
SPAK njoftoi të martën, më 15 korrik, përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes penale ndaj Çyrbjas dhe dy të pandehurve të tjerë, të akuzuar për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
Hetimet ndaj Çyrbjas zbuluan lidhje të thella dhe bashkëjetesë mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor, duke deformuar votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit. Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat ua vinte në dispozicion anëtarëve të grupeve kriminale.
Çyrbja është marrë i pandehur për veprat penale: “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më shumë se një herë; “Përkrahje e autorit të krimit”, gjithashtu e kryer më shumë se një herë; “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit” në bashkëpunim; si dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Ahmet Masha akuzohet për “Tregim të sekretit shtetëror nga shtetasit” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa Altin Hajri akuzohet për “Korrupsion pasiv në zgjedhje” dhe “Tregim të sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Sipas SPAK, është provuar se tre të pandehurit dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC. Altin Hajri rezulton të ketë përdorur gjithashtu platformën tjetër të enkriptuar, Matrix.
Hetimet kanë zbuluar se të pandehurit, në tetë episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, janë vënë në dijeni të të dhënave nga sistemi “TIMS” mbi një person të shpallur në kërkim, si dhe informacione sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto të dhëna, që përfshinin planet e Policisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim për krime të organizuara, janë transmetuar nga të pandehurit te personat në kërkim, të cilët për shkak të kësaj ndihme kanë shmangur arrestimin.
Në kohën kur Çyrbja ka kryer këto vepra penale, ai ishte deputet i Partisë Socialiste. Ai u rizgjodh deputet edhe në legjislaturën 2021–2025, funksion që e mbajti deri më 9 tetor 2024, kur dorëzoi mandatin pak ditë para arrestimit.
Sipas SPAK, Çyrbja ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me Altin Hajrin, pronar i një resorti luksoz në Shijak dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe përfshirje në zhdukjen e një personi.
“I pandehuri Jurgis Çyrbja, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit Altin Hajri se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të ‘Korrupsionit aktiv në zgjedhje’,” thuhet në njoftimin e SPAK. Sipas prokurorisë, Hajri i ka pranuar favoret e ofruara nga Çyrbja në këmbim të sigurimit të votave.
Në kuadër të hetimit, SPAK thotë se ka siguruar të dhëna nga autoritetet gjyqësore holandeze lidhur me përdorues të platformës së enkriptuar Matrix, nga të cilat rezulton se pas arrestimit të Çyrbjas dhe Mashës, Altin Hajri dhe bashkëbisedues të tij kanë diskutuar për rreth dy muaj mbi momentin e ekzekutimit të masës së sigurimit ndaj ish-deputetit.
Komunikimet e përgjuara konfirmojnë përmbajtjen e bisedave të mëparshme në Sky ECC dhe elementët e veprave penale për të cilat të pandehurit akuzohen. Po ashtu, ato tregojnë edhe për vendtakime të realizuara me punonjës të policisë, të cilët i kanë informuar për operacionet e zhvilluara për kapjen e personave në kërkim.
SPAK bën me dije se ka ndarë çështjen dhe po vijon hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të tre të pandehurve.







