
Djali i Muhamed Avdiçit u pagëzua me emrin “Azam”, por në fillim Avdiçi nuk mundej ta thërriste me atë emër.
“Kur ishte foshnjë, kur e puthja dhe e përkundja… e thërrisja me përkëdheli ‘bej i mirë’ ose ‘ëmbëlsirë’”, tha Avdiç. “M’u desh kohë të mësohesha ta thërrisja Azam.”
Azam ishte emri i babait të Avdiçit, i cili ishte 41 vjeç kur u vra së bashku me rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicën që ishte shpallur zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara në korrik të vitit 1995, një krim i cilësuar si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë (GJPNJ) në Hagë.
Djali i Avdiçit është sot 11 vjeç, po aq sa kishte vetë Avdiçi kur pa për herë të fundit babanë e tij, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur kurrë.
Por djali i Avdiçit nuk ka trashëguar vetëm emrin, por edhe fytyrën e rrumbullakët, flokët e dendur dhe dashurinë për muzikën, njësoj si babai i tij.
Babai i Avdiçit ishte mësues dhe violinist, talenti i të cilit është i dokumentuar në video që Avdiçi i sheh edhe sot.
“Njerëzit ndonjëherë thonë që ka të njëjtën fytyrë dhe ngjyrë sysh”, tha Avdiçi për djalin e tij. “Dhe jo vetëm kaq. Ai ka trashëguar edhe genin muzikor; luan kitarë dhe e ndien muzikën.”
Duke ia vendosur djalit emrin Azam, Avdiçi thotë se po mban të gjallë kujtimin e të atit.
“Nëse ai nuk mundi të shpëtonte gjatë luftës, të jetonte e të takonte personalisht nipërit dhe mbesat e tij, dhe nëse nipërit dhe mbesat e tij nuk kanë mundësinë ta takojnë gjyshin fizikisht, atëherë kujtimi le të ruhet në këtë mënyrë dhe le ta njohin njëri-tjetrin kështu.”
“Më kujton babanë”

Ahmed Hrustanoviç, një imam në Srebrenicë, i varrosi eshtrat e babait të tij, Rifetit, 13 vjet më parë.
Po atë vit, bashkëshortja e tij solli në jetë një djalë, por Hrustanoviçi thotë se nuk ishin ende gati që djalin ta quanin Rifet.
“Nuk isha gati ende, as unë, as familja ime, as nëna, as motra, asnjë nga ne”, tha ai. “Kishim një lloj frike. Nuk e di nga çfarë kishim frikë, por nuk kishim forcë ta shqiptonim atë emër në shtëpinë tonë në vitin 2012.”
Kur në fund të vitit 2021 lindi një djalë tjetër, familja ndjeu se ishte gati dhe ata e quajtën Rifet. Por për muaj të tërë, Hrustanoviçi vazhdoi të kishte vështirësi ta thërriste me atë emër.
“E shmangia disi; nuk arrija t’i lidhja dot bashkë këta dy njerëz – djalin Rifet dhe babani Rifet.”
Në vend të kësaj, ai e thërriste djalin me nofkën e babait të tij, Rile.
“Më pas, brenda meje sikur u thye diçka dhe tani e thërras Rifet. Tani jam me të vërtetë i lumtur. Jam shumë krenar dhe mirënjohës ndaj Zotit që djali im Rifeti më kujton babanë tim.”
Ai shton se fëmijët që mbajnë emrat e atyre që u vranë në Srebrenicë në vitin 1995 do të mbartin mbi supe barrën e asaj që të tjerët përjetuan, por edhe shpresën që kjo nuk do të ndodhë më kurrë.
Në rajon është gjithashtu një praktikë tradicionale që fëmijëve t’u vihen emrat e të ndjerëve. Hrustanoviçi tregon se edhe nëna e tij i kishte thënë njëherë se kjo ishte një mënyrë për ta mbajtur gjallë emrin dhe, në një mënyrë, për ta mbajtur të ndjerin pranë tyre.
“Në grupin e fëmijëve më të vegjël në mekteb (shkollë fillore myslimane), ku ka mbi 20 fëmijë, kam numëruar njëherë 15 që mbanin emrat e gjyshërve ose xhaxhallarëve të vrarë gjatë gjenocidit”, tha Hrustanoviçi.
“Jam veçanërisht i lumtur për këtë, sepse ky është vazhdim i luftës sonë, vazhdim i rrëfimit tonë se gjenocidi nuk duhet dhe nuk do të harrohet kurrë.”
Vazhdimi i jetës së të vdekurve

Fehrije Jakuboviç-Dudiç nuk e njohu vjehrrin e saj, Mehanin, por ishte e lumtur t’ia vinte emrin e tij djalit të saj më të madh.
“Është një emër shumë i rrallë dhe, më e rëndësishmja, ka një domethënie shumë të bukur në fenë islame – i lavdëruar, i nderuar”, tha Jakuboviç-Dudiç.
Bashkëshorti i saj e pa për herë të fundit babanë e tij në vitin 1993, kur ai u nis me autobus për në Tuzla. Eshtrat e tij u identifikuan në vitin 2012 dhe po atë vit u varros në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potocari.
“Po atë vit, gjashtë muaj më vonë, lindi Mehani”, tha Jakuboviç-Dudiç.
Hrustanoviçi tha se kjo praktikë mund të ndihmojë për të lehtësuar barrën që mbajnë mbi supe brezat e rinj, të cilët nuk kanë kujtime nga lufta e viteve 1992–1995 në Bosnje.
“Fëmijët që jetojnë këtu në Srebrenicë tashmë mbajnë mbi vete një barrë të rëndë nga ajo që shohin nëpër rrugë, nga ajo që shohin kur kalojnë pranë Qendrës Përkujtimore”, tha ai. “Duan apo nuk duan, ata e kanë këtë barrë mbi supe. Në këtë mënyrë, ata do të përballen më lehtë me të, sepse edhe vetë do të përpiqen të japin kontributin e tyre që historitë e gjyshërve të tyre të mos mbeten të pathëna.”
Kur të rriten, tha Avdiçi, ata do të mund të ndajnë me të tjerët historinë që fshihet pas emrit të tyre.
“Nuk është e njëjta gjë kur të vënë emrin e një personazhi nga një libër apo kur thua se të kanë vënë emrin e xhaxhait apo të gjyshit tënd që është vrarë në gjenocid.”







