AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Reportazhe

‘Kujtimet nuk futen në tuba’: Një fshat në Mat i reziston valës së HEC-eve

Mes protestave dhe spekulimeve për prapaskena politike, fshati Kurdari në luginën e Matit vazhdon rezistencën e tij disavjeçare kundër ndërtimit të HEC-eve.

Sami CurringaSami Curri
11 months më parë
në Artikull kryesor, Reportazhe
Koha e leximit: 5 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Banorët e fshatit Kurdari protestojnë kundër ndërtimit të HEC-it Doma

Në një mëngjes të nxehtë në mes të qershorit, qetësia në kodrat e fshatit Kurdari u ndërpre nga zhurma e thatë metalike e një ekskavatori që u shfaq në shtratin e egër të lumit të Lusës, një nga tributarët e Matit.

Makineria dhe punëtorët ishin sjellë nga kompania ‘Global Interprise Group’ për të nisur gërmimin e një kanali – afërsisht 4.4 kilometra të gjatë, ku do të shtrihet një tubacion që synon të devijojë rrjedhën e lumit – hapi i parë për ndërtimin e hidrocentralit Doma.

Por banorët e fshatit, të cilët prej vitesh e kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit – pjesë e tre HEC-eve të planifikuara në lumin e Lusës, ishin të vendosur mos t’a lejonin fillimin e punimeve.

Një duzinë burrash u mblodhën dhe i bënë ballë makinerisë së rëndë duke krijuar një barrikadë me trupat e tyre, ndërsa më të rinjtë filmonin përballjen për t’ia shpërndarë medias.

“Këto HEC-e nuk i shërbejnë askujt, përveç disa xhepave të veçantë, në politikë, por edhe afër saj,” shfryu Ilirian Çeliku, inxhinier mjedisi me profesion, ndërsa kujton se si gjatë verës, kur ishin fëmijë, shuanin vapën duke u larë në ujin e lumit. “Lumi i Lusës në Kurdari është si të thuash edhe identiteti jonë, por edhe kujtimet tona,” shtoi ai.

Kundërshtimi i projektit nga banorët nuk është vetëm çështje nostalgjie. Bujqësia është aktiviteti kryesor ekonomik i zonës – e cila konsiderohet si ‘hambari’ i luginës së Matit. Shumë nga fermerët vendas druhen se ndërtimi i HEC-it mund të cënojë furnizimin e tyre me ujë për vaditje.

“Këta duan të na e marrin edhe atë pikë uji,” më thotë Xhevahir Perlati, i cili është kthyer në fshat pas disa vitesh emigrimi në Angli.”

“Ne për atë ujë, e këtë natyrë e bujqësi po rrimë këtu,” shtoi ai.

Ndryshe nga banorët, kompania zhvilluese e projektit energjetik, deklaron se ndërtimi i HEC-it nuk e dëmton komunitetin, ndërsa thekson se ka siguruar të gjitha lejet e nevojshme që i kërkon ligji.

“Për këtë investim, shoqëria jonë ka ndjekur procedurat ligjore që nga viti 2017 e deri më sot,” i tha BIRN nëpërmjet telefonit Ashim Doma, administrator dhe aksioner i kompanisë “Global Interprise Group”

“Ne kemi rinovuar të gjitha dokumentet dhe kemi marrë të gjitha lejet përkatëse,” theksoi ai, ndërsa shtoi se: “kush mendon se ka pasur shkelje, le t’i drejtohet institucioneve.”

Po iku lumi, ikën jeta

Ekskavator duke hapur rrugë në fshatin Kurdari

Kjo nuk është hera e parë që fshati Kurdari tërheq vëmendjen e medias. Në shtratin e lumit janë planifikuar ndërtimi edhe i dy HEC-eve të tjerë nga kompania “Idrolusa” sh.p.k. Në maj 2022, banorët e dëbuan me protestë përfaqësuesin e kësaj kompanie, duke shfaqur pakënaqësinë e tyre të thellë gjatë një dëgjese publike.

