën veting, shumica trupit gjykues të KPA vlerëson se duhet konsideruar si një fakt që nuk mund të prodhojë një pasojë ndëshkuese për Selimin.
“Trupi gjykues e gjeti pa peshë përcaktuese analizën e Komisionit për këtë marrëdhënie dhe shpjegimet e subjektit bindëse, edhe për shkak të faktit se, pavarësisht rezervave lidhur me marrëdhënien e përkohshme të huas mes subjektit të rivlerësimit dhe vëllezërve të saj, në periudhën 29.07.2011 – 05.08.2011, ka pranuar dhe përllogaritur në analizën financiare, kredinë prej 5.000.000 lekësh të marrë prej BKT-së, si burim për shlyerjen e plotë të çmimit të kësaj pasurie”, argumenton shumica.
Edhe për obligacionet e blera nga subjekti në vitin 2016 dhe një llogari rrjedhëse, të krijuara po në atë vit, shumica e Kolegjit e ka bazuar analizën në mënyrën e leximit të deklarimeve të subjektit. Kolegji vëren se dhe në këto raste, Komisioni ka mbajtur qëndrim të njëjtë me leximin e deklaratave periodike, ashtu si për deklaratat periodike të viteve 2010 dhe 2011, për pagimin e kësteve të apartamentit.
Ndryshe nga KPK, bazuar në leximin harmonik të deklaratave të subjektit, shumica e trupit gjykues të Kolegjit e konsideron bindës shpjegimin e saj, se këto para janë disponuar në formën e gjendjes cash, dhe kanë shërbyer për investimin në obligacione.
Shumica e Kolegjit thotë se e ka gjetur të drejtë vendimin e shkallës së parë të vetingut vetëm përsa i përket deklarimit të pasaktë të kredisë si burim për krijimin e tyre, por nuk ka gjetur pamundësi.
Për të arritur në një përfundim lidhur me besueshmërinë e prokurores Selimi në kriterin e pasurisë, shumica e Kolegjit ka çmuar të konsiderojë në analizë bilancin negativ në shumën 1 milionë lekë të konstatuar në vitin 2003, pamundësinë në shumën 470 mijë lekë për krijimin e një depozite në 2012-ën, si dhe pasaktësitë lidhur me burimet e krijimit të pasurive. Duke zbatuar parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, shumica e KPA shprehet se nuk ka gjetur në këto konstatime probleme penalizuese për burimet e pasurisë dhe deklarimet.
Mulaj në pakicë vlerëson se, pavarësisht se subjekti ka pasur mundësi financiare në periudhën 2004 – 2009, në kushtet kur në vitin 2003 ka qenë me bilanc negativ, si dhe nuk ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash në deklaratën periodike vjetore 2010 për pagesën e këstit të parë prej 22 mijë eurosh, e çmon të drejtë konkluzionin e Komisionit për të mos i konsideruar këto kursimeve si burim, prej nga sipas saj, e çon Selimin në kushtet e pamjaftueshmërisë së burimeve financiare të ligjshme. Të njëjtin arsyetim, Mulaj e përdor dhe për pagesën e këstit në vitin 2011.
Në vijim, Mulaj e konsideron të drejtë konkluzionin e KPK se subjekti nuk ka deklaruar marrjen dhe përdorimit e huasë nga vëllezërit dhe shton se ka kontradikta dhe në kontratat noteriale në dosje, që sipas saj, i bëjnë të pabesueshme shpjegimet e Selimit. Sipas Mulajt, pretendimi i subjektit për shumën e marrë hua nga vëllezërit duket se është përdorur si mjet për të justifikuar ligjshmërinë e pagesës së këstit të dytë për blerjen e tij.
Ajo e cilëson të paqartë dhe aspak bindës pretendimin e Selimit se shoqëria e kërkonte shumën në monedhën euro, duke nënvizuar se në kontratën përfundimtare të shitjes, përveç çmimit në euro, përcaktohet edhe ekuivalenti në lekë, gjë që lejon shlyerjen e pagesës në të dyja monedhat.
Në përfundim, Mulaj konkludon se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për krijimin e kursimeve cash të deklaruara në vitin 2003, për shlyerjen e këstit të parë dhe të dytë të apartamentit në Tiranë, që i cilëson si elemente shkarkuese.
