
Qershori i vitit 2025 do të mbahet mend si një pikë kthese, që shënon vdekjen e qasjes së vjetër shumëpalëshe ndaj qeverisjes globale. Institucionet ekzistuese, veçanërisht ato të ndërtuara mbi idenë e “Perëndimit” (si NATO-ja dhe G7), nuk kanë më rëndësi. Ndërsa Amerika sinjalizoi se mund të godiste objektet bërthamore iraniane, ajo nuk u shqetësua të konsultohej me anëtarët e tjerë të NATO-s përpara se ta bënte këtë. Përkundrazi, presidenti Donald Trump u largua nga takimi i G7 në Kananaskis, Kanada, herët për të nisur misionin.
Parëndësia e G7 dëshmon për gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare. Është interesante të vihet re se samiti i parë i grupit, gjysmë shekulli më parë, u mblodh për t’u marrë me një Lindje të Mesme të paqëndrueshme, pas një shpërthimi (Lufta e Yom Kippur-it e vitit 1973) që rrezikoi stabilitetin ekonomik dhe politik të “Perëndimit”. Anëtarët e samitit u takuan në Rambuje, pak larg Parisit, në nëntor 1975 për të hartuar një alternativë ndaj ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ushtarake.
Ata që ishin të pranishëm ishin të dëshpëruar dhe donin të luftonin ndjenjën e brishtësisë ekonomike dhe politike që po vinte në rrezik demokracinë në vend. Ndërsa tema e samitit kishte dalë nga takimet e rregullta midis ministrave të financave amerikanë, britanikë, francezë, gjermanë dhe japonezë, ajo përfshinte edhe Italinë, jo sepse vendi ofronte burime të dobishme, por sepse ishte në gjendjen më të keqe dhe demokracia e saj ishte më e rrezikuara.
Ishte Henry Kissinger ai që në vitin 1974 kishte ofruar alternativën ndaj veprimit ushtarak: fuqitë rajonale, veçanërisht Arabia Saudite dhe Irani, do të tërhiqeshin duke i inkurajuar ato t’i mbanin fitimet e tyre të larta nga eksportet e naftës në bankat perëndimore. Këto petrodollarë më pas do t’u jepeshin hua tregjeve të mëdha në zhvillim të kohës – vendeve në Amerikën e Jugut, por edhe në Evropën Qendrore të dominuar nga sovjetikët – në mënyrë që të gjithë të lidheshin mes tyre nga paratë. Kështu, financat do të garantonin që të gjithë të shmangnin përballjet e kushtueshme dhe të dhunshme në të ardhmen.
Ky lloj mendimi do të hidhej poshtë më vonë si një formë neoliberalizmi i pakontrolluar, me liderë politikë nga Joe Biden dhe Vladimir Putin deri te Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen që distancoheshin prej tij. Por, ndërsa të gjithë e kritikonin neoliberalizmin dhe besimin e lidhur me të se tregtia mund të sjellë paqe, pak veta ofruan ndonjë alternativë koherente.
Skeptikët do të kishin bërë mirë të konsultoheshin me mitologjinë e lashtë, e cila e paraqiste perëndinë e tregtisë, Merkurin, si rival të perëndisë së luftës, Marsit. Vetëm Putini kishte qëndrueshmërinë intelektuale për të parë se Marsi ishte rezultat i refuzimit të Merkurit. Ai vuri bast se perëndia e luftës mund të krijonte një Rusi të re.
Një pjesë e problemit me gjetjen e një alternative qëndronte në përbërjen e pamjaftueshme institucionale të G7-ës. Në fillim të mijëvjeçarit, nuk ishte më formati më i përshtatshëm për koordinim global, dhe me krizën financiare 2007-2008, G20 doli si grupimi kryesor. Por, ndërsa G20 ofroi një përgjigje efektive të menjëhershme përmes takimit të saj në Londër në prill 2009, ajo shpejt humbi terrenin pasi SHBA-ja, Kina, Gjermania dhe të tjerë ranë në mosmarrëveshje rreth çështjeve tregtare dhe valutore.
Disa vjet më vonë, Rusia u përjashtua nga G7 (më parë G8) pas pushtimit të Krimesë dhe sulmit ndaj Ukrainës lindore në vitin 2014. Trump u ankua për këtë gjatë mandatit të tij të parë dhe së fundmi iu rikthye të njëjtës temë në Kananaskis. Por këmbëngulja e tij se Rusia është e nevojshme për të zgjidhur problemet ndërkombëtare është e çuditshme, duke pasur parasysh se Rusia ka shkaktuar ose kontribuar në kaq shumë prej tyre – duke përfshirë mbështetjen e diktaturave në Siri dhe Iran. Një argument shumë më i fortë mund të bëhet për zgjerimin e G7-ës për të përfshirë Kinën..
Megjithatë, dinamika e shfaqur në Kananaskis ngjante çuditërisht me atë në Rambuje pothuajse 50 vjet më parë. Ndërsa presidenti Francez Emmanuel Macron donte të diskutonte një armëpushim, Trump shpjegoi (ndërsa po largohej) se po mendonte “shumë më gjerë se kaq. Qoftë qëllimisht apo jo, Emmanuel gjithmonë nuk e kupton”. Marsi triumfoi mbi Merkurin.
Por braktisja e një samiti shumëpalësh për të shkuar në luftë ishte një veprim i çuditshëm për një njeri që gjithmonë këmbëngulte se po përpiqej të arrinte një marrëveshje paqeje. Premtimi i “Amerika e Para” – shkëputja globale dhe refuzimi i “luftërave të përjetshme” – është arsyeja kryesore e mbështetjes së Trump për shumë amerikanë. Në fakt, vendimi i tij duket se është në kundërshtim edhe me udhëtimin e tij të fundit në Lindjen e Mesme, ku ai vizitoi shtetet e Gjirit, shmangu Izraelin dhe u përqendrua në arritjen e marrëveshjeve financiare dhe ekonomike.
Në vitin 2019, Trump shpalli në mënyrë karakteristike se angazhimi ushtarak në Lindjen e Mesme ishte “vendimi më i keq i marrë ndonjëherë”. Megjithatë, tani, në vitin 2025, mjeshtri i “Artit të Marrëveshjes” ka arritur në përfundimin se i duhej i njëjta përshkallëzim kërcënimi si në luftën e tij tarifore. Por çfarë ndodh nëse niveli aktual i bombardimeve nuk është i mjaftueshëm për të frikësuar lidershipin iranian? Po sikur superbombat GBU-57 të mos arrinin ta shkatërronin objektin bërthamor nëntokësor në Fordow?
Nga rreziku i një konflikti ushtarak në përshkallëzim deri te pakënaqësia e thellë me demokracinë në vend, paralelet me Rambujenë janë mbresëlënëse. Pyetja është nëse ka ndonjë që mund të kanalizojë sot njohuritë Kissingeriane. Skenari për një lider të tillë është i qartë dhe përfshin kanalizimin e Merkurit, jo të Marsit. Ky është momenti kur dikush në Evropë, Kinë ose në Jugun Global duhet të ngrihet dhe të thotë: “Problemet tona janë shumë më të mëdha se kaq. Qoftë qëllimisht apo jo, Donald-i gjithmonë nuk e kupton.”
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Iran and the End of the Old Multilateralism