Bar-kafeja e vogël e Shkëlqim Kadriut në qendër të fshatit, shërben jo vetëm si pikë takimi për banorët, por edhe si shtab emergjence për organizimin e rezistencës kundër HEC-eve. Mes tymit të duhanit, banorët e mbledhur kujtojnë se idetë fillestare për ndërtimin e HEC-e në lumin e Lusës shkojnë pas gati dy dekada.

“Jemi mbledhur në mënyrë të vazhdueshme,” më thotë Shkëlqimi, ndërsa rikujton aktet e vazhdueshme të rezistencës dhe protestat ndaj punimeve. “I gjithë fshati është afro 600 ose 700 familje,” tregon ai, përpara se të shtojë se “thuajse 90% janë kundra ndërtimit të HEC-eve.”

Edhe pse shumë prej banorëve kanë emigruar jashtë vendit, një pjesë e madhe e tyre vazhdojnë ta ruajnë lidhjen me vendlindjen, ku disa kanë investuar për shtëpi pushimi. Fabiol Zeneli ishte vetëm 13 vjeç kur u largua nga fshati për në Angli. Atje u arsimua, nisi punën si inxhinier dhe themeloi një kompani private në fushën e ndërtimit. Pas afro 25 vitesh, ai u rikthye në banesën e gjyshërve të tij, ku nisi një rikonstruksion të plotë për ta kthyer kullën në identitet.

“Gjej qetësi këtu,” me thotë Fabioli. “Fëmijët, pavarësisht se kanë lindur në Angli, kënaqen gjithashtu kur vijnë këtu” tregon ai.

Për Fabiolin, ideja e ndërtimit të HEC-eve në fshat është e paimagjinueshme.

“Gjuetia e peshkut, larja gjatë verës – nuk mund të futen në tuba,” tha Fabioli. “Ne kujtimet i kemi aty,” thekso ai, ndërsa shtoi se “po iku lumi, ikën jeta.”

Dëgjesa të kontestuara

Ekskavatorë të parkuar në fshatin Kurdari | Foto: Sami Curri

Ashim Doma, administratori i kompanisë ‘Global Interprise Group’ – e cila qëndron pas projektit të HEC-it ‘Doma’, insiston se ndërtimi i hidrocentralit është një investim strategjik, ligjërisht i rregulluar, i planifikuar prej vitesh dhe që nuk sjell asnjë dëm për komunitetin.

Ai thekson se janë zhvilluar disa dëgjesa publike për projektin ndër vite dhe se pjesëmarrja në to ka qenë e hapur, ndonëse nuk mban mend numra konkretë.

“Në momentin që paraqet dokumentacionin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), një ndër dokumentet është njoftimi i publikut,” tha ai, ndërsa theksoi se në dëgjesa ka marrë pjesë “kush ka qenë i interesuar.”

“Aty kanë qenë ndoshta 20 apo 25 veta, por kjo është bërë më shumë se një herë, ndoshta 3 apo 4 herë që nga 2017-ta,” tha sipërmarrësi. “Ne nuk i marrim njerëzit me zor,” shtoi ai.

Por banorët e kontestojnë pjesëmarrjen në dëgjesat publike që deklaron kompania. Ato pretendojnë se një pjesë e firmave në listat e pjesëmarrjes janë falsifikuar.

Megjithatë, Ashim Doma mbetet i vendosur për ndërtimin e hidrocentralit, ndërsa thekson se gjurma e tij ndodhet afro 300 metra poshtë fshatit dhe nuk prek asnjë banor drejtpërdrejtë, “as me zhurmë, as me ndotje, as me kufizim të burimeve”.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me banorët e Kurdarit,” tha ai. “Jemi shumë larg tyre fizikisht.”