Cënimi i besimit
Komisioni arriti në konkluzionin se Selimi kishte cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, pasi ajo kishte përfituar një kredi me kushte lehtësuese në shkelje të kritereve ligjore dhe se kishte kryer deklarime të pasakta në vite për përdorimin e kursimeve në cash duke krijuar vështirësi për vlerësimin e pasurisë. Sipas KPK, pasuria që do të blinte subjekti ndodhej në Tiranë dhe në qytetin e Lushnjës ku ajo jetonte, ashtu si e përcaktonte VKM-ja.
Po ashtu, ka rezultur se Selimi ka pasur gjendje të likuiditeteve bankare në shumën 5.3 milionë lekë, si dhe gjendje cash, fakte që KPK ka vlerësuar se binin ndesh me përcaktimet e vendimit të qeverisë që përfituesit nuk duhet të kishin pasuri me vlerë më të madhe se shuma maksimale e kreditimit. Nga Komisioni u argumentua se subjekti nuk vërtetoi me dokumentacion ligjor kërkesën për transferimin e saj e të bashkëshortit në Tiranë.
Në vendim thuhet se, Selimi si gjatë shpjegimeve të saj në procesin e vetingut ashtu dhe në ankim, është përpjekur të provojë se vullneti dhe dëshira e saj në kohën e marrjes së kredisë ishte që të kishte mundësi të transferohej në Tiranë. Ajo ka sqaruar se ky qëllim pothuajse u finalizua në vitin 2013, por se në atë kohë nuk ishte më e interesuar për të kryer këtë lëvizje.
Gjithashtu, subjekti është përpjekur të arsyetojë se gjendja e saj financiare e kursimeve në cash dhe në sistemin bankar në kohën e përfitimit së kredisë dhe disbursimit të saj, nuk ishte në vlerën prej 5 milionë lekësh, por më e ulët. Për të mbrojtur këtë version, ajo ka prezantuar një analizë të copëzuar mes momenteve të aplikimit për kredi, miratimit të saj dhe atij të disbursimit të kredisë efektivisht.
Lidhur me vlerësimin nëse ajo gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut, subjekti i ka kërkuar Kolegjit që të mbahet në konsideratë vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i tetorit të vitit 2023, për miratimin e kërkesës për zgjatje të mbrojtjes së veçantë të saj.
Shumica e KPA konfirmon konkluzionet e Komisionit lidhur me përfitimin e kredisë së butë jo në përmbushje me kriteret e parashikuara prej VKM-së përkatëse, për shkak të blerjes së pasurisë së financuar me këtë kredi jashtë qytetit ku subjekti ushtronte funksionet dhe të faktit që dispononte likuiditete në cash mbi nivelin e parashikuar. Por Kshumica ka vlerësuar se kjo situatë ka mbetur e vetmja problematikë e vlefshme e trajtuar prej KPK në drejtim të cenimit të besimit.
Shumica e trupit gjykues të KPA vlerëson se, pavarësisht kësaj situate, veprimet e subjektit nuk shoqërohen me rrethana që tregojnë për ndërtimin e ndonjë skeme përfituese apo në deformim të rrethanave faktike.
Blerja e apartamentit në Tiranë vlerësohet nga shumica se tregon orientimin e Selimit për vijimin e karrierës së saj dhe se duket e logjikshme, nisur nga konteksti i një karriere të gjatë në qytetin e lindjes. Megjithëse ajo më vonë nuk është transferuar, shumica arsyeton se nuk përjashtohet prezumimi se lëvizja është pritur prej Selimit që të ndodhte. Po ashtu, prej shumicës vlerësohet se investimi duket se synon strehimin dhe jo akomodimin në banesa luksi apo për qëllime dëfrimi.
Tjetër argument i shumicës është dhe fakti se apartamenti në Tiranë rezulton të jetë e vetmja pasuri e paluajtshme e krijuar prej subjektit dhe bashkëshortit gjatë gjithë periudhës së punës së saj.
Për disponimin e shumës 5.3 milionë lekë, që ka qenë më e madhe se kredia, Kolegji nënvizon se dhe kjo vlerë është përdorur për financimin e të njëjtit apartament.
Këto rrethana nuk janë gjetur të mjaftueshme nga shumica për të konkluduar se prokurorja Selimi ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.
Në përfundim, shumica e Kolegjit çmon se prokurorja Selimi arrin nivel të besueshëm në të tre kriteret dhe e ka konfirmuar në detyrë.
Mulaj ka dalë kundër shumicës së Kolegjit dhe për përfitimin e kredisë së butë nga Selimi dhe së bashku me gjetjet e tjera për pasurinë, ajo çmon se prokurorja Merita Selimi nuk i plotëson kushtet për t’u konfirmuar në detyrë.







