
Në qendër të qytetit të Kukësit, lulishtja kryesore – një nga të paktat hapësira publike të gjelbra në qytet, po zhduket nën një shtresë betoni. Në emër të një “investimi për fëmijët”, një tapet betoni zëvendësoi brutalisht barin e gjelbër, për t’u kthyer në një kënd lojërash.
Punimet janë financuar nga fondacioni turk TIKA dhe janë kryer me leje të dhënë nga Bashkia Kukës. Por, sipas dokumenteve dhe zyrtarëve lokalë, Këshilli Bashkiak – i vetmi organ që duhet të miratojë projekte të tilla, nuk është pyetur asnjëherë.
“Nuk kemi asnjë vendim për këtë investim. Nuk dimë kush është TIKA, çfarë ka financuar, apo pse po betonizohet kjo hapësirë publike,” tha Albert Muja, kryetar i Këshillit Bashkiak të Kukësit. “Është tjetërsuar pa leje gati 30 për qind e sipërfaqes së gjelbër, ndërkohë që për një obelisk për minatorët kemi debatuar një muaj të tërë.”
Në vend që të referojë rastin për hetim, Policia e Kukësit ka dalë në përfundimin se gjithçka është në rregull.
“Nga verifikimet në terren nuk janë konstatuar paligjshmëri,” thuhet në një përgjigje zyrtare të Komisariatit të Kukësit drejtuar BIRN. Sipas policisë, ndërhyrja ka për qëllim vendosjen e lodrave për fëmijë dhe është bërë “me leje të Bashkisë Kukës.”
Por ekspertët ligjorë paralajmërojnë se policia ka dalë jashtë kompetencave të saj. “Vetëm prokuroria, pas një hetimi të plotë, mund të përcaktojë nëse ka vepër penale apo jo,” tha Griselda Haxhiaj, drejtuesja në detyrë e Prokurorisë së Kukësit. Ajo konfirmon se deri më tani policia nuk ka bërë asnjë referim për rastin.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i cili duhet të mbikëqyrë ndërtimet pa leje, është treguar po aq indiferent. “Kemi folur me bashkinë dhe na thanë që hapësira nuk është tjetërsuar,” tha për BIRN Besar Tota, drejtues i IKMT për qarkun e Kukësit, duke shmangur çdo përgjegjësi institucionale.
Por juristët thonë se ligji për urbanistikën është i qartë: asnjë pushtet vendor nuk ka të drejtë të tjetërsojë hapësira publike pa miratimin e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit (KKRT) dhe vetëm në funksion të interesit publik.
Ironikisht, kjo ndodh ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka akuzuar publikisht një prokurore në Shkodër për mosveprim ndaj ndërtimeve në zonën e mbrojtur të Thethit. “Një strukturë e ka çuar çështjen në prokurori, por prokurorja ka thënë se nuk ka problem,” u ankua Rama gjatë një takimi në Berat, ku akuzoi prokuroren Elsa Gjeli se kishte injoruar denoncimin e policisë.