Doma lë të kuptohet se, nëse banorët këmbëngulin në bllokimin e punimeve, ai do t’u drejtohet institucioneve të rendit. “Unë do të vazhdoj punimet”, theksoi sipërmarrësi.

Interesa politike?

Lumi i Lusës në fshatin Kurdari | Foto: Sami Curri

Në Kurdari, spekulimet se pas projekteve të HEC-eve qëndrojnë njerëz me pushtet politik, janë kthyer në legjendë. Si shumë ndodhi në Shqipëri, edhe përballja e banorëve të Kurdarisë me HEC-et, duket se ka një sfond politik.

Fshati është pjesë e njësisë administrative Suç, në bashkinë Klos, e cila dikur ka qenë një bastion i së djathtës. Por në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste arriti të merrte një fitore të thellë, duke siguruar 60% të votave.

Shumë prej tyre, besojnë se nisja e punimeve për HEC-in “Doma”, fill pas zgjedhjeve parlamentare, nuk është rastësi.  Administratori i kompanisë ndërtuese, Ashim Doma është një figurë lokale e lidhur ngushtë me Partinë Socialiste. Ai ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2013-të në listën e PS-së në qarkun e Dibrës.

Disa nga banorët mendojnë se pas projektit qëndron ish-kryetari i bashkisë Mat dhe deputeti i ri i PS-së, Agron Malaj.

I pyetur për lidhjet e përfolura me deputetin, Ashim Doma mohon çdo përfshirje politike dhe e përkufizon investimin si një “biznes familjar”.

“S’e kam të nevojshme të kem prapavijë politike,” tha ai, ndërsa pretendoi se “pjesa më e madhe e protestuesve nuk janë fare nga fshati.”

“Thonë që i marrim ujin e pijshëm apo të vaditjes, por këto janë trillime”, shtoi Doma.

Pas jehonës që përplasja me kompaninë krijoi në media, deputeti i zgjedhur i PS-së, Agron Malaj, pati një takim me banorët e Kurdarisë, pasditen e 29 qershorit.

Malaj, dukej i vendosur të hidhte poshtë zërat se ai qëndronte pas projektit, ndërsa shtoi se çdo vepër që ndërtohet pa miratimin dhe dëgjesat publike është “e pavlefshme.”

“Kjo zonë është punëtore, kjo zonë jeton me këtë ujë,” tha Malaj. “Nuk mund të cënohet jeta për interesa që nuk janë të përbashkëta”, përfundoi ai.

Etiketa: Agron MalajAshim DomaFabiol ZeneliGlobal Interprise GroupIlirian ÇelikuKurdariLumi i LusësMatPartia SocialisteShkëlqim KadriuSuçXhevahir Perlati
Tjetri
Rinumërimi në Fier zbulon trafikim votash brenda listave të hapura të PS dhe PD

Rinumërimi në Fier zbulon trafikim votash brenda listave të hapura të PS dhe PD

640 0 1737360265xkushi 919

Dokumenti: Qeveria përgatit transferimin e ishullit të Sazanit te Jared Kushner

15:31 | 06/06/2026
nje protestuese mban ne dore nje pankarte kunder projektit ne zonen e mbrojtur vjose narte. foto nensi bogdani

Revolucioni i Flamingove po raportohet në rrjetet sociale

08:36 | 06/06/2026
716809981 1446800444147550 7673580044016486110 n

Rrëshqitjet e dheut në Durrës rrezikojnë banorët dhe bizneset pranë bregdetit

08:30 | 06/06/2026
meta

Fillon gjykimi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

22:10 | 05/06/2026
681275693 17981136906111696 1088567703946545566 n

Biznesmeni i lidhur me projektin e Zvërnecit fiton koncesionin Milot-Balldren

18:04 | 05/06/2026
foto kuvendi

“Nën presion financiar”, RTSH kërkon rritje të tarifës e buxhet shtesë në Kuvend

16:53 | 05/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.